Si e kalonin ramazanin të parët tanë të devotshëm

Ne do të duhej ta shikonim shembullin e Pejgamberit (savs), të shokëve të tij dhe të brezave  të parë të muslimanëve, nëse duam të nxjerrim dobi maksimale nga ky muaj i bekuar. Pejgamberi (savs), ka thënë: “Brezi më i mirë është brezi im, pastaj ai që pason, dhe pastaj ai që pason.” (Buhariu dhe Muslimi)

Do t’i kushtojmë vëmendje disa gjërave që paraardhësit e drejtë u kanë kushtuar vëmendje të veçantë gjatë muajit ramazan:

Leximi i Kuranit

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Muaji ramazan është ai në të cilin filloi të shpallet Kurani.” (El-Bekare, 185)

Për shkak të fillimit të shpalljes së Kuranit në muajin ramazan, paraardhësit e drejtë e kanë shtuar leximin e Kuranit. Ibrahim el-Nehai thotë: “El-Esved bin Jezid, e kishte bërë zakon që ta lexojë tërë Kuranin çdo të dytën natë në ramazan. Ai flinte midis akshamit dhe jacisë. Jashtë ramazanit, ai e përfundonte leximin e Kuranit çdo 6 net.”

Abdulmelik bin Ebi Sulejman transmeton se Seid bin Xhubejr gjithashtu e lexonte tërë Kuranin çdo dy net të ramazanit.

Gjithashtu tregohet se El-Velidi normalisht e lexonte Kuranin çdo tre net, kurse në ramazan ai e lexonte tërë Kuranin 17 herë.

Selam bin Ebi Mutië transmeton se Katade e kishte zakon për 7 ditë ta lexojë tërë Kuranin, por në ramazan ai këtë e bënte çdo tri ditë, ndërsa në 10 netët e fundit e lexonte për çdo natë tërë Kuranin.

El-Kasim bin Ali e përshkruan babanë e tij – Ibn Asakir, autorin e famshëm të ‘Historisë së Damaskut’: “Ai gjithmonë falej me xhemat dhe ishte i vazhdueshëm në leximin e Kuranit. Të premten e lexonte tërë Kuranin. Mirëpo, në ramazan, ai këtë e bënte çdo ditë dhe tërhiqej në minaren lindore të xhamisë.”

El-Dhehebiu në lidhje me Ebu Berekat Hibahallah bin Mahfudh shkruan: “Ai ka studiuar të drejtën islame dhe ka lexuar Kuran. Ishte i njohur për bamirësi dhe për vepra të mira. Gjatë muajit ramazan, ai e lexonte tërë Kuranin 30 herë.”

Falja e namazit të natës

El-Sa’ib bin Jezid ka transmetuar: “Omer bin el-Hattabi i urdhëroi Ubej bin Ka’bit dhe Temim el-Dari’ut që ta bëjnë detyrën e imamit gjatë ramazanit. Secili prej tyre lexonte nga 1000 ajete në një kijam (rekat), ndërsa ne duhej të mbështetemi në shkopinj për shkak të qëndrimit të gjatë. Namazin e kryenim vetëm para agimit.” (Musannaf Abdul- Rrezzak, 7730 dhe Sunen el-Bejheki, 4392)

Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit, tregon se e ka dëgjuar babanë e tij duke thënë: “Kur i përfundonim namazet në ramazan, shërbëtorët duhej të nxitonin për ta përgatitur ushqimin nga frika e fillimit të agimit.” (El-Muvatta ‘, 254)

Abdul-Rrahman bin Hurmuz transmeton: “Imamët e përfundonin leximin e sures el-Bekare në 8 rekate. Nëse imamët e lexonin për 12 rekate, njerëzit këtë e konsideronin si përpjekje të imamit për t’ua lehtësuar.” (Musannaf i Abdul-Rrezakut, 7734, Sunen el-Bejheki, 4401).

Nafiu tregon se Ibn Omeri e kishte zakon të falej në shtëpinë e tij gjatë ramazanit. Kur njerëzit dilnin nga xhamia, ai shkonte në xhaminë e Pejgamberit, duke mbajtur me vete një shishe me ujë dhe nuk dilte nga xhamia deri pas sabahut. (Sunen el-Bejheki, 4384)

Imran bin Hudejr transmeton se Ebu Mixhlaz ua falte njerëzve namazin gjatë ramazanit në lagje. Ai e lexonte tërë Kuranin në namaz për 7 ditë. (Musannaf Ibn Ebi Shejbe)

Bujaria në sadakë

Ibn Abbasi thotë: “Pejgamberi (savs), ishte njeriu më bujar, dhe ishte më bujari në muajin ramazan kur Xhibrili vinte tek ai. Ai i vinte çdo natë të ramazanit për t’ia mësuar Kuranin, ashtu që Pejgamberi (savs), bëhej më i butë se flladi i lehtë në bërjen e veprave të mira.” (Sahihul-Buhari, 1902 dhe Sahihu Muslim, 2308)

El-Muhal-lebi lidhur me këtë hadith thekson vërejtjen e mëposhtme: “Kjo tregon begatitë e veprave të mira, dhe se bërja e veprave të mira ua hap derën të tjerëve. Bërja e veprave të mira ndihmon në veprimin e mëtejshëm të veprave të tjera të mira. Këtu ne mund të shohim se begatia e agjërimit dhe takimi me Xhibrilin ia kanë shtuar bujarinë dhe mëshirën e Pejgamberit (savs), duke u bërë më i butë sesa flladi i lehtë.” (Ibn Battal, Komentimi i Sahihul –Buhariut, 4 / 22-23)

El-Zejn bin el-Munir e shpjegon krahasimin me flladin e lehtë në mënyrën e mëposhtme: “Bujaria dhe sjellja e tij e mirë ndaj të varfërve të nevojshmëve – si dhe ata që kanë mjete të mjaftueshme – janë si një lehtësim të cilin e sjell flladi i lehtë.” (El-Askalani, Fet’hul-Bari, 4/139)

El-Shafiu ka thënë: “Është e dëshirueshme të rritet dhënia gjatë muajit ramazan. Kjo është pasim i shembullit të Pejgamberit (savs). Gjithashtu duhet të merren parasysh njerëzit me nevoja dhe mirëqenia e tyre, sepse ka një numër të madh të atyre që janë të preokupuar me agjërim dhe namaz dhe janë të penguar për të fituar për jetesë.”

Ibn Omeri gjithmonë bënte iftar me të varfrit. Sa herë që dikush i vinte derisa ishte duke ngrënë dhe i kërkonte diçka, Ibn Omeri merrte nga ushqimi aq sa mendonte se kishte nevojë, pastaj ngrihej dhe e linte ushqimin. Më pas krejt atë që kishte ia jepte familjes, ndërsa vetë agjëronte me atë që kishte ngrënë natën e kaluar. (Lata’iful -Ma’rif, 314)

Junuz bin Jezid transmeton se gjatë muajit ramazan, Ibn Shibabi merrej ekskluzivisht me lexim të Kuranit dhe me ushqimin e të varfërve.

Hammad bin Ebi Sulejman merrte mbi vete obligim për të ushqyer 500 njerëz gjatë muajit ramazan, dhe pastaj, në ditën e bajramit secilit prej tyre i jepte nga 100 monedha argjendi.

Ruajtja e gjuhës

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen.” (Sahihul-Buhari, 1903)

El-Muhal-leb për këtë hadith jep këtë komentim: “Kjo tregon se agjërimi nënkupton braktisjen e fjalëve të turpshme dhe gënjeshtrës, ashtu siç nënkuptohet braktisja e ushqimit dhe pijes. Një person i cili përdor fjalë të rreme ose të pahijshme, e zbeh vlerën e agjërimit të tij, e ekspozon veten në pakënaqësinë e Zotit dhe mundësinë e refuzimit të agjërimit të tij.” (Ibn Battal, Komentimi i Sahihul-Buhariut, 23/4)

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nëse dikush prej jush agjëron, duhet të shmanget nga fjalët e turpshme dhe sjellja e keqe. Nëse dikush fillon ta fyejë ose të luftoj me të, le t’i përgjigjet: “Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm”. (Sahihu Muslim, 1151)

El-Mazari në lidhje me këtë hadith thotë: “Është e mundur që është rekomanduar të thuhet: “Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm” vetëm për ta kujtuar, ashtu që të përmbahet nga pjesëmarrja në fyerje.”

Omer bin el-Hattabi ka thënë: “Personi nuk agjëron vetëm nga ushqim dhe pija, por edhe nga gënjeshtra, mashtrimi, fjalët e kota dhe fyerja.” (Musannaf Ibn Ebu Shejbe, 8882)

Ali bin Ebi Talibi ka thënë: “Nuk është agjërimi vetëm përmbajtja nga ushqimi dhe pija, por edhe përmbajtja nga gënjeshtra, e pa vërteta dhe gjërat e kota.” (Musannaf Ibn Ebu Shejbe, 8884))

Talk bin Kajs transmeton se Ebu Dherri ka thënë: “Kur të agjëroni, kujdesuni sa të mundeni.” Kurse për Talk bin Kajsin transmetohet se kur agjëronte, nga shtëpia dilte vetëm në xhami për namaz.” (Musannaf Ibn Ebu Shejbe, 8878)

Xhabir bin Abdullahu ka thënë: “Kur të agjëroni, duhet të agjërojë gjithashtu edhe dëgjimi juaj, shikimi juaj dhe gjuha juaj – duke u shmangur nga gënjeshtra dhe mëkatet. Nuk duhet t’i fyeni shërbëtorët tuaj. Duhet të jeni të qetë dhe dinjitoz kur agjëroni. Dita kur agjëroni mos të jetë si ditë e zakonshme.” (Musannaf Ibn Ebu Shejbe, 8880)

Transmeton Ata’ se Ebu Hurejre ka thënë: “Kur të agjëroni, mos u sillni si injorantë dhe mos i fyeni njerëzit. Nëse dikush sillet ndaj jush si injorant, thoni: “Unë jam agjërueshëm.” (Musannaf Ebul-Rrezzak, 7456)

Muxhahidi ka thënë: “Nëse ju shmangni dy gjërave, agjërimi juaj është i rregullt. Duhet të shmangeni nga përgojimi dhe gënjeshtra.”

Ebu el-Ali ka thënë: “Personi që agjëron është në ibadet derisa ta përgojojë dikend.”

Selman el-Auda; IslamBosna.ba.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike