Israja dhe Mi’raxhi – Dr. Ajni Sinani

Ajni Sinani

I lartësuar është Ai që e barti robin e Tij (Muhamedin a.s.) natën nga Mesxhidul Harami (në Mekë) në Mesxhidul Aksa (të Kudsit), rrethinën e secilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë. (El Isra: 1)

Allahu i njeh më së miri robërit e Tij, prandaj Ai, qoftë i lavdëruar, i dha në kohën më kritike dhuratën më të mirë dhe mbështetjen më të fuqishme shpirtërorePejgamberit më të dashur. Kështu erdhi ajo natë e madhe dhe e shenjtë, kur i Dërguari i Allahut do të shohë sekretet e botës së padukshme që s’mund të shihen nga syri i njeriut. Atë natë  meleku Ridvan, ruajtësi i Xhennetit, është njoftuar se do ta nderojë një mysafir i veçantë. Ai do ta priste njeriun dhe krijesën më të bekuar dhe më të denjë për nderime e respekt të vazhdueshëm e të pafund. Muxhizja e Israsë dhe Miraxhit është shprehje e nderit më të lartë që Allahu ia kishte caktuar vetëm Muhamed Mustafasë.

Meleku më besnik, Xhibril Emini qe urdhëruar të sjellë Burakun, që është më i shpejtë se rrufeja dhe drita, te njeriu dhe pejgamberi më besnik, Muhamed Emini. Pejgamberi a.s. do të përshkonte hapësirat e universit që s’mund të arrihen në aspektin fizik dhe do ngjitej deri në ato lartësi, që Allahu i ka caktuar si kufij të fundit, të cilat nuk i ka arritur as ndonjë pejgamber i zgjedhur dhe as ndonjë melek i afërt.

Jo vetëm nga aspekti fetar, po edhe nga pikëpamja logjike, është e mundshme që Krijuesi Absolut dhe i plotfuqishëm, që ka krijuar çdo gjë që ekziston në univers dhe vetë universin, e ka fare të lehtë të modifikojë, kurdo që Ai dëshiron, ligjet e natyrës që Ai i ka vendosur.

Nëse njeriu me mundësitë dhe aftësitë e tij shumë të kufizuara, duke shfrytëzuar zbulimet teknike, mund të bartet nga një cep në një cep tjetër të globit, madje të udhëtojë edhe në planetë të tjerë, vallë a nuk mundet Krijuesi ta bartë robin e Tij nëpër hapësirat e gjithësisë, madje deri në skajet e universit të cilin e ka krijuar vetë Ai?!

Isra

Në gjuhën arabe me fjalën ‘Isra’ nënkuptohet udhëtimi natën. Mirëpo fjala “lejlen” (natën) “ … që e barti robin e Tij natën”, e përmendur në ajetin e parë të Sures el Isra, nënkupton një pjesë të natës dhe jo të gjithë natën. Isra është udhëtimi tokësor të cilin Allahu ia mundësoi Pejgamberit përmes Burakut në vijën horizontale nga Qabeja në Kuds. Në hadithet e tij Pejgamberi a.s. thotë: “‘usrije bi” që do të thotë, jam bartur. Meqenëse ky udhëtim ishte impresionues dhe i mrekullueshëm, udhëtim që i është dhuruar enkas Muhammedit a.s., një sure kur’anore është quajtur me emrin “El Isra”. Që në fillim të ajetit të parë të saj Allahu i Madhërishëm përmend shprehjen “Subhane” (I Lartësuar është) që le të kuptohet se kjo ndodhi ka qenë një mrekulli e veçantë dhe një ngjarje e madhërishme.

Mi’raxhi

Fjala ‘Mir’axh’ ka kuptimin e ngjitjes dhe ngritjes në lartësi, të ngriturit lart. Prandaj, Mir’axhi nënkupton udhëtimin dhe ngjitjen e Pejgamberit a.s. në vijën vertikale, prej Kudsit në shtatë qiejt, deri në Sidretul Munteha, thellësira për të cilat di vetëm Allahu xh.sh. Është interesante të përmendet se Pejgamberi a.s. nuk është ngritur direkt në  udhëtimin e tij qiellor, nga Qabeja, por së pari është bartur në Kuds/Jeruzalem, në Bejtul-Makdis dhe më pas, prej aty, është ngritur nëpër shtatë qiejt dhe më tutje. Kjo mbase për të treguar rëndësinë e Kudsit për muslimanët dhe lidhjen mes Qabesë dhe Bejtul Makdisit.

Depërtimi në një botë më të lartë shpirtërore është synim i çdo Pejgamberi. Secili prej tyre në një kohë ka pasur momente të caktuara dhe ka arritur në një pozitë të lartë. Islami ia mundëson këtë përjetim të veçantë secilit musliman përmes namazit pesë herë në ditë në mënyrë të obligueshme kurse në mënyrë vullnetare gjatë gjithë 24 orëve. Pejgamberi a.s. thotë: “Namazi është mi’raxhi i besimtarit.” (Essalatu mi’raxhul mu’min).

Një vit para Hixhretit

Muslimanët e kujtojnë këtë ngjarje të rëndësishme që ka ngjarë pas vitit të pikëllimit “Amu-l-huzni”, në të cilin vdiq Hatixhja r.a. gruaja besnike e Pejgamberit a.s. dhe Ebu Talibi, xhaxhai dhe mbrojtësi i tij.

Ky udhëtim i Pejgamberit a.s., sipas shumicës së dijetarëve muslimanë, ka ngjarë në natën e 27 të muajit rexheb, një vit para Hixhretit. Ai ndodhi në një kohë kur muslimanët po përjetonin ditë të rrezikshme dhe të vështira. Miraxhi konsiderohet si ngjarja e fundit në Mekë para Hixhretit dhe do të ishte një përgatitje për periudhën pas tij.

Larja e zemrës

Enesi r.a. transmeton  se i Dërguari a.s. ka thënë: “Kur isha në një gjendje si gjysmë në gjumë dhe gjysmë i zgjuar, erdhi tek unë ai (meleku Xhibril) i cili e hapi gjoksin tim, e mori zemrën time, e lau dhe e ktheu atë përsëri. Pastaj erdhi një krijesë e cila ishte më e vogël se mushka dhe më e madhe se sa një gomar, që ishte e bardhë dhe që quhej Burak. Pastaj u barta prej saj … “(Buhariu). Buraku e hidhte hapin në distancë aq sa mund të shihte syri.

Pengesat materiale

Me rastin e Israsë dhe Miraxhit, para syve të Muhammedit a.s. u zhdukën të gjitha pengesat e botës fizike, të cilat qëndrojnë si perde dhe pengojnë shikimin e botës shpirtërore. Pushuan të gjitha pengesat e kohës dhe hapësirës dhe të gjitha sekretet e qiellit dhe çdo gjë që ka qenë në tokë e fshehur është shfaqur në mënyrë të qartë dhe haptazi.

Koha dhe hapësira

Kur Pejgamberi a.s. u kthye nga ky udhëtim i jashtëzakonshëm, shtrati i tij nuk ishte ftohur dhe uji i abdesit akoma nuk kishte pushuar së rrjedhuri nga ibriku. Kjo nuk është e pamundshme kur dimë se Allahu është Ai që e sundon kohën dhe gjithësinë. Ai ka bërë që shpejtësia e materies të mos e arrijë shpejtësinë e dritës. Nëse arrihet që kohën ta vendosim (ta shndërrojmë) në zero atëherë kalohet në amshueshmëri. Dhe këtë zero në kohë mund ta vendosë vetëm Allahu. Prandaj Allahu, me rastin e kësaj ndodhie, iu ka urdhëruar të gjitha ligjeve që sundojnë në botën materiale që të pushojnë së vepruari për pak çaste dhe të largohen të gjitha pengesat e kohës, vendit, hapësirës, të folurit, dëgjimit, shikimit, udhëtimit, lëvizjes, qetësisë, lodhjes dhe pushimit.

 El Aksa

Udhëtimi nga Qabeja në Kuds tregon vlerën e Mesxhidul Aksasë që konsiderohet xhamia e tretë për nga rëndësia për muslimanët. Pejgamberi a.s. ka ardhur në Aksa përmes Burakut. Pasi e ka lidhur atë ka hyrë në xhaminë e Aksasë dhe ka falur dy rekate namaz, duke iu prirë si imam pejgamberëve të tjerë. Kur Pejgamberi a.s. doli jashtë xhamisë, Xhibrili a.s. i ofroi një kupë me qumësht dhe një tjetër me verë. Ai zgjodhi kupën e mbushur me qumësht. Xhibrili i tha: “Ke zgjedhur atë që është e natyrshme. Sikur të merrje këtë kupën tjetër, pasuesit tuaj do të shkonin në rrugën e gabuar.”

Pas kësaj Xhibrili e shpuri Pejgamberin a.s. drejt qiejve. Kur arritën në qiellin e parë, Xhibrili kërkoi që të hapej dera. Ai u pyet se kush ishte ai që gjendej me të. Ai iu përgjigj se ishte Muhammedi a.s. Pastaj iu tha: “A është dërguar?” Xhibrili a.s. u përgjigj: “Po.” Meleku e hap qiellin e parë dhe tha: “Banorët e qiellit janë të lumtur me këtë lajm të mirë.”

Në këtë qiell Pejgamberi a.s. pa një njeri. Ky njeri kur shikonte djathtas qeshte, ndërkaq kur shikonte majtas qante. Ky burrë kur e pa të Dërguarin e Zotit i tha: “Mirë se ke ardhur, Pejgamber i mirë dhe pasardhës i mirë!” I Dërguari i Zotit pyeti se kush ishte ai njeri dhe iu tha se ai ishte hazreti Ademi. Në të djathtë të tij ishin shpirtrat e pasardhësve të tij që do të hyjnë në xhenet, kurse në të majtë shpirtrat e atyre që do të shkojnë në xhehenem. Prandaj, Ademi a.s. kur shikonte në të djathtë ishte i kënaqur, kurse kur shikonte në të majtë ishte i trishtuar. Në këtë mënyrë Pejgamberi a.s. kaloi në secilin qiell.

Në çdo qiell takoi pejgamberë. Në qiellin e dytë takoi Jahjain dhe Isain, në të tretin hazreti Jusufin, në të katërtin Idrisin, në të pestin Harunin, në të gjashtin Musain. Të gjithë i shprehin mirëseardhje duke i thënë: “Mirë se vjen, pejgamberi i mirë, vëllai i mirë!”

Në qiellin e shtatë, i Dërguari a.s. pa hazreti Ibrahimin që ishte mbështetur në “Bejtul Ma’mur”. Aty çdo ditë hynin nga shtatëdhjetë mijë melekë, të cilët nuk ktheheshin edhe një herë të hynin aty. Pastaj Pejgamberit iu tregua xheneti. Kupa qiellore e xhenetit ishte prej margaritarëve, kurse dheu i tokës prej misku. Pejgamberi a.s. pa edhe xhehenemin dhe gjëra të tjera të panumërta, si edhe Xhibrilin me pamjen e tij të vërtetë. Mbi qilimin Refref, ai kaloi dhe pa Kursiun dhe Arshin. Muhamedi a.s. dëgjoi fërshëllimën (kërcitjen) e pendës. Pra nocioni kohë pushoi së ekzistuari dhe Pejgamberit a.s. iu prezantua e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.

Ai arriti tek Sidretul Munteha. Xhibrili a.s. aty ndaloi duke thënë: “Nëse shkoj më tutje edhe një qime floku do të digjem dhe shkatërrohem.” Pejgamberi a.s. vazhdoi më tutje. I Dashuri i Allahut, në një mënyrë të panjohur dhe të pashembullt, arriti deri në lartësinë që kishte caktuar Allahu i Madhërishëm vetëm për të. Aty iu ngrit perdja e  sekreteve dhe ai u gjend në vendin e shenjtërive më të përsosura dhe të paarritshme nga cilado krijesë.

Muhammedi a.s. mbase e ka parë Allahun (për këtë nuk ka unanimitet mes dijetarëve muslimanë), sigurisht pa vend, drejtim dhe mënyrë. Ai ka folur me Allahun pa sy, pa veshë dhe pa ndërmjetësues. I është shpallur ajo që ka dashur dhe dëshiruar. Në këtë vend Pejgamberit i janë dhënë tri dhurata nga Allahu: 1. Tri ajetet e fundit nga surja El Bekare; 2. Premtimi me xhenet për ata që janë pasuesit e Muhamedit a.s., e që Allahut nuk ia shoqërojnë dikë tjetër; dhe 3. Falja e pesë namazeve gjatë ditës.

 A ishte Miraxhi vetëm me shpirt apo edhe me trup?

Pejgamberi a.s. e ka bërë Mi’raxhin me shpirt dhe trup dhe në gjendje të zgjuar. Konfirmim për këtë janë fjalët e Allahut: “që e barti robin e Tij (Muhamedin a.s.)”. Fjala rob (abd), e përdorur në ajetin kur’anor, në arabisht do të thotë një qenie e plotë njerëzore e përbërë nga shpirti dhe trupi, ashtu siç është rasti me termin “insan”. Nuk ka dyshim se kjo është e mundshme dhe e pranueshme për logjikën e muslimanit sepse Allahu është i Gjithëpushtetshëm dhe kur Ai dëshiron diçka vetëm thotë: “bëhu dhe ai bëhet”.

Madje edhe kundërshtimi i idhujtarëve ishte ngase ata e kishin kuptuar se Muhammedi a.s. kishte udhëtuar me shpirt e trup, përndryshe ata nuk do të kundërshtonin. Gjatë Israsë, trupi i Pejgamberi a.s. nuk ka pësuar ndryshime. Kurse gjatë Miraxhit, nëpër shtatë qiejt, trupi i Pejgamberit ka pësuar ndryshime. Pas arritjes në Sidretul Munteha edhe një herë trupi i bekuar i Pejgamberit a.s. ka pësuar ndryshime, për të arritur aty ku nuk mund të shkonte madje edhe vetë Xhibrili a.s.

Kthimi dhe tregimi

Në mëngjes, Pejgamberi a.s. shkoi në Qabe dhe tregoi për Miraxhin.  Kur të pafetë e dëgjuan këtë, ata filluan të bënin shaka. Shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë se miku yt thotë se brenda një nate ka shkuar në Kuds dhe është kthyer prej atje. Kur Ebu Bekri dëgjoi për këtë u tha: “Nëse ai e ka thënë një gjë të tillë, unë i besoj”. Pejgamberi a.s. atë ditë e quajti Ebu Bekrin “Sidik” (i sinqertë).

Idhujtarët, për ta sprovuar Pejgamberin a.s., i thanë: “Muhamed, ti thua se ke qenë në Kuds! Na trego atëherë sa dyer dhe sa dritare ka xhamia Aksa?” Pejgamberi më vonë ka thënë: “Unë nuk e kam ditur atë që më pyetën ata. Por, kur filluan të më pyesnin, Xhibrili ma solli Mesxhidul Aksanë para syve. Unë e shihja atë, numëroja (dyert dhe dritaret) dhe menjëherë iu përgjigjesha pyetjeve të tyre.” Pejgamberi a.s. iu tregoi idhujtarëve se gjatë kthimit për në Mekë kishte parë një karvan me udhëtarë me deve dhe se ata do të arrinin ditën e mërkurë. Ashtu edhe ndodhi. Karvani arriti të mërkurën para perëndimit të diellit. Besimtarëve iu forcua besimi kurse idhujtarëve kryeneçësia. Gjithashtu, atë mëngjes, Xhibrili a.s. shkoi dhe ia mësoi Pejgamberit a.s. mënyrën e faljes së pesë namazeve dhe kohët e tyre. Më parë namazi ka qenë dy rekatë në mëngjes dhe dy rekatë në mbrëmje.

 Mësime

Nga Israja mësojmë se atëherë kur heqin dorë njerëzit në tokë, vjen ndihma nga qielli. Lidhja mes Mesxhidul Haramit dhe Mesxhidul Aksasë na bën me dije se këto dy xhami janë të shenjta. Namazi i Pejgamberit a.s. si imam i pejgamberëve të tjerë ka domethënien se mesazhi i tij vlen për të gjithë popujt, vendet dhe do të vazhdojë sa të ketë jetë mbi tokë. Të gjitha urdhrat dhe ndalimet i kanë ardhur Muhamedit a.s. nga Allahu nëpërmjet melekut Xhibril, kurse vetëm një obligim i ka ardhur direkt e ai është namazi, gjë që tregon për rëndësinë e tij. Me namaz njeriu lartësohet dhe afrohet tek Allahu. Prandaj namazi nuk duhet të kundrohet vetëm si një obligim, por duhet të shndërrohet në një lloj miraxhi, ku ne të ndiejmë kënaqësinë e qëndrimit para Allahut dhe komunikimit me Të.

 

Nga e njëjta rubrike