Miraxhi dhe moderniteti

Shkruan: Ervis Jangulli

Miraxhi, mrekullia më e madhe në jetën e Pejgamberit Muhammed sal Allahu alejhi ue selam mund të emërtohet ndryshe edhe si takimi i Profetit s.a.s me Allahun xh.sh.

Ndryshe nga çdo komunikim dhe takim tjetër në histori, ngjarja e miraxhit na paraqet udhëtimin e Pejgamberit s.a.s nga Meka në Jerusalem (Isra-ja) dhe nga Xhamia Aksa drejt qiejve dhe pasi kaloi shtatë qiejt, njërin pas tjetrit, arriti në pikën më të skajshme të ekzistencës së mundshme aty ku nuk mund të kalonte mëtej asnjë krijesë tjetër, qoftë edhe engjëlli Xhebrail a.s. Dhe pasi ua afrua në audiencën dhe pranishmërinë hyjnore, Pejgamberi s.a.s bisedoi drejtpërdrejt me Allahun xh.sh dhe mori një nga urdhëresat më të veçanta islame siç ështe falja e namazit 5 herë në ditë nga çdo musliman. Namazi eshtë nga adhurimet që ështe marrë drejtpërsëdrejti nga Allahu xh.sh dhe kjo ka një rëndësi tepër tepër të madhe për të kuptuar natyrën dhe esencën e namazit.              I gjithë ky udhëtim i Pejgamberit s.a.s ka ndodhur në pak kohë brenda një nate dhe të nesërmen kur Profeti sal Allahu alejhi ue selam i lajmëroi njerëzit e Mekës për ketë udhëtim që kishte patur, ato u ngazëllyen sepse menduan se gjetën rastin t’i largojnë njerëzit nga besimi duke rrëfyer këtë ngjarje që sipas tyre nuk ishte më shumë se thjesht iluzion dhe e pavërtetë, duke qenë e “palogjikshme” dhe e “paarsyeshme” sipas tyre. Jobesimtarët e asaj kohe te njohur edhe si xhahilë, në fakt s’kanë qenë injorantë në kuptimin e thjeshtë të fjalës, por kanë qenë aq të “mençur” sa, fjala vjen, me këto filozofët e ‘shkencëtarët’ e sotëm që logjikën dhe arsyen e marrin si stadin e fundit për t’i rrokur gjërat dhe çdo gjë që i tejkalon kufinjtë e arsyes, konsiderohet thjesht si e paarsyeshme. Mbaj mend që Richard Dawkins një rast e përmendi në debat televiziv gati me përbuzje ngjarjen e Miraxhit si gjoja te pavërtetë e të palogjikshme ngaqë nuk e vërtetojmë dot me prova empirike, sa të kujtonte xhahilat jobesimtarë të kohës së Muhammedit s.a.s që nuk e përfytyronin dot madhështinë e kësaj mrekullie.

Mrekullitë janë përtej logjikës, janë të parrokshme nga kufinjtë e arsyes, por ato mund të përthithen lehtësisht nga besimtarët që besojnë Allahun e Madh,i  Cili posedon cilësitë dhe atributet e përsosura dhe është Krijuesi i Plotfuqishëm dhe Sundimtari i Gjithëpushtetshëm i mbarë krijimit. Ngjarja e miraxhit është jashtëzakonisht e lartë për t’u rrokur nga dokushdo, është kaq e madhërishme dhe kaq sublime sa njeriu thjesht e beson dhe përpiqet me mish e shpirt ta përjetoje miraxhin vetëm brenda vetes tij. Kujtoj në librin e filozofit danez Kierkegaardit, Frikë dhe Dritherimë, se si ai magjepset, hutohet përballë ngjarjes së Ibrahimit me Ismailin (alejhime selam) kur Ibrahimi a.s merr urdhrin nga Zoti për ta sakrifikuar djalin që vetë Zoti ja kishte dhuruar Ibrahimit në mënyrë paksa të veçantë. Në këtë ngjarje ai hutohet dhe drithërohet me bindjen që Ibrahimi a.s tregonte dhe shfaqte ndaj Zotit për të sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë në jetë. Po ky është besimi thotë ai, në fund të fundit. është përtej çdo lidhjeje të thjeshtë logjike, pertej çdo kufizimi logjik.Në njëfarë forme edhe miraxhi paraqet po këtë sfidë, po këtë mrekulli që njeriu të habitet, të mrekullohet, por jo te drithërohet e të frikohet.

Miraxhi dhe shumë mrekulli tjera të Profetëve në kohët tona moderne përpiqen të hidhen poshtë apo të argumentohen me argumente artificiale komplet palidhje duke anashkaluar pothuajse krejtësisht anën dhe sferën përtej mendjes, përtej racionalitetit.

Kushdo që e shpjegon Miraxhin, kuptojmë se kryefjala e kësaj mrekullie është ngjitja e Muhammedit në praninë hyjnore, në atë shkalle e atë nivel që askush tjetër s’kishte mbërritur.      Na thotë për një takim e bisedë mes Krijuesit dhe krijesës më të dalluar e dashur të Tij.

Lajmi i mire për neve në modernitet dhe përgjatë gjithë historisë që nga koha e Muhammedit s.a.s është se na përkujtohet thënia e bukur, hadithi i Profetit s.a.s se : “Namazi është miraxhi i besimtarit”. Kjo na kujton neve 5 herë në ditë se njeriu duke ju falur 5 herë në ditë Allahut,     arrin të lartësohet shpirtërisht namaz pas namazi drejt pranisë së Allahut xh.xh. Në Miraxh Profeti s.a.s kaloi gjitha shtresëzimet e krijimit, botë pas bote, qiell pas qielli, derisa arriti tek i Dashuri i tij, Allahu i Madhërishëm.

Namazi është dhurata e bukur e Allahut për neve që na e solli për t’na ftuar drejt pranisë së Tij kur ne e praktikojmë dhe përjetojmë atë. Miraxhi është lajm i mirë dhe gëzim i madh për besimtarët duke qenë se na shpjegon gjithë proçesin e udhës drejt Allahut.

Në lidhje me modernitetin mund të them edhe shumë gjëra tjera, por po them vetëm kaq se vështirësitë dhe përballja e fortë dhe e egër që pati Muhammedi s.a.s me jobesimtarët e kohës së tij, është dhe vazhdon te jetë edhe sot përballje mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Vështirësitë e mëdha që e patën goditur Muhammedin s.a.s nga jobesimtarët xhahilë të Mekës, bënë që Allahu xh.sh ta merrte të dashurin e Tij nga “Mesxhid’ul Haram në Mesxhid’ul Aksa për t’i dëftuar atij (Muhammedit) disa prej shenjave tona”(17:1) dhe më pas në pranishmërinë e Tij hyjnore. Vështirësitë që ne kemi sot duhet t’na shtyjnë për ta marre këtë ftesë që Allahu xh.sh na e ka paraqitur dhe për t’i hyrë udhës së Zotit për t’ju afruar Atij e nuk i ka hije njeriut të bëhet mendjemadh, arrogant dhe i shkujdesur ndaj Ajeteve/Shenjave të Allahut xh.sh.

(Islampress)

 

 

Nga e njëjta rubrike