Televizori dhe agjërimi

Pyetje: A e prish agjërimin shikimi i programeve televizive, filmave dhe serialeve?

Përgjigje nga Dr. Jusuf el-Kardavi

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij, dhe të gjithë ata që e ndjekin atë deri në Ditën e Gjykimit.

Televizioni është një mjet, i cili mund të jetë i mirë dhe i keq, dhe mjetet gjithmonë kanë një qëllim të ekzistimit të tyre. Televizori, radioja dhe gazetat kanë edhe gjëra të mira edhe gjëra të këqija. Muslimani duhet të përfitojë nga gjërat e mira, kurse nga të këqijat duhet të shmanget, pavarësisht a është duke agjëruar apo pa jo… por gjatë agjërimit, muslimani duhet të jetë më i kujdesshëm, në mënyrë që mos ta prishë agjërimin e tij, si dhe mos ta humbasë as mos të privohet nga shpërblimi i Allahut të Plotfuqishëm.

Për shikimin e televizorit, unë nuk them as që është i ndaluar (haram) as që është i lejuar (hallall) në mënyrë absolute. Por duhet të shqyrtohet programi që shikohet në këtë pajisje (TV): nëse është programi i mirë, lejohet shikimi dhe dëgjimi i tij, siç janë bisedat fetare, buletinet e lajmeve dhe emisionet që udhëzojnë për të mirë… Ndërkaq, nëse është programi i keq, si skenat imorale të vallëzimit dhe të ngjashme me to, shikimi i tyre është i ndaluar (haram) në çdo kohë, por ky ndalim përforcohet edhe më shumë në muajin ramazan.

Disa shikime janë të urrejtura (mekruh), edhe pse nuk e arrijnë shkallën e haramit. Secili mjet apo pajisje që pengon nga përkujtimi i Allahut është haram… Edhe shikimi i televizorit, apo dëgjimi i radios, etj., nëse largon nga ndonjëri prej urdhrave të Allahu për robërit e Tij, siç është namazi… në këtë rast, ai është i ndaluar. Ndalohet angazhimi me çdo gjë në dëm të namazit…

Allahu i Plotfuqishëm, kur e arsyeton ndalimin e alkoolit dhe bixhozit, Ai e bën me këtë arsyetim: “Me të vërtetë, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz dëshiron që të fusë në mes jush armiqësi dhe urrejtje dhe t’ju shmangë juve nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerjen e namazit. Prandaj, a doni të shmangeni? (Shmanguni ju nga këto vepra të këqija)!” (el-Maide, 91)

Përgjegjësit e programeve televizive, duhet t’i frikësohen Allahut, për atë se çfarë duhet t’i ofrojnë publikut në çdo kohë, por në veçanti gjatë ramazanit. Ata duhet të kujdesen për ruajtjen e shenjtërisë së muajit të bekuar, duhet tu ndihmojnë njerëzve në bindjen e tyre ndaj Allahut dhe në shtimin e veprave të tyre të mira, në mënyrë që mos ta marrin mbi vete bashkë mëkatin e tyre edhe mëkatin e shikuesve, sikur ata për të cilët Allahu i Plotfuqishëm thotë: “(Këtë e thanë që) t’ju ngarkohen mëkatet e tyre të plota në Ditën e Kiametit, si dhe aq sa kanë bërë mëkate ata që u mashtruan dhe humbën rrugën nga këta – nga padijenia; sa të shëmtuara janë ato (mëkatet) që i bartin ata!” (en-Nahl, 25)

 

https://www.al-qaradawi.net/node/3756

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike