Gruaja e cila e çliroi veten me Islam

Autor: Emina Ćeman – Kiremitci

Aisha Abdurrahman Bintu-sh-Shati është gruaja e parë, e cila ka shkruar tefsir dhe gruaja e vetme, tefsiri i së cilës unanimisht është pranuar në botën islame

Muaji ramazan vjen duke sjellë shumë begati dhe mundësi për pjekje shpirtërore. Muaji i agjërimit, i tërheqjes nga ushqimi dhe pijet, vëmendjen e njeriut e drejton kah ajo që është jokalimtare, që është e përjetshme, kah ajo që e rilind shpirtin e besimtarit. Begatia më e madhe me të cilën ka ardhur ramazani, gjithsesi është Kurani fisnik, muxhizja (mrekullia) më e madhe e Pejgamberit (a.s.). Kurani në këtë muaj, hyn në jetën tonë të përditshme me harfet (shkronjat) dhe me kuptimet e tij, duke hapur mundësi të panumërta për ta kuptuar dhe ndier atë. Muaji ramazan është një mundësi ideale për t’i kujtuar të gjithë ata që na kanë bërë borxhli duke na i mësuar bukuritë e Kuranit. Njëra prej tyre është edhe Aisha Abdurrahman (1913-1998), mufesire (komentuese e Kuranit) nga Egjipti, shkrimtare dhe gjuhëtare, e cila ka lënë gjurmë të rëndësishme në vetëdijen muslimane, si për arritjet e saj në metodologjinë moderne të tefsirit, ashtu edhe për faktin, se ajo është gruaja e parë, e cila ka shkruar tefsir dhe gruaja e vetme, tefsiri i së cilës unanimisht është pranuar në botën muslimane. Gjithë jeta e saj, nga lufta për arsim e deri te pjesëmarrja aktive shoqërore dhe puna akademike, është një shembull i ndritshëm i një gruaje moderne muslimane, e cila “vetveten e ka çliruar me Islam”, siç thuhet për të në botën arabe.

EMIN EL-HULI

Studimet e saj të tefsirit, Aisha Abdurrahman i bazon në metodën, të cilën e merr nga Emin el-Huli, profesor universitar në Kajro dhe në të njëjtën kohë bashkëshorti i saj. El-Huli konsideron se tekstit kuranor duhet qasur nga jashtë, duke marrë parasysh kontekstin e kohës së Shpalljes, dhe pastaj nga brenda, duke ju kushtuar vëmendje nuancave të gjuhës kuranore.

Kështu, për shembull, duke e interpretuar ajetin: “Në muajin ramazan ka filluar shpallja e Kuranit (unzile-l-Qur’anu) …”, El-Huli fillon me shqyrtim kritik ndaj komenteve tradicionale të mufesirëve, të cilët në kontekst të këtij ajeti polemizuan për mënyrën e zbritjes së Kuranit në qiellin e Dynjasë. Për të, ky është një reduktim i kuptimit të fjalës ‘nuzul’, dhe duke e analizuar këtë folje përmes Kuranit, ai vjen në përfundimin se ajo nënkupton “afrimin e diçkaje”. Prandaj, kuptimi i frazës ‘inzalu-l-Qur’an në muajin ramazan, mund të jetë afrimi i tij me njerëzit, derisa ata janë në gjendje të agjërimit dhe pendimit shpirtëror, ashtu që ai të jetë udhëzim dhe shkak i mendimit të tyre për jetën dhe fenë.

