Si të bëjë ibadet për All-llahun çdo organ i trupit tonë?

Çdo pjesë e trupit ka ibadet të caktuar të cilin duhet ta kryejë. Le t’i marrim si shembull sytë. Sytë i bëjnë ibadet Allahut duke e parë atë që janë urdhëruar ta shikojnë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “A nuk e shohin ata perandorinë e qiejve dhe të Tokës…“ (el-A’raf, 185)

Ai gjithashtu thotë: “Thuaj: ‘Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë ka qenë dënimi ndaj atyre që thoshin – (pejgamberët) gënjejnë’.” (en-En’am, 11)

Përdorimi i syve mund të jetë ibadet. Ata e shprehin ibadetin kur ti i shikon krijesat e Allahut të Plotfuqishëm dhe admirohesh me përsosjen e Tij. Ibadet është kur sytë përdoren për të lexuar dhe për të fituar njohuri.

Veshët gjithashtu e kanë ibadetin e tyre. Ata përdorën për ta dëgjuar atë që Allahu i Plotfuqishëm është i kënaqur, si leximi i Kuranit, përmendja e emrit Tij dhe fitimi i njohurive. Për këtë, Allahu i Plotfuqishëm, thotë: “… Me të vërtetë, të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (el-Isra ‘, 36)

Pejgamberi (savs), ka thënë se Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Vazhdimisht robi Im më afrohet me vepra të mira (nafile), derisa ta dua. E kur ta dua, bëhem veshi i tij, me të cilin dëgjon; syri i tij me të cilin sheh…” (Buhariu) Një person i tillë me dëgjimin dhe shikimin e tij i kushton vëmendje vetëm atij / asaj me çka është i kënaqur Allahu i Plotfuqishëm.

Po kështu, edhe dy duart i kanë ibadet e tyre. Ato ndajnë sadakë dhe merren edhe me shumë punë të dobishme. Ato përdoren për ta parandaluar të keqen. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush sheh nga ju ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. E, nëse nuk mundet, me gjuhën e tij; e nëse nuk mundet, me zemrën e tij, e ky është imani më i dobët.” (Muslimi)

Dhënia e selamit dhe shtrëngimi i duarve me njerëzit është ibadet, sepse kjo i fshinë mëkatet dhe e pastron zemrën.

Madje edhe këmbët i kanë ibadetet e tyre. Besimtari me to shkon në xhami në namazet ditore dhe të premten për xhuma. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit dhe i shkruajmë veprat; gjurmët e tyre…” (Ja-sin, 12)

Kur fisi Benu Seleme deshi të shpërngulet për të qenë më afër xhamisë, Pejgamberi (savs) u tha atyre që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre aktuale, duke shpjeguar se çdo hap që bëhet për në xhami regjistrohet tek Allahu i Plotfuqishëm, duke thënë: “O Benu Seleme , qëndroni në shtëpitë tuaja, gjurmët tuaja do të regjistrohen!” (Muslimi)

Allahu i Plotfuqishëm e përshkruan në Kuran se si ka ndodhur kjo ngjarje: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron.” (Ta-ha, 52)

Allahu i Plotfuqishëm gjithashtu thotë:

“Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj …” (el-Mulk, 15). Udhëtimi nëpër Tokë në kërkim të shkencës është ibadet që mund ta realizojnë këmbët.

Ashtu siç ekzistojnë ibadetet e organeve, ekzistojnë edhe mëkatet e tyre.

Mëkati i syve është kur i shikojnë gjërat e ndaluara.

Mëkati i veshëve është kur dëgjojnë thashetheme, intriga, shpifje, mallkime, muzikë dhe të gjitha ato me të cilat Allahu i Madhërishëm nuk është i kënaqur.

Mëkati i gjuhës është kur flet gënjeshtra, thashetheme, shpifje, mallkim dhe tallje me besimtarët.

Mëkati i dorës është vjedhja, shqetësimi i të tjerëve dhe mëkatimi ndaj muslimanëve.

Mëkati i këmbës është të shkojë në mëkate, qoftë në shtëpi, në treg, apo në një vend të huaj. Të gjitha këto janë mëkatet e organeve.

Gjuha është një nga begatitë më të mëdha që posedon njeriu, sepse devotshmëria e saj përfshin veprime shumë të ndershme, si përmendja e Allahut të Plotfuqishëm, leximi i Kuranit, thirrja në atë që është e mirë dhe ndalimi nga e keqja.

Nga e gjithë kjo shohim se përse namazi është një nga format më të mëdha të ibadetit, pasi që ai kërkon përfshirjen e të gjitha organeve të trupit.

Sytë bëjnë ibadet gjatë namazit duke e drejtuar shikimin në vendin ku do të lëshohet balli në sexhde.

Veshët bëjnë ibadet gjatë namazit duke e dëgjuar leximin e imamit, duke u përqendruar në heshtje.  Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kur lexohet Kurani, ju dëgjoni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.” (el-A’raf, 204)

Pejgamberi savs, ka thënë: “Kur të lexojë imami, ju dëgjoni dhe heshtni.” (Muslimi)

Duart dhe këmbët e bëjnë ibadetin, kur në namaz qëndrojmë në këmbë, kur bëjmë ruku’ dhe sexhde dhe kur ulemi.

Gjuha bën ibadet duke e përmendur dhe lavdëruar Allahun e Plotfuqishëm dhe duke e lexuar Kuran.

Në këtë mënyrë, i tërë trupi është i përulur para Allahut të Plotfuqishëm dhe inkuadrohet në adhurimin e Tij, duke e bërë namazin një nga format më të mëdha të ibadetit.

Edhe pse organet i kryejnë të gjitha këto veprime që i përshkruam, ibadeti ynë ka vlerë aq sa zemra jonë është e sinqertë dhe e përkushtuar.

Për këtë shkak, përkundër vlerës së madhe të namazit, Allahu i Plotfuqishëm ju drejton këtë paralajmërim të ashpër disa njerëzve të cilët e kryejnë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, – janë të pakujdesshëm (të harrueshëm), – e veprojnë, vetëm sa për sy e faqe (para botës) – dhe pengojnë dhënien e ndihmës (në shërbimet e vogla midis njerëzve)! (el-Ma’un, 4-7)

Nga kjo kuptojmë se nuk janë të rëndësishme vetëm lëvizjet e jashtme gjatë namazit, sepse personat të cilëve iu referohen këto ajete falin namaz. Edhe pse falen, ata kërcënohen se do ta përjetojnë dënimin në Ahiret. Kjo është për shkak se ata namazin e kanë kryer vetëm me trupat e tyre, ndërsa zemrat e tyre kanë qenë të privuara nga përulësia dhe nënshtrimi. Trupat e tyre kanë qenë në rreshta të njëjta me besimtarët. Fytyrat e tyre kanë qenë të kthyera kah Mekja. Mirëpo, zemrat e tyre, kanë qenë të drejtuara kah diçka tjetër, kanë dashur të marrin lavdërime nga njerëzit, ta fitojnë besimin e tyre, ose të arrijnë ndonjë përfitim tjetër të dynjasë.

Allahu i Lartësuar, i përshkruan këta persona me këto fjalë:

“Kur ata ngritën për namaz, ngritën pritueshëm, duke u paraqitur karshi botës (që janë besimtarë), e Allahun e përmendin pak herë.“ (en-Nisa ‘, 142)

Autor: Dr. Selman el-Avde

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike