Shënime nga Uzbekistani

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Kryetitulli mund të ishte edhe “Në gjurmët e qytetërimit të humbur”. Mbase do të ishte më i përshtatshëm. Por nuk mund të quhej “Iluminizmi i humbur” si në studimet e Frederick Starr, apo ashtu siç kërkohet kohët e fundit në Maturidi ose Turkistan. Sepse Iluminizmi (ndriçimi) është një koncept që e shkëput Perëndimin nga tradita e tij, nuk njeh asnjë racionalizëm tjetër përveç udhëzimit të mendjes ose një hartë rrugore që e sjell Perëndimin në ditët e sotme. Edhe dy luftërat botërore më të përgjakshme, me të cilat është përballur njerëzimi, janë pjellë e këtij ndriçimi. Por ‘qytetërimi i humbur’ që ne kërkojmë është një hartë tjetër rrugore që nuk shfrytëzon dhe që në bosht ka drejtësinë.

Në këtë program do të flas për vizitën time në Uzbekistan. Javën e kaluar ishim në Uzbekistan me rastin e simpoziumit të zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Qendrës së Mendimit dhe Kërkimeve në Ankara (ADAM), Universitetit “Sabahattin Zaim” dhe Universitetit Kombëtar të Uzbekistanit.

Kur njeriu shkon në tokat ku kanë jetuar të parët e tij para 1 mijë vjetësh e ndjen veten sikur ka marrë një ftesë prej stërgjyshërve e stërgjysheve. Shkon me pak dhimbje të shkaktuar nga ndarja 1 mijë vjeçare, me pak mall dhe pak kureshtje.

Para se të shkoja desha të lexoj pak për rajonin. Por në veçanti për Uzbekistanin dhe në përgjithësi për Azinë Qendrore punimet shkencore kujtimet dhe shënimet e udhëtimeve në turqisht janë aq të kufizuara saqë të duket se nuk po bëni një kërkim paraprak për atdheun e të parëve, por për Meksikën. Edhe shumica e burimeve nuk ekziston në libraritë e Ankarasë. Por në anglisht ka aq shumë studime (punime), duke filluar nga “A Historical Atlas of Central Asia” e Yuri Bregel.

Turkistani

Ata që kanë vetëdije historike në Turqi dhe Uzbekistan theksojnë shpesh se hapësira e gjerë gjeografike që sot quhet Republikat Turke në të shkuarën quhej Turkistan. Pas pushtimit sovjetik, sovjetikët bënë emërtime të ndryshme për të copëtuar këtë rajon. Dhe më pas edhe shprehja Turkistan u harrua në një masë të gjerë në këtë hapësirë gjeografike, për fat të keq u bë që të harrohet.

Ne si turq u njohëm me botën turke në periudhën e të ndjerit Ozall, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Kujtimi i njërit nga pjesëmarrësit gjatë këtij udhëtimi tregon se sa e rëndë ka qenë situata. “Përpara periudhës së Ozallit në një dokumentar të japonezëve për Rrugën e Mëndafshit, ku tregohej jeta e kazakëve, kirgizëve dhe uzbekëve, u çudita shumë kur pashë njerëz që falnin namazin e merrnin avdes. Me ndikimin edhe të arsimit që kishim marrë (në Turqi), unë kujtoja se këto shoqëri kishin ekzistuar në një periudhë të historisë, por me kalimin e kohës ishin zhdukur. Por në të vërtetë këto shoqëri ekzistonin akoma dhe vazhdonin të jetonin”.

Padyshim që të njohësh të shkuarën dhe të dish ato që janë jetuar është shumë e rëndësishme. Po pra shprehja Turkistan në të kaluarën përdorej për të shprehur hapësirën gjeografike, ku jetonin këto shoqëri në të kaluarën, në mënyrë që të përfshijë edhe rajonin që sot njihet si Turkistani Lindor. Por megjithëkëtë, nënvizimi i vazhdueshëm i kësaj gjendjeje nuk na çon neve më përpara. Një diçka e tillë nuk ka ndodhur vetëm në Bashkimin Sovjetik. Në procesin e krijimit të shtet-kombeve në një farë mënyre këto copëtime kanë ndodhur në të gjitha vendet. Duhet të themi se në rajonin, ku njëherë e një kohë cilësohej si hapësira gjeografike osmane, sot ka 52 shtete. Pas gjithë atyre proceseve që janë jetuar, në vend që të vajtohet, duhet fokusuar në mënyrën se si mund të zhvillohen marrëdhëniet e shumanshme. Ajo që ka kuptim sot është të bëjmë përpjekje për ti parë bashkëjetesat historike si mundësi bashkëpunimi të shumanshëm, ashtu siç kanë bërë anglezët me Komonuelthin (Common Wealth) dhe francezët me Komunitetin e Vendeve Frankofone.

Arkitektura

Me të zbritur në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit na pret një shi që bie trishtueshëm dhe një ditë e ëmbël pranvere. Më kaplon një ndjenjë që të parët tanë na presin me sy të përlotur me ndjenjat e ndarjes një mijë vjeçare dhe ribashkimit.

Duke shkuar nga aeroporti në hotel dhe përgjatë gjithë udhëtimit në Tashkent, Semerkant dhe Buhara gjëja e parë që të bie në sy është se Uzbekistani është një vend shumë i gjelbër. Menjëherë në sy të bien rrugët e gjera, pemët e larta, parqet dhe struktura historike e mbrojtur shumë mirë.

Nuk do ta ekzagjeroja nëse them se në pothuajse të gjitha vendet që shëtita nuk pashë ndërtesa që e kalonin lartësinë e pemëve. Zonat historike të Tashkentit, Semerkantit, Buharas ishin si një muze i hapur në natyrë. Nuk kishte asnjë strukturë që të bezdis, të shqetëson ose të vret sytë. Kur njeriu e sheh këtë e kupton edhe më mirë se çfarë ka humbur në Turqi.

Ndërtesat uniformë, të ftohta, pa stil dhe pashpirt që kanë mbetur nga periudha sovjetike, të cilat ne i pamë vende-vende, krijojnë një panoramë shqetësuese dhe prish strukturën tradicionale të vendit. Por kjo pamje po ndryshon me ndërtimet e reja. Ndërtesat e reja janë në përshtatje me strukturat historike, saqë në pamje të parë nuk kuptohen nëse këto ndërtesa janë të reja apo historike.

Shkenca dhe qytetërimi

Në Uzbekistan padyshim që ajo që të pëlqen më shumë janë medresetë. Kur sheh se sa shumë rëndësi i është dhënë arsimit, shkencës, kulturës dhe qytetërimit në këto toka gjatë në shekullin e 15-të dhe sa shumë rrugë është përshkuar, atëherë njerëzve si puna jonë, që mendojnë se arsimi dhe zhvillimet shkencore kanë të bëjnë vetëm me Perëndimin, sytë sa vjen dhe hapen akoma edhe më shumë. Kur pamë Medresenë Kukeldash të mbetur nga shekulli i 16-të, Profesor Doktor Mehmet Emin Goktash na thotë: “Në Perëndimin e Shekullit të 16-të nuk ka një ndërtesë arsimi kaq madhështore, kaq të pajisur dhe me kapacitet”.

Kur sheh Sheshin e mahnitshëm “Registan” në Semerkant, të vjen të rrish atje me ditë të tëra e të sodisësh këtë pamje të mrekullueshme. Në vitin 2001 sheshi u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të Kulturës nga ana e UNESCO-s. Në të vërtetë sheshi përbëhet nga Kompleksi dhe medresetë “Ulug Bej”, “Shirdor” dhe “Tilkari”. Medreseja “Ulug Bey” u ndërtua në vitin 1420 nga Sulltani i 4-t i Perandorisë së Timurit, Astronomi Ulug Bej. Kjo medrese, ku ka dhënë mësim matematike dhe astronomie edhe Ulug Bej, shihet si një nga universitetet më të rëndësishme të asaj epoke. Madhësia dhe arkitektura e të tria medreseve është shumë spikatëse nga aspekti i rëndësisë që i jepej arsimit dhe shkencës në atë kohë. Nga qindra medrese në Uzbekistan, vetëm në medresenë Kukeldash në Tashkent dhe Mir Arap në Buhara vazhdon të jepet mësim. Sigurisht që bashkë me këtë njeriu brengoset, por kur e di se në asnjë prej medreseve në Turqi nuk jepet mësim atëherë brengosest edhe më shumë.

Kurse universitete historike si Oxfordi, Harvardi vazhdojnë mësimdhënien në ndërtesa historike. Për të mos humbur vazhdimësisë, traditën, historinë dhe vetëdijen e një qytetërimi rrënjësor, ashtu si në Perëndim, edhe në Uzbekistan dhe Turqi ndërtesat e medreseve duhet të ndërlidhen më shumë me universitetet dhe të paktën një pjesë e tyre duhet t’i përfitohen përsëri sistemit arsimor.

Si merr fund në mënyrë tragjike jeta e matematikanit dhe astronomit më të rëndësishëm të epokës, Ulug Bej, i cili ka lënë shumë vepra dhe ka bërë shumë zbulime në Azinë Qendrore? Këtë do e shpjegojmë javën e ardhshme së bashku me përshtypjet e tjera nga udhëtimi në Uzbekistan.

“Pavarësisht se në shekullin e 15-të dhe të 16-të shënoi zhvillime gjigande në fusha të ndryshme si shkencë, arsim, kulturë e civilizim, përse nuk vazhduan këto zhvillime në Uzbekistan? Përse bota turke dhe islame në shekujt e mëtejshëm ra shumë larg këtij mentaliteti të ndritur?”

Rëndësia e shkencës, historisë, politikës ose stabilitetit politik

“Emiri Timur” ka një domethënie shumë të madhe për uzbekët. Uzbekistanit mund ti thuhet edhe vendi i Timurit. Gjatë periudhës së sundimit të tij, Ai ka thirrur në vend shumë shkencëtarë dhe dijetarë. Shumë vepra historike, që gjenden sot në Buhara, Semerkant janë ndërtuar gjatë periudhës së Timurit. Kryetari i parë i Shtetit të Uzbekistanit, Islam Kerimov ka preferuar të nxjerrë në plan të parë veprat e ndërtuara në periudhën e Timurit dhe jo në periudhën e tij.  Kufijtë e këtij shteti, gjatë periudhës së Timurit shtriheshin nga Izmiri deri në Indi. Ndërkohë që Timuri e fuste Perandorinë Osmane në intervalin ndërmjet dy mbretërive, merrte fund periudha e Shtetit të Ushtrisë së Artë (Altınordu-Golden Horde). Por në mungesë të mekanizmit të shtetit që do të udhëhiqte një hapësirë kaq të gjerë gjeografike, me vdekjen e tij në vitin 1405, filloi edhe shpërbërja e shtetit. Perandoria Osmane, duke e mbledhur veten në një kohë të shkurtër, vazhdoi rrugën duke u rinovuar. Por hapësira e zbrazët e mbetur në tokat e Shtetit të Ushtrisë së Artë u mbushën nga rusët. Timuri kritikohet se për shkak të boshllëkut që krijoi u bë shkak për lindjen e Perandorisë Ruse.

Pavarësisht se gjatë periudhës së Timurit dhe pas tij u bënë punime shkencore gjigande, shohim se më pas këto hapa nuk vazhduan. Një arsye shumë e rëndësishme për këtë është stabiliteti politik. Nëse nuk ka stabilitet politik, shkenca, arsimi, arti, kultura, civilizimi nuk mund të jenë të përhershme. Shembullin shumë të qartë të kësaj gjendjeje e shohim në historinë e nipit të Timurit, Ulug Bey.  Pavarësisht se ishte Kryetar Shteti, një nga dijetarët më të njohur të epokës dhe astronom, i biri ngre krye ndaj tij. Kur mundet nga i biri ai dorëzohet. Ai bën të ditur se heq dorë nga punët e fronit dhe kërkon të shkojë në haxhë (peligrinazh). Ai lejohet, por me të dalë nga Semerkanti vritet me urdhrin e të birit. Pas disa muajsh edhe i biri vritet nga ushtarët e vet. Brenda kësaj paqartësie dhe pasigurie asgjë nuk është e mundur që të qëndrojë e përhershme. Një shkak i rëndësishëm i pyetjes në fillim të programit është stabiliteti politik. Rëndësia që Ehli Synet i jep stabilitetit politik kuptohet akoma edhe më mirë me Uzbekistanin. Sepse nëse nuk ka shtet, më pas nuk mbet asgjë. Edhe arsyeja për qëndrimin më të përhershëm të shtetit dhe institucioneve osmane është përsëri stabiliteti politik.

FETO

Uzbekistani e kuptoi më herët se Turqia se FETO (organizata terroriste gyleniste) ishte një kërcënim i madh. Uzbekistani në vitin 1999 mbylli tërësisht shkollat e FETO-s. Mësuesit, që i akuzoi për spiunazh i deportoi. Bëhet e ditur se tentativa e grushtshtetit të FETO-s që u kërkua të bëhet në Turqi më 15 korrik 2016 ishte provuar në Uzbekistan dhe kishte dështuar. Dëmin e shkaktuar nga FETO në marrëdhëniet Turqi-Uzbekistan e kuptojmë më mirë si nga koncepti i Uzbekistanit në botën e memories tonë, edhe nga ato që dëgjojmë atje.

Buhari, Shah Nakshbandi, Maturidi

Padyshim që një artikull për Uzbekistanin nuk mund të shkruhet pa Buharin, Nakshbandin, Maturidin. Këto emra që përbëjnë rrënjët e kuptimit të Islamit, që pengon radikalizmin dhe tjetërsimin në botën e sotme, do të jenë temë e një programi tjetër. Tani për tani të bëjmë të ditur se uzbekët tregojnë një interes të madh për tyrbet e këtyre emrave.

Turqishtja dhe bota turke

Komunikimi ndërmjet shteteve që flasin turqisht faktikisht nuk është i vështirë për të rritur të kuptuarit. Tre hapa themelore do të lehtësojnë edhe më shumë që të kuptohemi mes nesh. E para, kalimi në alfabetin latin. Uzbekistani ka kaluar në germat latine. Edhe Kazakistani dhe Azerbajxhani. Por në këto vende në disa rajone vazhdon të përdoret alfabeti cirilik. Me kalimin në alfabetin latin do të lehtësohet kuptimi i teksteve të shkruara. E dyta, përdorimi edhe më shumë i fjalëve të shekujve më parë. Në shekullin e fundit, turqit e Turqisë janë ndikuar së tepërmi nga anglishtja dhe frëngjishtja ndërsa të tjerët nga rusishtja. Të gjithë së bashku, nëse do të flisnim gjuhën e gjyshërve tanë do të kuptoheshim shumë më lehtë me njëri-tjetrin. E folura dhe e veshura e të moshuarve në Uzbekistan ngjan aq shumë me gjyshërit dhe gjyshet e mia, aq sa mu duk se kisha shkuar për vizitë tek ata. E treta, turqishtja e Turqisë lexohet siç shkruhet, shkruhet si lexohet. Kjo siguron një lehtësi në gjuhë. Një përpjekje e tillë edhe tek gjuhët e tjera do të lehtësojë edhe më shumë të kuptuarën.  Nëse aktualisht dini pak turqisht të vjetër atëherë nuk është vështirë për t’u kuptuar.

Hapja e filialeve të universiteteve turke

Të gjithë ata që kemi takuar theksojnë se universitetet turke duhet të hapin urgjentisht filiale në Uzbekistan. Shprehen se Putini ka “zbarkuar” me 150 rektorë. Universitetet Perëndimore kanë hapur filialet e tyre prej kohësh. Nëse ka pengesë përpara hapjes së degëve të universiteteve turke në Uzbekistan, duhen hequr menjëherë. Duhen inkurajuar urgjentisht hapjet e filialeve në Uzbekistan të universiteteve të caktuara që do të përzgjidhen. Në një kohë që Rusia dhe vendet e Perëndimit kanë përshkuar një rrugë të gjatë në këtë temë, nuk duhet humbur më shumë kohë.

Turqia e dytë   

Ajo që pashë në Uzbekistan, në të vërtetë është një Turqi e dytë. Njeriu mbushet me lumturi dhe paqe aq sa sikur të zbulojë në Turqi të dytë. Ose mbase nga që atje është toka e të parëve tanë mund të thuhet për Turqinë një Uzbekistan i dytë.

Një Turqi ku kodet e inteligjencës kanë marrë formë në Perëndim  

Para se të shkoja bëra një punë grupi me studentët uzbekë. Studentët u shprehën se njerëzit në Turqi janë shumë më të ndjeshëm ndaj Perëndimit dhe pothuajse shpërfillin zhvillimet në Lindje.

Me ndikimin e thellë që na la Buhara dhe Semerkanti, në kthim e kuptova më mirë se çfarë donin të thoshin studentët. Një pamje e thjeshtë se “Sa e pasqyron media botën turke?” e shpjegon gjendjen. Në programet e sportit, artit, letërsisë pothuajse nuk flitet për botën turke. Le të pyesim veten, ndërkohë që nga Perëndimi njohim shumë sporte dhe sportistë, sa njohim nga bota turke dhe islame? Ndërkohë që në televizionin me kanale satelitore (kabllor) ka shumë kanale televizive të vendeve perëndimore, nga bota turke ka aq pak saqë mund të themi se s’ka pothuajse fare.

Ky interes i pamjaftueshëm ndaj atdheut të të parëve njeriun e brengos. Kurse me gjëra shumë të thjeshta mund ta përfshijmë botën turke dhe islame në rendin tonë të ditës. Po sikur në bazë të “Këshillit (Keneshit) Turk” të organizohen çdo vit gara për të përcaktuar kampionin e kampionëve të klubeve kampione të botës turke? Po sikur këtë ta bënim edhe në bazë të Organizatës së Bashkëpunimit Islam? Madje edhe këto aktivitete të tilla simbolike do të krijojnë së tepërmi interes dhe informacion.

Formimi i fushës së përfshirjes së botës sonë të inteligjencës vetëm me Perëndimin e zvogëlon Turqinë. Një Turqi e shkëputur nga rrënjët e saj historike, pikë së pari bën që ajo të humbë shumë gjera nga vetja. Një Turqi e tillë, edhe nëse hyn në BE, e ul veten në nivelin e një vendi të çfarëdoshëm të Bashkimit Evropian. Turqia do ta gjente vetveten sikur të merrte në rendin e saj të ditës edhe botën turke dhe islame dhe Afrikën, aq sa krijon marrëdhënie me Perëndimin. Vetëm një Turqi e tillë mund të përmbushë misionin dhe i jep më shumë kontribut me në krye vetes, rajonit dhe botës.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara (TRT)

 

 

Nga e njëjta rubrike