Muslimanët dhe perëndimi sot

Kur isha në vitin e parë të studimeve, nga Historia e të drejtës së sheriatit, e punova punimin seminarik mbi Ebul A’la el-Mevdudin. Gjatë përgatitjes e përdora një libër të tij të vogël, nuk më kujtohet titulli, por kryesisht, i gjithë libri ishte si tipit: ‘Ne muslimanët duhet ta vendosim sheriatin, çdo gjë do të jetë qumësht dhe mjaltë’, ‘neve nuk na nevojitet Perëndimi’, ‘ne i kemi tonat – islame, këtë islame, atë islame’… Krejt broshura ishte për mënyrën se si muslimanët janë të mjaftueshëm për veten e tyre, dhe sesi ata nuk kanë nevojë për Perëndimin as për diçka nga Perëndimi, e të ngjashme.

Dhe?

Duke e përfunduar punimin tim seminarik, po e shkruaj një biografi të shkurtër kur aty po shoh se: Ebul A’la el-Mevdudi ka vdekur në Amerikë, duke u shëruar në Bufal, kurse djali i tij i dytë aty punonte si mjek.

Atëherë, pse djali yt nuk ka punuar në Pakistan dhe pse ti po shërohesh në Perëndim?!

Nejse, kështu tek ne shumica e gjërave funksionojnë – në mënyrë të parregullt:

– Perëndimi është homoseksual, por muslimanëve (madje as atyre më të zhurmshmëve) nuk ju pengojnë përfitimet homoseksuale sociale dhe shoqërore.

– Perëndimi është hipokrit, por muslimanët nuk i pengon të jetojnë, punojnë dhe të lindin në Perëndimin hipokrit.

– Perëndimi është islamofobik, por të gjithë muslimanët vrapojnë për në Perëndim, askush nuk kërkon azil në vendet muslimane.

– Perëndimi i urren muslimanët, por përkundrazi, në Perëndim nuk janë burgjet të mbushura me dijetarë, politikanë dhe aktivistë të tjerë, për shkak se e kanë kritikuar pushtetin, por ato në vendet muslimane janë të mbushura përplot.

– Nga Perëndimi, vetëm e keqja mund të vijë, por nuk na pengon që ta shfrytëzojmë teknologjinë, automobilat, makinat, etj. etj.

Perëndimi nuk e ka filluar zhvillimin e tij derisa nga muslimanët nuk i ka përvetësuar shkathtësitë dhe njohuritë, së pari nëpërmjet tregtisë, kur institucionet tregtare u transferuan në Gjenova dhe Venecia, dhe së bashku me të edhe pushtimet në Spanjë, si dhe përvojat e kryqëzatave me muslimanët, të cilët pastaj në Evropë sollën një numër të inovacioneve, nga sapuni dhe larja e duarve, e deri te dituritë, institucionet, duke përfshirë edhe themelimin e vakëfit, për të cilin, për shembull, profesor Benedikt Koehler, thotë se Oxfordi është themeluar sipas modelit të vakëfeve muslimane.

– Ne nuk mund të kemi progres pa përvetësimin e njohurive, shkathtësive, sistemeve dhe ndryshimeve të ngjashme pozitive dhe shumë të nevojshme. Kundërshtimi i Perëndimit është një nonsens i madh dhe mision i pamundur, sepse idetë e Perëndimit janë më të forta se verbëria e muslimanëve.

– Mongolët e pushtuan dhe e shkatërruan botën islame në shekullin e 13-të, por kurrë nuk ia dolën mbanë ta pushtonin kulturën islame, sepse ata me kalimin e kohës përfundimisht u tretën në të. Kultura islame ishte më e fortë se ata. E njëjta gjë ndodhi edhe me kryqtarët të cilët e pushtuan Jerusalemin, por filluan të visheshin dhe të vepronin si muslimanët e asaj kohe, sepse kultura islame ishte më e fortë sesa hordhitë e egra evropiane.

– Është e njëjtë me ne sot, dhe është e pakuptimtë ta përçmojmë Perëndimin, të rezistojmë dhe të jetojmë në një lloj inati se muslimanët nuk kanë nevojë ‘as për Perëndimin, as për asgjë nga Perëndimi’.

– Nuk ekzistojnë ‘qytetërime dhe kultura’ të pavarura, por të gjitha ato ndërthuren dhe modernizohen mes vete, duke përfshirë edhe atë islame, e cila në periudhën e saj të artë i mori njohuritë e grekëve dhe persëve, i ruajti, i përmirësoi dhe ia përcolli Evropës… dhe kështu u vendos procesi shoqëror, prandaj, mos kini frikë nga Perëndimi, por merrni gjithçka që është e dobishme.

Resul Mehmedović;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike