Perëndimi është më afër parimeve të Islamit sesa vendet me shumicë muslimane

Shkova në Perëndim dhe pashë Islamin, por jo edhe muslimanët;
U ktheva në Lindje dhe i pashë muslimanët, por jo Islamin.

 

Shkruan: Edib Smolo

 

Sipas rezultateve të fundit të indeksit për vitin 2018, Zelanda e Re është në krye të listës me rezultatet më të mira të EPA

Indekset e Islamit janë një punë e përbashkët kërkimore e shkencëtarëve kryesorë anembanë botës, dhe ata menaxhohen nga fondacioni jofitimprurës ‘Islamicity’. Projekti është themeluar nga Hossein Askari, profesor emeritus i biznesit ndërkombëtar dhe afarizmit ndërkombëtar në Universitetin George Washington, dhe tashmë ka bashkuar ekspertë nga 15 vende muslimane, që përfaqësojnë rreth 50 për qind të popullsisë muslimane në botë.

Indekset Islame janë tregues shumëdimensional, i cili synon vlerësimin e pajtueshmërisë së një shoqërie me mësimet e Kuranit dhe praktikën e pejgamberit Muhamed. Ata ju ofrojnë shteteve një busull dhe një pikë referimi, që të ndërtojnë institucione efektive për të përmirësuar të drejtat e tyre sociale, ekonomike dhe njerëzore.

Si masa sasiore të pajtueshmërisë ndaj vlerave dhe institucioneve islame, këto indekse ofrojnë bazë diskutimi për reformat, të cilat nuk mund të refuzohen aq lehtë nga ana e udhëheqësve dhe sundimtarëve fetarë.

Indekset shërbejnë si një mënyrë e thjeshtë për njoftimin e jomuslimanëve me Islamin, diçka që është e nevojshme për tu zvogëluar dyshimi dhe për tu luftuar islamofobia dhe ndarja në rritje në mes të Lindjes dhe Perëndimit.

Indekset, të cilat vlerësohen nga viti 2000, përfshijnë 153 vende dhe katër dimensione – dimensionin ekonomik, dimensionin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dimensionin e të drejtave politike dhe njerëzore, pastaj dimensionin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe të gjitha këto dimensione janë të lidhura në dimensionin e pestë i cili e përfaqëson indeksin total.

Sipas rezultateve të fundit të indeksit për vitin 2018, Zelanda e Re është në krye të listës me rezultatet më të mira siç ishte rasti në vitin e kaluar. Pasohet nga Suedia, Holanda, Islanda, Zvicra dhe Irlanda.

Në krye të 20 vendeve të para janë ato nga Evropa Veriore, Zelanda e Re, Kanadaja, Australia dhe Japonia. Me fjalë të tjera, këto vende i ndjekin shumë më mirë rregullat e Islamit në krahasim me vendet ku muslimanët janë shumicë dhe të cilat e predikojnë Islamin si një nga parimet udhëheqëse të qeverisjes.

Pozita e Shqipërisë dhe BeH

Siç ishte rasti në vitin 2017, vendet me shumicë muslimane kanë zhgënjyer në masë të madhe dhe sipas rezultateve të praktikës dhe vlerave të tyre nuk i reflektojnë mësimet islame të Kuranit dhe Hadithit (traditës së pejgamberit Muhamed).

Pesë vendet e pozicionuara më mirë të shteteve me shumicë muslimane janë: EBA në vendin e 45-të, Shqipëria në vendin e 46-të, Malajzia në vendin e 47-të, Katari në vendin e 48-të dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 60-të.

Shumica e këtyre vendeve janë në gjysmën e poshtme të indeksit me Sudanin në vendin e 152-të dhe Jemeni në vendin e 153-të, dmth. në fund.

Derisa rezultatet e këtyre vendeve në indeksin e përgjithshëm janë shumë të këqija, efekti i tyre në Indeksin e të drejtave të njeriut dhe politike është edhe më i keq, ndërsa vendet e  pozicionuara më mirë janë: Shqipëria (43), Bosnja e Hercegovina (50), Republika e Kirgistanit (76), Malajzia (79) dhe Libani (80).

Këto rezultate i ringjallin fjalët e Muhamed Abduhu-së, të shprehura para më shumë se një shekulli: “Shkova në Perëndim dhe pashë Islamin, por jo edhe muslimanët; U ktheva në Lindje dhe i pashë muslimanët, por jo Islamin.”

Prosperiteti ekonomik

Këto indekse nuk i vlerësojnë obligimet personale të muslimanëve (siç janë namazet ditore, agjërimi, etj.) ose përkatësitë fetare. Përkundrazi, ato në vend të kësaj bazohen në qëllimet e Kuranit dhe vëllimin e respektit shoqëror ndaj rekomandimeve kuranore mbi institucionet dhe qeverisjen.

Në komunitetin musliman, i cili i respekton rregullat e Kuranit dhe praktikën e Pejgamberit, duhet të ekzistojë liria politike dhe individuale, nuk duhet të ketë varfëri pranë pasurive ekzistuese, duhet të ketë mundësi të barabarta për vetë-zhvillim (në arsim, shëndetësi, nevojat themelore), prosperitet ekonomik, përgjegjësi të sundimtarëve dhe qeverive, si dhe drejtësi socio-ekonomike.

Është interesante se Bosnja dhe Hercegovina zë një pozicion mjaft të lartë, të paktën në raport me vendet e tjera me shumicë muslimane. Vlerësimet mesatare të indeksit islamik për Bosnje-Hercegovinën janë shumë më të larta se vlerësimet mesatare të vendeve të tjera me shumicë muslimane të përfshira me këtë analizë.

Për më tepër, Bosnja dhe Hercegovina është relativisht më e mirë se mesatarja e vendeve të tjera ku muslimanët janë pakicë në tri dimensione dhe atë, në dimensionin e ekonomisë, të drejtave politke dhe njerëzore, si dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke qenë se Bosnja dhe Hercegovina në kohët e fundit kryesisht ka përfunduar keq në fund të listës së treguesve dhe listave, këto të dhëna – ndonëse janë larg nga të kënaqshmet – janë inkurajuese dhe dërgojnë një imazh pozitiv në botë.

Situata demoralizuese

Megjithatë, në përgjithësi, situata është demoralizuese dhe rezultatet na tregojnë se shtetet me shumicë muslimane, madje edhe ato që e deklarojnë veten si “islame”, janë larg nga esenca e Islamit, dhe kanë nevojë për ndryshime rrënjësore, që gjendja të ndryshohet nga themeli.

Shkurtimisht, nga kjo analizë, konstatohet se përparimi socio-ekonomik i një vendi kërkon zbatimin më të mirë të rregullave të Islamit dhe mësimeve të Kuranit dhe Hadithit. Kjo veçanërisht vlen për vendet me shumicë muslimane.

Ky është recetë për ndërtimin e institucioneve më efektive dhe për përmirësimin e praktikave të tyre të menaxhimit. Vetëm kur këto vende të miratojnë institucione efektive që nënkuptojnë lirinë dhe janë të drejta, të ndershme, ekonomikisht progresive, në përputhje me të drejtat njerëzore dhe politike dhe në përputhje me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë ato me të vërtetë do t’i internacionalizojnë dhe implementojnë standardet e menaxhimit islamik.

Deri atëherë, mund të themi se Zelanda e Re, Suedia, Holanda, Islanda, Zvicra dhe Irlanda janë më shumë islamike dhe shumë më afër parimeve të Islamit sesa të gjitha vendet me shumicë muslimane.

Indekset e plota mund të gjenden në www.islamicityindices.org.

Burimi: Al Jazeera

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike