A po udhëheq Erdogani një projekt të ri të hilafetit?

Presidenti turk Erdogan dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim vazhdimisht thonë se nuk janë projekt islamik.

Erdogani dhe lidershipi i partisë tash një kohë të gjatë janë duke e injoruar
 çështjen e formimit të një blloku të fortë.

Skruan: Ahmed Rafiq Khader

Sytë e shumë muslimanëve janë drejtuar kah Turqia gjatë sundimit të Rexhep Tajip Erdoganit, dhe vazhdimisht e monitorojnë projektin e ri, të cilin e shohin si fillim i realizimit të ëndrrës për kthimin e hilafetit. Turqia aktualisht është strehë për njerëzit e shtypur nga e gjithë bota. Qeveria e këtij vendi dhe popullii i tij kanë marrë qëndrim të ndershëm ndaj shumë çështjeve të rëndësishme për komunitetin musliman, duke filluar nga “Liria Flotiljes”, e cila u përpoq ta thyej bllokadën e ashpër të imponuar mbi popullin e Gazës, pastaj edhe qëndrimi i Erdoganit në konferencën në Davos.

Kur ndodhi “pranvera arabe”, Turqia i mbështeti popujt në vendet arabe në kërkesat e tyre për liri dhe dinjitet, dhe ata nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre edhe kur “pranvera arabe” dështoi. Për shkak të kësaj, shikimi i komunitetit musliman është kthyer drejt Stambollit “Shtëpisë së Islamit”, siç e ka quajtur Stambollin Sulltan Mehmeti II, i njohur si El-Fatih, me shpresë për rikthimin e lavdisë së hilafetit, i cili sundoi më shumë se një mijë vjet, prej tyre gati gjysma e tij ishte në qytetin e Mehmet el-Fatihut, mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Edhe pse Erdogani dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) vazhdimisht thonë se nuk janë projekt islam, e kaluara e partisë, themeluesit e saj dhe deklaratat e vazhdueshme të lidershipit të partisë dhe qeverisë, tek muslimanët zgjojnë ndjenja të tilla për shkak të cilave, projektin e ri të Turqisë e shohin si fillim i projektit të një hilafeti të ri.

Ideologjia e paqartë

E vërteta në fakt është e tillë, edhe pse do të isha i lumtur nëse ajo që u tha më lartë të jetë e vërtetë, sepse për shkak të gjendjes reale diçka e tillë është tepër vështirë për tu realizuar, nëse jo edhe e pamundur, në rast se gjërat vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të njëjtë, dhe atë për arsyet e mëposhtme:

1) Partia qeverisëse AKP, nuk ka një ideologji të qartë, siç mendojnë ata që i shikojnë gjërat nga jashtë. Në parti ka islamistë, djathtistë, liberalë, mistikë, aktivistë socialë dhe të tjerë, kurse ajo që të gjithë ata i bashkon është projekti ekonomik, me të cilin Erdogani dhe njerëzit e tij erdhën, dhe i cili u tregua të jetë mjaftë i suksesshëm. Për seriozitetin e situatës gjithashtu flet edhe ajo se dështimet eventuale të partisë në aspektin e ekonomisë së vendit, nëse ndodhin, do të reflektojnë drejtpërsëdrejti mbi rezultatet e kësaj partie. Pikërisht kjo, i ka shtyrë disa individë që dështimin e partisë në zgjedhje në qytetet e mëdha, si Ankaraja dhe Stambolli t’ia atribuojnë faktorit ekonomik.

2) Nuk ekziston ndonjë organizatë e fortë e partisë apo ndonjë bllok. AKP më parë ka qenë në aleancë me organizatën e Fethullah Gulenit, deri në hyrjen e saj të fundit në pothuajse të gjitha poret e strukturave shtetërore dhe planifikimin e sulmit të fundit ndaj AKP. Pavarësisht nga fakti se grushti i shtetit dështoi, dhe shumica e anëtarëve të organizatës janë arrestuar, disa vëzhgues thonë se ajo ende ka pushtet në teren dhe tek pasuesit. Kjo, në fakt, edhe është e zakonshme për organizatat sekrete, të cilat nuk është lehtë për t’u eliminuar.

Kjo situatë ka rezultuar me atë që Erdogani dhe udhëheqja e partisë për një kohë të gjatë po neglizhojnë çështjen e formimit të një blloku të fortë. Edhe pse të informuarit për ngjarjet, e dinë se partia tash kujdeset për formimin e këtij blloku, lusim Zotin, që për të tash të mos jetë tepër vonë.

Nacionalizmi turk

Natyra e popullit dhe nacionalizmit turk, të cilën Ataturku e mishëroi në qenien e popullit turk, kanë bërë që ai popull të mbetet i mbyllur në vetvete dhe të mos jetë i hapur ndaj kombeve të tjera arabe dhe joarabe. Këtë mund ta vini re më së miri kur ta vizitoni Turqinë, ku shumica e njerëzve e njohin vetëm gjuhën turke. Disa prej tyre janë në pozita që kërkojnë bashkëveprim me njerëz të kombeve të tjera, por, edhe përkundër kësaj, ata e flasin vetëm gjuhën e tyre amtare. Do të ishte e drejtë të thuhet se Turqia po fillon t’i kushtojë më shumë vëmendje mësimit të gjuhëve të huaja, sidomos arabishtes. Por, siç thashë më parë, nacionalizmi është ende shumë i pranishëm dhe i dukshëm në popullin turk, ku madje edhe shumica e studentëve islamikë nuk flasin arabisht.

Gjithashtu, elementi i mëparshëm ka rezultuar me mungesë të një ndërveprimi të fortë mes qeverisë turke dhe komuniteteve arabe dhe muslimane, në shtetin në të cilin, ka më shumë se 3 milionë sirianë, një gjysmë milion irakianë e mijëra shtetas të tjerë, siç janë shtetasit e Egjiptit, Palestinës, Jordanisë, Marokut, si dhe njerëz nga Kaukazi dhe Azia Qendrore.

Edhe përkundër kësaj, shumë përfaqësues të këtyre komuniteteve, ndërveprimin ndërmjet tyre dhe qeverisë turke e vlerësojnë si të dobët. Një numër i madh i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve janë njerëz me arsim të lartë, si profesorë universiteti, mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, por shumica e tyre nuk po mund të gjejnë punë në shtet, ose punojnë vetëm në institucione që u përkasin këtyre komuniteteve. Nuk ka, pothuajse asnjë tregues të planit të vërtetë të këtij vendi për ta shfrytëzuar këtë potencial të madh. Turqia nuk ka pasur nevojë të investojë asgjë në arsimimin e tyre dhe ata janë menjëherë të gatshëm për tregun e punës dhe për të kontribuar në shkencë dhe prodhim.

Në fund, mund të konkludojmë se projekti i udhëheqjes së kombit musliman është larg nga Turqia për arsyet që i përmenda më lartë. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i çojmë duart nga Turqia. Përkundrazi, ndoshta ky dhe tekste të ngjashme mund të jenë pika fillestare, për ngritjen e vetëdijes mes popujve muslimanë: arabëve, turqve, persëve dhe të tjerëve, për nevojën e unitetit dhe bashkëjetesës për një fillim të ri, i cili do ta zgjonte komunitetin musliman nga gjumi i thellë.

Burimi: Al Jazeera

http://balkans.aljazeera.net/vijesti/vodi-li-erdogan-novi-projekt-hilafeta?fbclid=IwAR15IordEzu-tgl9WfulrR4Z8VutMJdMsEOp-rpAPHIiZRTEWy1kYkPWL3E

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike