Çfarë monumentesh mund të ndërtojmë mbi varre?

PYETJE:

Cili është qëndrimi i Islamit në lidhje me ndërtimin e monumenteve mbi varre dhe çfarë është, sipas Islamit, monumenti më i mirë për të vdekurin?

 

PËRGJIGJE:

Të gjitha shkollat ​​juridike islame (medhhebit) pajtohen se nuk është e këshillueshme që të ngrihet ndonjë monument mbi varr. Në veprat e fikhut thuhet se varri nuk duhet jetë i ngritur mbi tokë më shumë se një pëllëmbë.

Imam Shafiu shpeshherë ka deklaruar: “Unë mendoj se varrit nuk duhet t’i shtohet asgjë, përveç dheut të tij. Duhet të ngrihet mbi tokë aq sa është një pëllëmbë. Mbi varr nuk duhet të ndërtohet asgjë, që kjo mos të shndërrohet në stoli të zakonshme, dhe në ndonjë lloj krenarie, të cilat nuk kanë vend në çështjen e vdekjes. Në varret e muhaxhirëve dhe ensarëve, unë nuk kam parë asgjë nga këto. Kam pasur rastin të shoh se si autoritetet i shkatërronin monumentet mbi varreza me pëlqimin e dijetarëve (ulemave).”

Shevkaniu konsideron se ngritja e varreve mbi masën e lejuar është rreptësishtë e ndaluar. Ai thekson se ky është mendimi i imam Ahmedit, Shafiut dhe Malikut. Megjithatë, lejohet që varri të shënohet me ndonjë shenjë për ta njohur.

Ibn Maxhe transmeton nga Enesi (r.a.), se Muhamedi (savs), e ka shënuar varrin e Osman ibn Madhumit me një gurë, të cilin ia ka vendosur te koka. Siç shihet, Islami nuk rekomandon asnjë luks gjatë ngritjes së monumenteve mbi varre.

Vitin e kaluar, udhëheqësi fetar i sektit Behere nga India, vendosi një rrethojë të artë përreth varrit të hazreti Huseinit në Kajro, ku u shpenzuan me tonelata ari. Do të ishte shumë më e dobishme që me atë vlerë të ndërtohej ndonjë spital ose shkollë në ndonjë vend afrikan musliman. Nga kjo do të kishin dobi edhe të gjallët edhe të vdekurit.

Në shumë vende muslimane, shumica e tyrbeve janë shndërruar në burime të mëkateve të mëdha dhe ideve të gabuara. Ato janë bërë një lloj idhujtarie. Le ta dëgjojmë, se çka thotë për këtë autori i veprës “Fikhus-sunneti”:

“Tyrbet janë shndërruar në idhuj. Muslimanët po ju drejtohen tyrbeve, ashtu sikur që ju drejtoheshin idhujve mushrikët në periudhën para-islamike. Që është edhe më keq, askush, as ulematë, as emiri, as veziri, as sundimtari, në emër të Zotit dhe në emër të Islamit nuk po e ngrenë zërin e tyre për ta dënuar këtë të keqe të rrezikshme dhe këtë idhujtari të hapur. Këta adhurues të varreve shkojnë aq larg sa që më shumë i respektojnë shejhat dhe evliatë e tyre se sa vetë Zotin. Nuk është rast i rrallë kur të tillët, në raste të mosmarrëveshjeve kur ju kërkohet të betohen në Zotin, thjesht betohen, por nëse ju kërkohet betimi për ndonjë shejh ose evlia, ata e refuzojë një betim të tillë dhe e pranojnë të vërtetën.”

Në të vërtetë, ne gradualisht po çlirohemi prej atyre, të a. q. mashtrimeve klasike, por nuk guxojmë të harrojmë se duke bërë kështu, ne po biem në ‘mashtrime moderne’ të njeriut modern. Për shkak të snobizmit dhe kompleksit të vlerës më të vogël, ne gjithnjë e më shumë po i marrin zakonet e huaja gjatë varrimit. Natyrisht, këtu bën pjesë edhe vendosja e fotografive dhe bartja e kurorave.

Në pyetje është përgjigjur: Husein ef. Gjozo

(Izabrana djela, Fetve I, El-Kalem, Sarajavo) Akos.bA

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike