Asgjë nuk i shkatërron më shpejt begatitë, sesa mosfalënderimi ndaj Allahut

Në veprën e tij kapitale El-Me’âli, autori Ebu Ali, ka regjistruar transmetimin e mposhtëm:

“Halifi abasid Ebu Xhafer el-Mensuri një herë kishte ngrënë drekë bashkë me kushëririn e tij Ibrahimin, i cili gjatë ngrënies e kishte marrë një kafshatë të ushqimit dhe e kishte vënë në skaj të tryezës. Kur e sheh këtë, Ebu Xhafer el-Mensuri e pyet: “Pse e hodhe atë kafshatë?” Ibrahimi ishte përgjigjur: “Në të është një qime floku.” Atëherë Ebu Xhafer el-Mensuri e kishte marrë kafshatën, ia kishte larguar qimen dhe e kishte ngrënë, më pas i kishte thënë kushëririt të tij Ibrahimit: ‘Të paska prishur bollëku.’”

Kur e kam lexuar këtë tregim, menjëherë më kanë ra ndër mend grumbujt e ushqimit të cilët hidhen çdo ditë në mbeturina. Këto skena janë për shkak të cilave njeriu duhet të frikësohet, sepse skenat e tilla më së miri flasin për mosmirënjohjen njerëzore ndaj begative të Allahut. Asgjë më shpejtë nuk i shkatërron begatitë, sesa injorimi i tyre dhe mosmirënjohja ndaj Allahut, dhe anasjelltas, asgjë më mirë nuk i ruan begatitë sesa falënderimi ndaj Allahut, për të cilën aludon edhe ky ajet:

لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ ۖ وَلَئِن كَفَرْتُمْ إِنَّ عَذَابِي لَشَدِيدٌ ﴿٧

“Nëse bëheni mirënjohës, Unë, me siguri, do t’ju jap edhe më shumë; e nëse bëheni mohues, (do të dënoheni). Me të vërtetë, dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim, 7)

Ka dy lloje të falënderimit ndaj Allahut për begatitë:

(1) Falënderimi me gjuhë dhe (2) falënderimi me organet tjera.

(1) Falënderimi me gjuhë pasqyrohet në shqiptimin e fjalëve: “El-hamdu lil-lah” (Falënderimi qoftë për Allahun) – si dhe në falënderimin ndaj Allahut për bujarinë e Tij për neve, që nuk na i ka mohuar begatitë të cilat i janë mohuar një shumice!

(2) Falënderimi i organeve të tjera nënkupton përpjekjen e tyre të vazhdueshme dhe angazhimin për të mirë.

– Falënderimi për të hollat shprehet me ndarje të sadakës.

– Falënderimi për trupin e shëndetshëm pasqyrohet me ndihmën e të dobëtëve dhe të paaftëve.

– Falënderimi  për diturinë pasqyrohet në mësimin e injorantëve dhe udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë.

Pra, në çdo begati preferohet të jepet zekat, që të sigurohet qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e begative.

Teprica e sasisë së ushqimit që gatuajmë në shtëpi çdo ditë, ose në festat e caktuara, meriton vëmendje të veçantë. Ne mund ta kuptojmë nikoqirin, i cili ka ftuar musafirë, dhe për ta ka përgatitur ushqim të bollshëm dhe të llojllojshëm, kjo është ajo që të gjithë e bëjmë, por, është e pakuptueshme që pas kësaj, ushqimi i tepërt të hedhet në kontenier, ndërkaq, nuk ekziston asnjë qytet apo lagje, në të cilën nuk ka njerëz, të cilët nuk mund të gjejnë ushqim për ta shuar urinë.

Pejgamberi (savs), me një rast e kishte pa një hurmë në tokë, e kishte marrë, ia kishte fshirë pluhurin dhe kishte dashur për ta ngrënë, por pastaj ishte tërhequr, sepse ishte frikësuar se mos ishte hurma nga bamirësia (sadaka). Pejgamberi (savs), siç e dimë të gjithë, nuk ka marrë sadakë, por ka marrë dhuratë (hedije), andaj për këtë arsye hurmën ia kishte dhënë atyre që kishin qenë me të.

Pra, këtu nuk është fjala për një hurmë të zakonshme që dikujt i ka ra në tokë, por bëhet fjalë për begatitë e Allahut të cilat ne nuk i respektojmë si duhet. Pejgamberi (savs), nuk e ka marrë hurmën nga toka, për shkak se kishte nevojë për të, por ka dashur që të na mësojë të falënderojmë për begatitë.

Transmetohet se nëna e besimtarëve Mejmuna bint Harith (r.a.), kur e kishte parë një shegë të hedhur në tokë, kishte thënë: “Allahu nuk e do çrregullimin (fesatin).” Deri në këtë masë sahabët i kanë respektuar dhe i kanë ruajtur begatitë që na i dhuron Allahu.

Para pak dite lexova lajmin për hapjen e një restoranti social vetëshërbyes, ku pronari e kishte shkruar njoftimin e mposhtëm për klientët e tij: “Merr çka të duash, por atë që e merr haje krejt; sepse ne për çdo ditë po hedhim ushqim që është i mjaftueshëm për t’i ushqyer 200 njerëz!”

Prandaj, gatuani dhe përgatisni aq ushqim sa keni nevojë, dhe gostitni musafirët tuaj si të doni – dhe ky është lloj i falënderimit për begatitë – por tepricën e ushqimit ndajuni fqinjëve të varfër, sepse ashtu do t’i keni dy shpërblime: një shpërblim për sadakën dhe një shpërblim për ruajtjen e begative.

Edhem Sherkavi; http://saff.ba//

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

 

 

 

Nga e njëjta rubrike