Shmangia nga përgojimi

Të nderuar vëllezër besimtarë;

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.
Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi (a.s.) është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Vëllezër të dashur,
Pejgamberi savs ka thënë: “Imani (besimi) përbëhet nga 60 e disa pjesë, edhe turpi është pjesë e imanit.” (Buhariu)
Një nga pjesët përbërëse të besimit është Shmangia nga përgojimi (gibeti) i të tjerëve, dhe kjo do të jetë tema e hutbes së sotme.
Disa individë nganjëherë e arsyetojnë përgojimin (gibetin) duke thënë: Kjo që po themi është e vërtetë dhe nuk është përgojim.
Vëllezër, pikërisht kjo është përgojim, sepse Pejgamberi savs ka thënë: “A e dini se çka është përgojimi (gibeti)?” Ata thanë: – Allahu dhe Pejgamberi e dinë më së miri.
Pejgamberi savs tha: “Nëse ia përmend vëllait tënd atë që ai nuk ka dëshirë!”
I thanë: – Po në qoftë se është e vërtetë ajo që themi në lidhje me vëllanë tonë?
Ai tha: “Nëse është e vërtetë ajo që keni thënë, e keni përgojuar, e në qoftë se jo, atëherë keni shpifur!”
Sa i përket inteligjencës (mendjes), njerëzit ndahen në tri lloje:
(1) njerëzit e mëdhenj,
(2) njerëzit e mesëm dhe
(3) njerëzit e vegjël.
– Njerëzit e mëdhenj, mendjet e mëdha diskutojnë për ide.
– Njerëzit e mesëm diskutojnë për ngjarjet.
– Njerëzit e vegjël flasin për njerëzit, d.m.th. i përgojojnë.

Vëllezër, në cilin grup bëjmë pjesë ne?
Nëse jemi në të parin të lumtë ne. Nëse ne jemi në të dytin, është e kënaqshme. Por nëse ne jemi në grupin e tretë, atëherë urgjentisht duhet të shërohemi psiqikisht dhe shpirtërisht. Përndryshe, kjo sëmundje me siguri do të na çojë në shkatërrim në këtë botë dhe në botën tjetër.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ata që duan të përhapin lajmet e turpshme për besimtarët, i pret dënimi i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha, e ju nuk i dini.” (en-Nur, 19)
Dikur, kur ishim fëmijë, nëse dikush e përgojonte dikë, e pyetnin: Ku e ke dëgjuar këtë? Ai thoshte: I kam dëgjuar gratë duke përfolur. Se sa ka përparuar kjo sëmundje, më së miri na tregon fakti, se sot burrat gjithashtu përgojojnë sikurse gratë e ndoshta edhe më shumë se ato. Dhe askush nuk thotë i kam dëgjuar gratë duke përgojuar, por thotë: kam dëgjuar në xhami ose para xhamisë.

Vëllezër të dashur!

Sa i rrezikshëm është ky ‘trend i ri’, më së miri na tregon hadithi i mëposhtëm në të cilin thuhet: Abdullah ibn Abbasi (r.a.) transmeton se dy burra e kishin falur me Pejgamberin (savs) namazin e drekës dhe të ikindisë, gjithashtu edhe po agjëronin atë ditë. Kur e përfundoi namazin, Pejgamberi (savs) ju tha atyre: “Përsëritni abdesin dhe faluni përsëri, agjërimin vazhdoni, por jeni të detyruar ta kompensoni!”
Atëherë ata dy e pyetën: – Përse o i Dërguari i Allahut?
Ai tha: “Sepse ju filanin dhe filanin e keni përgojuar!”
Vëllezër, sa prej nesh tani janë pa abdes?
Sa prej nesh, për shkak të përgojimit, nga namazi ka vetëm gjimnastikë?

Sa prej nesh janë të detyruar t’i kompensojnë ditët e agjërimit? Dhe të gjitha këto pyetje dhe këto probleme, vetëm pse e kemi përgojuar një person të caktuar. E gjithë kjo, për shkak se e kemi parë teshën në sy të huaj e nuk e kemi parë traun në syrin tonë.

Vëllezër, janë shkatërruar ata njerëz të cilët i shohin mëkatet e të tjerëve, e jo edhe të vetat. Ata e shohin se si po sillet gruaja e huaj, vajza, djali, por jo edhe të vetat.

O vëllezër, ta dimë se këta njerëz janë shkatërruar edhe në këtë botë edhe në botën tjetër, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kur dikush thotë: Janë shkatërruar njerëzit! Ai është më i keq se ata!”

Ky hadith i referohet personit i cili e thotë këtë, duke admiruar veten dhe mirësinë e tij, e duke i nënçmuar njerëzit e tjerë.
Ibni Abbasi (r.a.) ka thënë: “Kur dëshiron t’i përmendësh të metat e vëllait tënd, kujtoji të metat tuaja!”

Vetëm Allahu e di se cili nga ne është më i mirë e cili më i keq.
E cili nga ne është i pagabueshëm, që të gjykojë për njerëzit tjerë?

Në kontekst të kësaj fjalisë së fundit dhe të hadithit të fundit, do ta tregoj një tregim nga Bibla.
Në Ungjillin sipas Gjonit, kapitulli 8, thuhet:
“Jezusi (pra Isai a.s.) shkoi në malin e Ullinjve. Dhe në mëngjes u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai dhe ai u ul dhe i mësonte. Pas pak letrarët dhe farisenjtë e sollën një grua, që ishte kapur duke shkelur kurorën, e vendosën në mes dhe i thanë:

“O mësues, kjo grua është kapur duke e shkelur kurorën. Kurse Mojsiu (Musai a.s.) në ligj na ka urdhëruar që këtë grua ta vrasim me gurë; çfarë po na thua ti për këtë?”
Këtë e thanë ata duke e sprovuar, që pastaj të kishin me çka ta padisnin.

Jezusi ishte përkul dhe shkruante me gisht në tokë. Por ata ende insistonin në pyetjet e tyre, pastaj ai u drejtua dhe tha: “Cili prej jush është i pagabueshëm – i pari le ta hedh gurin mbi të!”
Dhe përsëri u përkul dhe shkruante në dhe. Kur e dëgjuan përgjigjen, ata filluan të dalin një nga një, duke filluar nga më të vjetrit deri në fund; kështu që mbeti vetëm Jezusi dhe ajo gruaja duke qëndruar në këmbë në mes.
Jezusi atëherë i drejtohet dhe i thotë: “Oj grua, ku janë ata? Asnjë nuk të dënoi?”
Ajo tha: “Askush, o zotëri.” Atëherë Jezusi i tha asaj: “Nuk po të dënoj as unë; shko dhe tani e tutje mos mëkato më.”

Në përmbyllje të kësaj hutbeje, le ta kujtojmë këtë hadith shumë domethënës, në të cilin Pejgamberi (savs) ka thënë:

“Muflis (i falimentuar) nga umeti im është ai i cili vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim dhe me zekat, por dikën e ka ofenduar, dikën e ka shpifur, dikën e ka dëmtuar në pasuri, dikujt i ka derdhur gjak, dikën e ka goditur. Do të merren nga veprat e tij të mira dhe do t’i jepen secilit që në një farë mënyre e ka dëmtuar, dhe në qoftë se nuk mbesin vepra të mira para se të gjykohet, do të merren nga veprat e tyre të këqija dhe do t’i jepen këtij, pastaj do të hidhet në zjarr!”

Vëllezër të dashur!

Siç po shihet, të jesh i përgojuar nuk është turp, por është privilegj. Sepse ku keni parë duke e gjuajtur një pemë që nuk ka fryte. Prandaj, njerëzit e përgojuar janë më të vlefshëm, kurse ata që përgojojnë janë njerëzit më të mjerueshëm.
Dhe krejt në fund të kësaj hutbeje, dëgjoni këshillën që hazreti Hidri i dha Musait (a.s.):
“Bëju prej atyre që sjellin dobi, e jo prej atyre që dëmtojnë; qëndro i qeshur dhe jo i zemëruar;
hiq dorë nga rezistenca kokëfortë dhe mos shko askund pa nevojë; mos e turpëro askënd për shkak të gabimeve të tij; dhe mos qaj për shkak të mëkateve tuaja!”

O Allah, na forco neve në rrugën e Islamit!
Ndihmoju vëllezërve dhe motrave tona në nevojë kudo që janë!

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur! Kurse fëmijët dhe pasardhësit tanë udhëzoji dhe bëji udhëheqës të umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me shoqërim të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike