Kush nuk do të jetë nesër? (Hutbe – Nata e Beratit 2019)

Allahu i Plotfuqishëm e krijoi të gjithë botën nga uji dhe balta e njëjtë, kurse njerëzit e ndanë me kufij.

Allahu i Plotfuqishëm e krijoi hekurin e pastër, kurse njerëzit prej tij e bënë shpatën, shtizën dhe pushkën. Njeriu e bëri sëpatën për pemët në kopsht dhe kafazin për zogun këngëtar.

Allahu i Plotfuqishëm e krijoi natën, kurse njeriu e bëri llambën, Ai e krijoi shkretëtirën, kurse njeriu bëri bahçe, rrugica dhe parqe. Njeriu nga shkëmbi bëri pasqyrë, kurse helmin e shndërroi në pije të ëmbël.

“Unë do ta krijoj në Tokë përfaqësuesin Tim”, tha Zoti i botëve.

“A do ta krijosh atë që do të bëjë çrregullime dhe gjakderdhje?”, pyetën melekët.

“Unë e di atë që ju nuk e dini”, ju tha Allahu.

Allahu i Plotfuqishëm e di se njeriu, nëse e ndjek dhe jeton Udhëzimin që ia ka dërguar, mund të jetë i mirë, i dobishëm, mund të jetë ai që e mban baraspeshën dhe vendos rendin në Tokë.

Ekzistojnë ngjarje dhe ditë e net të mëdha, të cilat njeriun e paralajmërojnë me forcë, e orientojnë kah e mira dhe e inkurajojnë. E tillë është nata e madhe, nata e 15 e shabanit, nata e Beratit. Në natën e Beratit, e cila është sonte, Allahu i Plotfuqishëm i pranon ose i refuzon veprat e njerëzve. Pejgamberi (savs), e ka praktikuar agjërimin atë ditë, për të iu pranuar veprat e mira. Ai na ka mësuar se agjëruesit lutja dhe veprat e mira nuk i refuzohen, andaj këtë ditë ai ka dashur që të jetë agjërueshëm. Në transmetime, gjithashtu thuhet se në atë natë të Beratit, Allahu i Plotfuqishëm, i ndan dhe ua tregon melekëve emrat e atyre njerëzve që vitin e ardhshëm do të largohen nga kjo botë.

Sonte melekët do ta dinë se kush prej nesh nuk do ta presë muajin shaban të vitit të ardhshëm, dhe atë natë Zoti i botëve, i Cili e di atë që e fshehim dhe atë që e bëjmë publike, i Cili e di çdo nijet tonin, do të vendosë se cila vepër e jona do të pranohet, e cila do të refuzohet, do të vendos se cilat mëkate do të falen, dhe cilët do të lihen për tu shqyrtuar në Ahiret.

Allahu i Plotfuqishëm thotë se ka njerëz që thonë:

“Besojmë në Allahun dhe jetën tjetër!” – por, ata nuk janë besimtarë. – Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besojnë, por vetëm mashtrojnë veten, e ketë nuk e vërejnë. – Zemrat e tyre janë të sëmura (me injorancë) e Allahu ua shtoi atyre sëmundjen; ata i pret dënim i ashpër, për shkak se gënjejnë. – Kur t’u thuhet: “mos bëni çrregullime në Tokë!” ata thonë: “Na vetëm zbatojmë rregullat në Tokë!” – Ah! Me të vërtetë, ata shkaktojnë çrregullime, por nuk i vërejnë.” (el-Bekare 8-12)

Besimtari i cili sinqerisht beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, ai largohet nga gënjeshtra,  me çdo hap dhe gjest të tij, dëshiron të jetë i dobishëm për secilin dhe e synon kënaqësinë e Allahut. Ja një shembull:

“Transmetohet se një njeri i quajtur Ubejd ibn Ubejd ishte i njohur për devotshmëri dhe për mirësi. Në afërsi të tij jetonte një grua me bukuri të jashtëzakonshme. Një ditë, ajo po shikohej në pasqyrë dhe po thoshte: ‘Kush mund t’i rezistojë kësaj bukurie?’

Kur e dëgjoi burri i saj i tha: ‘Kësaj bukurie mund t’i rezistojë Ubejd ibn Ubejdi.’

Ajo kërkoi leje nga burri i saj që të shkonte deri te Ubejdi dhe ta provonte. Ajo shkoi tek ai dhe duke ia bërë disa pyetje, nga pak po zbulohej para tij.

Derisa ajo po zbulohej, Ubejdi kthehej në anën tjetër. Kur e pa se çfarë ishte qëllimi i saj, ai i tha asaj: ‘Unë do ta bëj ty një pyetje, nëse më përgjigjesh sinqerisht, do ta marrësh atë që po kërkon.’

Ajo tha: ‘Pyet çka të duash, pasha Allahun, unë do të përgjigjem sinqerisht.’

Ai i tha: ‘Nëse meleku i vdekjes vjen te ti, në momentin kur je duke bërë mëkat, a do të gëzojë ty kjo?’

Ajo u përgjigj: ‘Jo’.

‘Nëse do të vendoset Ura e Siratit, nga njëra anë e në anën tjetër xhehenemi dhe njerëzit të kalojnë mbi të, a do të dëshiroje që për shkak të këtij mëkati që po më fton mua, të hidhesh në zjarr?’

Ajo u përgjigj: ‘Jo.’

‘A do të ishe e kënaqur që e ke kryer këtë mëkat kur të dalësh para Zotit dhe të përgjigjesh për veprat tua?’

Ajo u përgjigj: ‘Jo.’

Atëherë Ubejdi i tha asaj, ‘A nuk është kjo mjaft për ty?’

Ajo u përgjigj: ‘Po, pasha Allahun, me siguri do të pendohem.’ Dhe pjesën tjetër të jetës së saj e kishte jetuar fetarisht dhe me përulje.”

O njeri i mençur, ti e ke në dorë që ta zgjedhësh rrugën në të cilën prej shkretëtirës do të ndërtosh rrugica, bahçe dhe parqe. Kush nga ne do të dëshironte që të përfundojë në humnerën e xhehenemit nga e cila banorët e bahçeve do t’i thërrasë për tu kërkuar ujë.

Kush nga ne do të dëshironte që meleku i vdekjes të vjen dhe ta gjejë në bastore? Të gjithë ata që shkojnë aty, pa dyshim me zë do të thërrisnin, jo, nuk do të dëshironim, ndërsa të gjithë e dinë se nuk mund ta dinë kur do të vijë meleku i vdekjes dhe në çfarë gjendje do t’i gjejë ata.

Kush nga ne do të dëshironte, që meleku i vdekjes të vjen dhe ta gjejë të dehur? Të gjithë ata që shoqërohen me këtë haram, pa dyshim me zë do të thërrisnin, jo, nuk duam që të dalim të papastër para Zotit tonë, ndërsa të gjithë e dinë se nuk mund ta dinë kur do të shkojnë nga kjo botë.

Kush nga ne do të dëshironte, që meleku i vdekjes të vjen dhe ta gjejë duke marrë atë që nuk i përket? Merr para për ta punësuar dikë, jo në ndërmarrjen e tij, por në kompaninë apo institucionin tonë të përbashkët, ose merr para për t’ia ndarë dikujt një punë, të cilën nuk paguan me paratë e tij, por me paratë tona. Ne nuk e dimë vëllezër të dashur, se kur do të takohemi me melekun Azrail, ndërsa të gjithë ata të cilët shërbehen me korrupsion, me zë thërrasin se nuk do të donin që në atë moment, në momentin kur bëjnë haram, ta takojnë Zotin e botëve.

Kush nga ne do të dëshironte, që meleku i vdekjes të vjen dhe ta gjejë duke i mashtruar njerëzit? Ne nuk e dimë, as nuk mund ta dimë, se ndoshta Allahu në natën e Beratit të këtij viti do ta fshijë emrin tonë nga lista e të gjallëve.

Kush nga ne do të dëshironte, që meleku i vdekjes të vjen dhe ta gjejë duke vjedhë? Nuk e di nëse njerëzve që e vjedhin shtetin, pasurinë tonë të përbashkët, a ju bie ndonjëherë ndër mend Ura e Siratit dhe qëndrimi para Zotit të botëve? Askush nuk mund ta dijë se kur do t’i vjen atij meleku i vdekjes. Kjo është një urtësi e jashtëzakonshme e Allahut. Fakti që ne nuk e dimë se kush nuk do të jetë nesër, na inkurajon fuqishëm që vazhdimisht të luftojmë në rrugën e mirësisë dhe kurrsesi mos të jemi ata që bëjnë çrregullime në Tokë dhe që e prishin baraspeshën.

Kush e di se kush nuk do të jetë nesër? Jetën e dhuruar mund ta rregulloni sipas rregullave të fesë, kohën e dhuruar mund ta shfrytëzoni, por gjithashtu, mund edhe të bëni haram dhe kohën ta shpenzoni duke e kundërshtuar Zotin.

Le ta shfrytëzojmë kohën, jetën le ta mbushim me bamirësi dhe atë menjëherë tani, sepse kush e di nesër kush nuk do të jetë?

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo!

Hatib: Izet ef. Çamxhiq

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike