Opozitarët sudanezë kundërshtojnë puçin ushtarak, vazhdojnë protestat

Grupet opozitare në Sudan refuzuan të pranojnë puçin ushtarak si zgjidhje për zgjidhjen e problemeve dhe bënë thirrje për vazhdimin e protestave për qeverisje civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Omar al-Dakir, lideri i Partisë opozitare të Kongresit, duke iu adresuar protestuesve para selisë qendrore të ushtrisë në kryeqytetin Kartum, njoftoi vazhdimin e protestave deri në realizimin e kërkesave revolucionare të Forcave të Lirisë dhe Ndryshimit.

Dakir tha se revolucioni do të rezultojë me fitore.

Nga ana tjetër, disa parti opozitare dhe Asociacioni i Profesionalistëve të Sudanit (SPA), në një deklaratë të përbashkët thanë se marrja e pushtetit nga ushtria nuk do të zgjidhë problemet e Sudanit.

“Zgjidhja e vetme e problemeve është që pushteti t’i dorëzohet një qeverisjeje të dakorduar civile”, thuhet në deklaratë, në të cilën theksohet se protestat para selisë së ushtrisë do të vazhdojnë derisa të arrihen synimet e revolucionit.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes Awad bin Auf sot njoftoi marrjen e kontrollit mbi pushtetin nga ana e ushtrisë dhe nisjen e një periudhe dyvjeçare të tranzicionit.

Nga e njëjta rubrike