METODA E TEFSIRIT TË BINTU-SH-SHATIT

Metodën e saj të tefsirit, Bintu-sh-Shati e shtjellon përmes tefsirit autorial të 14 sureve të shkurtra, të quajtur “Tefsiri stilistik i Kuranit të Shenjtë.” Ajo e shkruan një tefsir filologjik, nëpërmjet të cilit tenton të zbulojë kuptimin origjinal të fjalëve kuranore. Aisha Abdurrahman e restauron në mënyrë filologjike kuptimin e çdo fjale, në plan të parë përmes zbatimit të rregullit të vjetër në tefsir, se “Kurani e interpreton vetveten”. Metodën e saj e quan: “Metodë e leximit të plotë”, që nënkupton unifikimin e të gjitha ajeteve në të cilat shfaqet një fjalë ose një derivat i saj nga rrënja e njëjtë. Ky është hapi i parë metodologjik i qasjes së saj ndaj Kuranit, dhe burimi i parë i tefsirit të saj.

Le të theksojmë për shembull zbulimin e kuptimit të fjalës kuranore “el-me’wa (strehë, strehimore)”. Aisha i shqyrton të gjitha ajetet të cilat e përmendin këtë fjalë, dhe zbulon se ajo paraqitet vetëm në kontekstin e xhenetit dhe xhehenemit. Prandaj, përfundon ajo, pasi që Kurani fjalën “el-me’wa” e përdor ekskluzivisht në lidhje me ahiretin, mund të themi, se kuptimi i kësaj fjale në Kuran, është se vendbanimi i vërtetë, i përjetshëm dhe i fundit është vetëm ai në botën tjetër, në xhenet ose në xhehenem. Momenti kur përdorimi i Kuranit të kësaj fjale e përcakton kuptimin e saj, është ihtikamu-l-Kuran – gjykimi i Kuranit, pas të cilit mufesiri nuk ka të drejtë të zgjedhë në mes të më shumë kuptimeve potenciale.

KUPTIMI I PAMPOSHTJES SË KURANIT

Sidoqoftë, zemra e qasjes së Aisha Abdurrahmanit në tekstin kuranor, qëndron në kuptimin e saj për pamposhtjen dhe pamundësinë e imitimit të stilit të tij. Për të, pamposhtja kuranore (i’xhaz) reflektohet në çdo harf, në çdo fjalë dhe në çdo shprehje. Në Kuran çdo gjë është në vendin e vet, dhe asgjë nuk mund të ndryshohet pa e humbur kuptimin. Prandaj, ajo mendon se në Kuran nuk ka sinonime – sepse secila fjalë e ka kuptimin e saj recidiv dhe të nuancuar. Për më tepër, asnjë harf nuk është as i tepërt as i mangët.

Për shembull, duke e komentuar suren “ed-Duha”, ajo ndalet në diskutimin e vjetër tefsiror rreth arsyes së mungesës së përemrit vetor “ke” me foljen “kala”, në ajetet:

„We’d-duha;

we’l-lejli idha sexha;

ma wedde’ake Rabbuke we ma kala (Zoti yt nuk të ka lënë ty, as nuk ka përbuzur).“

Pse nuk është thënë: “Ma wedde’ake Rabbuke we ma kalake (Zoti yt nuk të ka lënë ty, as nuk të ka përbuzur ty)? Ajo i thekson mendimet e komentuesve të mëparshëm, të cilët si arsye për mungesën e përemrit vetor, kanë thënë: për shkak të nënkuptimit, të fjalimit konciz dhe ruajtjes së rimës.

Sipas saj, arsyeja për mungesën e përemrit personal “ty” me foljen “kala-përbuz” është për shkaqe shpirtërore dhe sofistikuese. Në fakt, I Plotfuqishmi të dashurin e Tij nuk e vënë në asnjë  lidhje me foljen që do të thotë urrejtje e fortë, ndërsa me foljen “wedde’a- ka lënë” nuk është ashtu, sepse ajo nuk bartë domethënie të ngjashme negative dhe kategorike. Me këto dhe detaje të ngjashme, Kurani veten ua tregon atyre që ia kushtojnë jetën e tyre. Aisha Abdurrahman është njëra prej tyre. Ajo mbeti e mahnitur me fjalët e Allahut, andaj ato ia zbuluan asaj disa nga sekretet e tyre.

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike