A është e vërtetë se nëse dikush 40 ditë para ramazanit konsumon alkool, luan bixhoz ose diçka të tillë, nuk i pranohet agjërimi?

 PYETJE: Es Selamu alejkum!

Më intereson se a është e vërtetë, nëse dikush 40 ditë para ramazanit, konsumon alkool, luan bixhoz ose diçka të tillë, se nuk do t’i pranohet agjërimi, përkatësisht, vetëm do të ketë uri, kurse për agjërim nuk do t’i shkruhen sevapet?

PËRGJIGJE: Alejkumus Selam!

Mua nuk më është e njohur se diçka e tillë është transmetuar nga brezat e drejtë para nesh, përkundrazi, ramazani është një shans i mrekullueshëm për njeriun që të pendohet për mëkatet e tij, të përmirësohet dhe t’i braktisë shumë harame që i ka bërë deri atëherë. Sidomos kur kemi parasysh se Allahu i Plotfuqishëm i pengon shejtanët që ta bëjnë atë, që ata zakonisht e bëjnë me njerëzit jashtë ramazanit, përkatësisht, shumë shejtanë lidhen me zinxhirë në pranga, ashtu që në ramazan është më e lehtë bërja e veprave të mira, dhe gjithashtu, njeriu në këtë muaj e ka më lehtë ta braktisë haramin.

Prandaj, pa marrë parasysh se cilat mëkate i ka bërë njeriu më parë, duhet të pendohet për ato mëkate në ramazan, duhet ta agjërojë këtë muaj që po vjen, duhet sinqerisht tu kushtohet edhe ibadeteve tjera, pastaj me siguri do të ndjejë lehtësim në shpirtin e tij dhe do ta ndjejë faljen e Allahut.

Kur Allahu i Plotfuqishëm e fali njeriun, i cili kishte mbytur 100 persona, dhe pastaj sinqerisht ishte pendua për këtë, dhe kur i fal ata që i bëjnë shirk Atij, i atribuojnë se Ai ka djalë, dhe ua falë këtyre njerëzve kur ata pendohen dhe besojnë në mënyrë të drejtë, atëherë pse Allahu i Plotfuqishëm të mos falë mëkate më të vogla se këto.

I Plotfuqishmi thotë: “Përveç ati që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtet, ai është kthyer te Allahu dhe është i pranishëm.” (el-Furkan, 70-71)

Kurse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Ai që pendohet nga mëkati, është sikur ai që nuk ka mëkat.” (Ibni Maxhe, Sunen, 3446. Albani këtë hadith e ka vlerësuar të mirë)

Prandaj, vëlla i dashur, mos lejoni të ju mashtrojë shejtani, dhe të ju pamundësojë, që këtë periudhë të bekuar, e cila është para nesh, ta kaloni në agjërim, në namaz, në dhikër, në lutje, në teravia, në lexim të Kuranit etj.

Përkundrazi, bëjeni që ky muaj i bekuar të jetë moment historik në jetën tuaj, në kuptimin pozitiv, sepse njeriu nuk e di se kur të vijë tek ai Meleku i vdekjes dhe për këtë arsye duhet të jetë i përgatitur për ardhjen e tij.

Me të vërtetë është humbës i madh, ai të cilit i vjen vdekja dhe e gjen të zhytur në mëkate, dhe i cili prej ibadeteve nuk ka bërë asgjë, prandaj, të tillët, duhet të kenë frikë nga përfundimi në zjarrin e xhehenemit, i cili është 69 herë më i fortë se zjarri i kësaj bote.

Allahu i Plotfuqishëm ta lehtësoftë agjërimin në muajin e ardhshëm të mëshirës dhe të bëftë që ta lëshosh këtë botë duke qenë Allahu i Plotfuqishëm i kënaqur me ty!

N-UM.COM;

Përkthim: Miftar Ajdini

Nga e njëjta rubrike