Mos përgojoni!

/Tregim motivues/

Një herë, një burrë plak po përhapte thashetheme për fqinjin e tij se (kinse) ai ishte hajdut. Si rezultat i kësaj, i riu u arrestua. Disa ditë më vonë u provua se i riu ishte i pafajshëm. Pas lirimit, ai e paditi plakun për akuza të rreme.

Në gjykatë, plaku i tha gjykatësit: “Ato kanë qenë vetëm komente të cilat nuk e kanë lënduar askënd.”

Gjykatësi i tha plakut: “Shkruaj të gjitha gjërat e këqija që ke i thënë për të në një copë letre, pastaj atë letër ndaje në copa dhe hidhe nëpër rrugë deri në shtëpi, kurse nesër eja ta dëgjosh dënimin.”

Të nesërmen gjyqtari i tha plakut: “Para se ta dëgjosh dënimin, duhet të dalësh jashtë dhe t’i mbledhësh të gjitha copat e letrës, të cilat i ke hedhur dje.”

Plaku tha: “Nuk mund ta bëj këtë, kjo është e pamundur, sepse era i ka shpërndarë dhe unë nuk di ku t’i gjej.”

Gjykatësi, atëherë, i tha: “Në të njëjtën mënyrë, komentet e thjeshta mund ta rrënojnë nderin e një njeriu, deri në masën që është e pa mundur të riparohet. Nëse nuk mund të flasësh mirë për dikë, atëherë mos thuaj asgjë.”

Le të jemi zotërinj të gojës sonë, në mënyrë që të mos bëhemi pastaj robër të fjalëve tona.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike