O njeri, a për vete je më së paku i rëndësishëm?

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: O njeri, a për vete je më së paku i rëndësishëm?

Sa është njeriu i pakujdesshëm për veten e tij, për obligimet e tij, për jetën e tij dhe për familjen e tij!

Sa pak kohë i kushton vetes dhe atyre gjërave për të cilat do të pyetet në Ditën e Gjykimit!

Sa pak kohë iu kushton veprave të mira dhe gjërave të cilat mund t’i ndihmojnë në Ditën, kur njeriut nuk do t’i ndihmojë as pasuria e as familja e tij!

Pejgamberi (savs), na ka udhëzuar për vlerat më të bukura morale, të cilat çojnë në lumturinë dhe kënaqësinë e vërtetë në të dy botët.

Pejgamberi (savs), në një hadith, i cili konsiderohet si bazë e parimeve morale, ka thënë:
„Nga bukuria e Islamit të njeriut është që të largohet nga ajo që nuk i përket.“
(Tirmidhiu)

A jemi ndalur ndonjëherë dhe a kemi menduar për këtë hadith?

Për hadithin që e kemi dëgjuar qindra herë?

Sa e jetësojmë këtë hadith në jetën tonë?

Hadithi për të cilin Hamza el-Kenani (r.h.) ka thënë: „Ky hadith është 1/3 e Islamit.“

Kur mendojmë pak më thellë, do të vijmë në përfundim se njeriu, kur fillon të brengoset për brengat e njerëzve të tjerë, të cilat nuk i përkasin, do të fillojë për dikë të mendojë keq, gjë që i shkakton barrë, ndjenjë të shëmtuar në zemër, ngarkesë ose shpesh, kalon në përgojim dhe shpifje, dhe kjo është, gjithashtu, mëkat i madh dhe lë gjurmë të madhe në zemrën e njeriut dhe gjendjen e tij të imanit.

Këtë hadith mund ta kuptojmë edhe në këtë mënyrë: Sa musliman i mirë është ai i cili angazhohet me vetveten dhe me obligimet e tij, prej të cilave ka dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe nuk lodhët shumë për jetën e njerëzve të tjerë, kurse i mjeri ai musliman i cili e lënë pas dore vetveten dhe obligimet e tij, familjen, arsimimin e tij, leximin i librave të dobishme etj.

Dijetari Abdurrahman es-Sa’di ka thënë: “Kush nuk e lënë atë që nuk ka të bëjë me të, është musliman i keq.”

Kur njeriu angazhohet me diçka që nuk i përket, kjo do ta çojë në ndërhyrje të privatësisë së tjetrit, që është, me siguri, sjellje të shëmtuar. Zakonisht, njerëzit kanë dëshirë të kenë privatësinë e tyre dhe nuk duan që dikush t’ua rrënojë oazën e tyre të privatësisë, që t’i pyes dhe të kalojë përtej kufijve të privatësisë së tyre.

Pejgamberi (savs), dëshiron të na edukojë dhe orientojë drejt moralit më të bukur, që ta respektojmë të drejtën e çdo njeriu për privatësi dhe intimitet, që ta respektojmë personalitetin e çdo njeriu, autoritetin, nderin dhe reputacionin e tij.

Duke e komentuar këtë hadith të Pejgamberit (savs), Ibn Kajjimi (r.h.) ka thënë: “Ky hadith tregon se njeriu duhet të largohet nga çdo gjë që nuk i përket atij, qoftë të folurit, shikimi, dëgjimi, marrja, ecja, mendimi, veprimet publike dhe të fshehta, dhe këto fjalët e Pejgamberit (savs), janë ilaç për zemër dhe kulmi i devotshmërisë.“

Hasan el-Basriu ka thënë: “Shenjë që Allahu e ka braktisur robin është kur ai angazhohet me gjërat që nuk i përkasin.” Dhe ka thënë: “Allahu e mëshiroftë një njeri i cili e di vlerën e tij.”

Të dashur vëllezër;

Vërtetë është gjë e madhe kur njeriu i di aftësitë dhe mundësitë e tij. Një shumicë sot i kanë lënë pas dore familjet e tyre, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, vizitën e ligjëratave në të cilat mësohet feja e Allahut dhe shumë gjëra të tjera të dobishme, sepse janë angazhuar me sundimtarët, me politikën dhe politikanët, me studiuesit dhe dijetarët, me thashetheme në rrjetet sociale.

Sa mirë do të ishte sikur të gjithë të merreshin vetëm me atë që janë të ngarkuar dhe çka e kanë profesion.

Që studenti të studiojë dhe mos të merret me asnjë gjë, por vetëm me studimet e tij deri t’i përfundojë ato.

Që mjeku të shërojë dhe të punojë në aftësimin e tij dhe në përsosjen e tij profesionale.

Që ekonomisti të punojë në ndërtimin e ekonomisë së shëndoshë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në këtë mënyrë shoqëria në tërësi do të prosperonte dhe përparonte. Një proverb i vjetër arab thotë: “Kush përzihet në zanatin e huaj, do të sjellë gjëra të çuditshme.”

Bota moderne punon në profesionalizimin e njeriut, që njeriu të merret ekskluzivisht me profesionin e tij dhe të jetë profesionist në të. Neve për këtë na ka mësuar Pejgamberi (savs), para 14 shekujve, kur ka thënë: „Vërtet Allahu dëshiron që kur ndonjëri prej jush e bën një punë, që ta bëjë në mënyrën më të mirë të duhur.“

Islami e mëson njeriun që të jetë i dobishëm për veten, për shoqërinë dhe bashkësinë, që të jetë profesionist në atë që bën, që mos të lejojë që shejtani ta angazhojë me gjëra për të cilat, për fat të keq, nuk ka dobi as në këtë botë e as në botën tjetër. Mendjet më të mëdha që kanë parakaluar gjatë gjithë historisë kanë pasur në dispozicion 24 orë, as më shumë e as më pak se që kemi ne sot, por me organizim cilësor të kohës së tyre, duke punuar, ekskluzivisht, gjëra të dobishme dhe duke mos u brengosur me brengat e njerëzve të tjerë, kanë bërë atë që kanë bërë.

Në Ditën e Gjykimit, njeriu do të ketë dobi vetëm nga koha që e ka kaluar në kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm.

Çka do të ndodh me kohën e kaluar në diskutime të padobishme në rrjetet sociale për gjëra të ndryshme në të cilat nuk mund të ndikoni?

Çka do të ndodh me kohën e kaluar në diskutime për ngjarjet që nuk na përkasin?

Në Ditën e Gjykimit a do të jenë të regjistruara veprat e mira dhe të këqija?

A kemi mundur ta shfrytëzojmë atë kohë në një mënyrë më të mirë, ashtu që ta rëndojmë anën e veprave të mira në Ditën e peshimit të veprave?

Ibn Kajjimi (r.h.) ka thënë: “Koha e njeriut në të vërtetë është jeta e tij. Ajo është baza dhe materiali për jetën e tij të përjetshme në kënaqësi të pandërprera ose për jetën e tij të vështirë, të rëndë dhe në vuajtje të dhimbshme. Ajo kalon si retë, dhe, ajo që është për Allahun dhe për hir të Allahut llogaritet si jetë e tij e vërtetë, kurse çdo gjë tjetër përveç saj nuk llogaritet jetë, pavarësisht se sa ka qenë e gjatë jeta e tij. Nëse njeriu e kalon kohën e tij në pakujdesi, huti dhe në dëshira të kota, dhe më e mira që ka kaluar ka qenë gjumi dhe papunësia, atëherë për atë njeri vdekja është më e mirë se jeta.”

Omeri (r.a.) ka thënë: „Unë e urrej të shoh ndonjërin prej jush si përtac dhe humbës kohe, i cili as nuk është në ndonjë punë të dynjasë, e as nuk punon për ahiret.“

O Allah, na forco neve në rrugën e Islamit!

Ndihmoju vëllezërve dhe motrave tona në nevojë kudo që janë!

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur! Kurse fëmijët dhe pasardhësit tanë udhëzoji dhe bëji udhëheqës të umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me shoqërim të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike