Begatitë e ramazanit dhe prioritetet e muslimanit (2)

Ti je i guximshëm që për veten tënde ke mendim të lartë, unë do të thosha, mendim mjaft arrogant. Madje ata dalin para xhamisë dhe bisedojnë, derisa të tjerët falen, sepse, kinse ne nuk dimë, dhe ne jemi gabim. Ata thonë për neve, se ne jemi novatorë (bidatçi). Atëherë, sipas kësaj, edhe hz. Omeri është novator (bidatçi). Uh, uh, uh, çfarë guximi! Dhe, mos i shtyni njerëzit në xhehenem, kurse vetveten në xhenet! Ta dini se këtë kompetencë e ka vetëm Allahu i Plotfuqishëm.

Le të përpiqemi t’i sjellim në xhami ata që fare nuk falen, dhe ta ndalojmë dëbimin nga xhamia të atyre që tashmë janë në të. Shikoni në kohën e teravisë, a është më shumë rinia jonë nëpër xhami apo nëpër kafene! Për fat të keq, përgjigjja është e qartë.

A ka ndonjë tjetër që guxon të mendojë se hz. Omeri ishte novator, për shkak se i ka falur teravinë me 20 dhe jo me 8 rekate?

Ose, a mund të pretendojë dikush se e do Allahun e Plotfuqishëm dhe Pejgamberin e Tij më shumë se hz. Omeri?

Allah, Allah! Uniteti i muslimanëve në përgjithësi, dhe veçanërisht në këto troje, është farz i të gjitha farzeve, dhe farzi gjithmonë ka përparësi ndaj sunetit. Armiqtë tanë gëzohen për mos unitetin tonë dhe mezi presin që ne ta sulmojmë njëri-tjetrin.

Dhe një ditë, do të bëhemi mizorë, ashtu si në Siri, nëse njëri-tjetrin e përbuzim dhe nëse e konsiderojmë njëri-tjetrin injorant dhe novator. Kinse është rregulli i artë që VETËM UNË KAM TË DREJTË!! (…)

Vëllezër të dashur!

Për neve ka çështje me rëndësi më parësore, sesa numri i rekateve të teravisë, gjatësia e pantallonave dhe mjekrës. Salahudin Ejubi nuk ishte i preokupuar me çështje të tilla kur ishte duke u përgatitur për ta çliruar Kudsin. Ai nuk jetonte me luks si sundimtarët muslimanë të sotëm, ai buzëqeshi vetëm kur e çliroi Kudsin!

Allahu ekber! Udhëheqësit muslimanë sot janë kundër njerëzve të cilët mendojnë si Salahudini, dhe dijetarët e tyre dhe neve na angazhojnë me diskutime për pantallonat, për ​​mjekrat, me lloje të ndryshme të fetvave, me numrin e rekateve të teravihve, me mukabele, me atë se a janë të lejuara gratë të shkojnë në xhami apo jo, etj. Absurd mbi absurde!

Pastaj, fillojnë të bëjnë lutje dhe të qajnë! Allah, Allah! Vajtimet dhe lutjet e tilla më zemërojnë, të më falë Allahu dhe të mos keqkuptohem.

Një ditë, qytetin tonë e goditi një stuhi e tmerrshme, e kaploi stuhia dhe rrufeja gjuajti si kurrë më parë. Thonë se kishin kënduar shumë ezanë, kurse një hafëz, kishte thënë: “Unë nuk desha të lexoj, më vinte turp nga Allahu!”

Sigurisht! Sepse muslimani, besimtari, duhet të jetë njeri gjithmonë, jo vetëm kur ka bubullimë, vetëtimë, ose kur përmbytet anija, kur rrëzohet avioni, kur nuk ka asnjë ndihmë përveç asaj të Allahut, etj. Mos të flasim tregime rreth presidentit Tramp dhe të ngjashmit me të, por të merremi me veten tonë, t’i kthehemi së pari vetvetes. Le të shikojmë në sekretet e shpirtrave tanë dhe ta largojmë pluhurin prej tyre.

Le t’i kemi parasysh fjalët e Pejgamberit tonë të dashur: “Askush prej jush nuk do të besojë derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që e dëshiron për vete.” Kjo është pra. Ky duhet të jetë qëllimi ynë. Ky është prioriteti ynë. Dashuria dhe uniteti i rreshtave.

Për fat të keq, gjithnjë e më pak ka dashuri, kurse gjithnjë e më shumë urrejtje. Muslimanët shpenzojnë miliarda dollarë për rrënimin e qeverive legjitime, mbështesin grusht shtetet ushtarake, i rrënojnë qytetet, përndiqen muslimanët e pafajshëm, vendoset hendeku i pakalueshëm mes sunive dhe shiitëve, diskutohen çështje të parëndësishëm dhe margjinale të jetës, dhe çka nuk do të shpiket deri nesër! Sepse, për hir të Zotit, është bërë më e rëndësishme kjo botë kalimtare dhe jo bota tjetër e përjetshme!

Nga ana tjetër, të tjerët po e pushtojnë universin dhe nga atje mund të regjistrojnë dhe të shohin gjithçka që ne bëjmë dhe flasim. CIA dhe agjencitë e tjera të zbulimit tani i kanë agjentët e tyre pa pagesë dhe vullnetarë në të gjitha shtëpinë tona, ndërsa bota muslimane, për fat të keq, është në gjumin e ariut polar. Njerëzit punojnë, planifikojnë, kanë strategji, kurse ne vetëm bëjmë lutje. Këtë e ka konfirmuar edhe shkencëtari i njohur dhe rektori i Al-Azharit Muhamed Abduhu, të cilin, pas vizitës në Evropë, kur e kishin pyetur për mendimin e tij, ai kishte thënë: “Unë atje e pashë Islamin pa muslimanë, kurse këtu unë po i shoh muslimanët pa Islam.”

Unë me të vërtetë ua kam zili atyre, sepse ata na e kanë rrëmbyer dhe e kanë aplikuar Islamin, kurse muslimanët kanë hequr dorë prej tij. Ata e kanë lëshuar atë me vetë dëshirë, prandaj edhe janë aty ku janë. Ata janë vetëm muslimanë deklarativ dhe ekspozues. Ata janë në një luginë, kurse Islami në një tjetër.

Rezultatet e një studimi shkencor tregojnë se vendet të cilat e zbatojnë sheriatin më së miri janë Zelanda e Re, e dyta është Japonia, kurse vetëm rreth vendit 150, është Arabia Saudite!!! Çdo koment është i tepërt.

Dhe, shumë faleminderit atyre që e pranojnë Islamin, edhe pse nuk e kanë modelin e duhur tek muslimanët. Dhe kjo është, përsëri, e vërteta më e madhe se Islami është fe e vërtetë.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na udhëzojë, të na i ndriçojë mendjet tona, të na shtojë imanin dhe zemrat tona të na i bëjë të lidhura me Kuranin dhe sunetin autentik. Pranoje lutjen tonë, o Zoti i botëve! Amin!

Abdullah Hodžić; http://www.islamskazajednica.ba//

Përshtati: Miftar Ajdini

(islampress)

 

 

Nga e njëjta rubrike