Së shpejti na arrin nata në të cilën Allahu e cakton fatin e njeriut, jetën dhe nafakën

Më 19 prill, muslimanët në mbarë botën e shënojnë njërën nga katër netët e zgjedhura të bekuara ‘Lejletul-berat’.

Nata e bekuar ‘Lejletul-berat’ përjetohet si lajmëtare e ardhjes së muajit të bekuar ramazan. Shënohet edhe si nata, në të cilën melekët fillojnë ta shkruajnë fatin e njerëzimit dhe të secilit njeri individualisht për vitin e ardhshëm. Në traditën e muslimanëve tanë kjo natë është e njohur edhe si nata e faljes, fatit dhe dëshirës.

Kjo natë e zgjedhur, në hadithe të Muhamedit (a.s.), përmendet si nata në të cilën Allahu i Plotfuqishëm e cakton fatin e njerëzve, jetën e njerëzve dhe nafakën e tyre, kurse në disa hadithe përmendet se në këtë natë Allahu i Gjithëmëshirshëm ua falë mëkatet njerëzve.

Në Kuran kjo natë përmendet në suren ed-Duhan (Tymi), në të cilën Allahu i Plotfuqishëm thotë se ajo është një natë e bekuar, në të cilën Allahu i përcakton të gjitha dispozitat e Tij. Lejletul-berat do të thotë, çlirimin dhe pastrim. Allahu i Plotfuqishëm, në atë natë, shumë njerëz i çliron nga mëkatet.

Kjo natë të bekuar ka më shumë emra të tjerë si, nata e gjysmës së shabanit, nata e faljes, nata e çlirimit, nata e ekspozimit të veprave, nata e caktimit dhe vendimit.

Sipas hadithit të nderuar, emri i kësaj nate është “Nifush-shaban”, që do të thotë gjysma e muajit shaban.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Kur të bëhet mbrëmja e natës së 15-të të muajit shaban, natën kalone në namaz (vullnetar), kurse ditën që pason në agjërim.”

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike