Ne ose shprehim dëshirë ose keqardhje

Të dashur vëllezër në Islam!

Njeriu ose shpreh dëshirë ose keqardhje. Ne të gjithë dëshirojmë diçka dhe na vjen keq për diçka. Secili prej nesh do të dëshironte t’i realizohen disa ëndrra dhe plane të caktuara, por gjithashtu, shumë do të dëshironim të ishim në gjendje ta kthenim kohën dhe t’i ndryshonim disa gjëra, por nuk mundemi. Në vend të kësaj, ne shprehim keqardhje dhe themi:

“Ah çfarë fati, sikur mos ta kisha bërë!”,

“Ah çfarë fati, sikur mos të kisha shkuar!”,

“Ah çfarë fati, sikur ta kisha ditur!”

Ka edhe të atillë të cilët do të thonë se për asgjë në jetën e tyre nuk ankohen dhe nuk do të ndryshonin asgjë, mund të pajtohemi edhe me këtë, por të tillë ka pak. Më shumë janë ata që shprehin keqardhje.

Edhe Kurani famëlartë i përmend njerëzit që shprehin keqardhje:

 “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!” (en-Nebe, 40)

“Ah! Sikur të kisha punuar gjëra të mira në jetën time!” (el-Fexhr, 24)

 “Ah, sikur mos të më ishte dhënë libri im!” (el-Hakkah, 25)

“Ah! Sikur të mos e kisha bërë atë apo këtë mik!” (el-Furkan, 28)

“Ah, sikur t’ju kishim përulur Allahut dhe ta kishim dëgjuar Pejgamberin!” (el-Ahzab, 66)

 “Ah! Ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me Pejgamberin! (el-Furkan, 27)

“Ah, sikur të kisha qenë me ta, e të arrija fitim të madh!” (en-Nisa, 73)

Vëllezër të dashur;

A mund ta vërejmë atë që është e përbashkët për të gjitha këto keqardhje?

Natyrisht, të gjitha këto keqardhje i flasin ata që tashmë janë të vdekur dhe të cilët gjatë jetës së tyre e kanë humbur shansin që ta meritojnë mëshirën e Allahut dhe të bëjnë mirë. Prandaj ata pendohen dhe ankohen.

Megjithatë, ne jemi ende gjallë dhe kemi mundësinë tonë. Pikërisht për këtë, Zoti ynë na ka paralajmëruar me kohë, që të mos pendohemi më vonë.

– Ah, sikur të kisha qenë me ta, e të arrija fitim të madh!

Me kënd është dashur të jetë ai dhe çfarë të mirë ka humbur?

Natyrisht, ai është dashur t’i bashkohet xhematit tij dhe njerëzve të ndershëm të cilët bënin gara në vepra të mira.

Ai është dashur të jetë me ata që i ngjishnin radhët dhe njëri-tjetrin e donin dhe e respektonin.

Ai është dashur të ketë qenë në anën e të mirës dhe të njerëzve të mirë. Është dashur sepse ashtu do ta arrinte fitimin e madh të cilin e ka humbur.

Mos t’i lejojmë vetes të pendohemi dhe të ankohemi në këtë mënyrë!

– Ah, sikur t’ju kishim përulur Allahut dhe ta kishim dëgjuar Pejgamberin!

Atëherë, kujt iu kanë përulur?

Kujt iu kanë robëruar?

Parasë, pasioneve, reputacionit, njerëzve…?

Besimtari i nënshtrohet vetëm Allahut dhe vetëm Atij i robërohet, i përulet edhe Pejgamberit (savs), dhe e ndjek sunetin e tij. Besimtari e ulë kokën vetëm para Allahut, për hir të Tij urren dhe dashuron, për hir të Tij zemërohet dhe gëzohet. Për besimtarin, Pejgamberi (savs), është modeli më i bukur të cilin e ndjek, dhe të cilit ia dëgjon fjalët dhe këshillat.

Mos t’i lejojmë vetes që të ankohemi pse i kemi ndjekur të tjerët dhe iu kemi robëruar të tjerëve!

– Ah! Sikur të mos e kisha bërë atë apo këtë mik!

Kush ishte miku i tij?

Sigurisht dikush që e ka çuar rrugës së keqe dhe në vepra të këqija.

Mik e ke atë që të mbështet në të mirë, por që t’i tregon edhe gabimet.

Miku, kur e meriton, të jep mbështetje, por, përsëri kur e meriton, edhe kritikë të drejton, edhe nëse gjithmonë nuk të vjen mirë.

Miku do të jetë me ty edhe kur e ke lehtë, edhe kur je në vështirësi.

Allahu i Plotfuqishëm e mori për mik të vetin Ibrahimin (a.s.).

Muhamedi (savs) si mik të vetin e pati të nderuarin dhe të devotshmin Ebu Bekrin (r.a.).

Kush është miku yt dhe miku im?

A është dikush që të çon në të mirë, apo dikush, nga i cili vetëm të dhemb koka?

Mos t’i lejojmë vetes që për shkak të mikut të pendohemi dhe të ankohemi, atëherë kur do të jetë tepër vonë!

– Ah! Sikur të kisha punuar gjëra të mira në jetën time!

Të gjithë e dimë se pas kësaj jete, ekziston jeta tjetër, sepse ne të gjithë besojmë në atë jetë.

Por, a jemi duke u përgatitur për të?

Varrezat janë përplot me ata që kanë thënë: “Hajt, se ende ka kohë!”

Vdekja çdo ditë po na këshillon. Çdo ditë në botën tjetër po shkojnë të rinj dhe të moshuar, femra dhe meshkuj, të pasur dhe të varfër.

Dhe përsëri: “Ah! Sikur të kisha punuar gjëra të mira në jetën time!”

E pra, për çka po përgatitemi ne në këtë jetë?

Ka kohë!?

Le të themi se ka. Le të themi se kanë mbetur edhe 5, 8, 15 apo 30 vjet. Periudhë e bukur, por çka pastaj?

Mos t’i lejojmë vetes që të jemi nga ata që do të ankohen duke thënë: “Ah! Sikur të kisha punuar gjëra të mira në jetën time!”

– Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!

Sa i dëshpëruar dhe i mjerë duhet të jetë dikush që në këtë mënyrë ankohet dhe e dëshiron këtë? Vetëm humbja totale! Megjithatë, edhe ajo humbja totale e di se dikur ka qenë dhé, sepse Allahu pikërisht nga dheu e ka krijuar dhe përsëri në dhé e ka kthyer. Nga dëshpërimi dhe mjerimi i madh, që jetën e ka kaluar kot, që nuk ka fituar asgjë, për shkak se nuk ka pasur asnjë qëllim, dhe për shkak nuk iu ka përmbajtur asgjëje; për këto arsye i gjori do të dëshirojë që Allahu të mos e kishte krijuar fare.

Mirëpo, Ai e ka krijuar; edhe atë, edhe ty, edhe mua, dhe jo pa arsye, por me një qëllim dhe kuptim të qartë. Ai na ka krijuar neve që t’i bindemi Atij, që të bëjmë mirë dhe si të tillë t’i kthehemi.

Mos t’i lejojmë vetes të bëhemi humbës të tillë, por t’i pranojmë obligimet tona dhe t’i përmbushim në mënyrën më të mirë që mundemi!

– Ah, sikur mos të më ishte dhënë libri im!

Gjithçka do të ishte lehtë sikur të mos ishte “libri”. Mirëpo, është libri. Dhe janë tre libra, këtë duhet ta mbajmë mend mirë. Njëri është i shkruar, kurse dy i shkruan ti vet. Librin e parë e ka shkruar meleku, derisa ende ke qenë në barkun e nënës. Jetën tënde, nafakën, momentin e vdekjes, të gjitha këto janë në të. Libri i dytë është namazi. Për të, Kurani thotë se është “kitaben mevkuta” – libër me afat. Natyrisht, librin e namazit me afat të caktuar e shkruan  ai që e fal namazin. Ndërsa libri i tretë është libri i cili do tu jepet besimtarëve në dorën e djathtë, kurse jobesimtarëve në dorën e majtë ose prapa shpinës. Ky është libri të cilin e kanë shkruar melekët, shkruesit e ndershëm (kiramen katibin). Ky libër nuk ka lënë jashtë asnjë gjë të vogël, asgjë nga ajo që kemi thënë ose kemi bërë, kurse shkruesit e kanë shkruar ashtu siç u kemi diktuar ne me veprimet tona. Ky është libri i jetës, dosja jonë, i tërë arkivi. Sidoqoftë, detaji kryesor është se ne ende po ju diktojmë melekëve. Ne po i urdhërojmë se çka të shkruajnë. Veprojmë mirë – u shkrua! Veprojmë keq – përsëri u shkrua! Nëse rastësisht, harrojmë çka kemi bërë, libri ynë do të na dorëzohet në dorë. Në cilën dorë? Kjo varet nga ne.

Mos t’i lejojmë vetes të pendohemi dhe të dëshirojmë që libri të mos na ishte dhënë! Kjo do të thotë se kemi dështuar.

Por nuk duhet të jetë kështu. Pse?

Sepse ne nuk jemi të vdekur. Përkundrazi, jemi gjallë dhe ende kemi shansin tonë.

Shansi ynë është në atë që, me kohë ta kuptojmë se alternativa më e mirë e mundshme është të jemi me xhematin dhe me ata që bëjnë mirë.

Shansi ynë është që ta ulim kokën para Allahut dhe ta ndjekim të Dërguarin e Tij. Shejtani na mashtron, na çon në rrugë të gabuar dhe na frikëson me varfëri, kurse Allahu na dëshiron të mirën dhe na premton jetë të këndshme nëse e ndjekim udhëzimin e Tij dhe Pejgamberin e Tij.

Shansi ynë është që, t’i hapim sytë mirë dhe të mendojmë se kush na dëshiron të mirën dhe me kënd e kalojmë kohën tonë. Ne e diktojmë librin tonë dhe vetëm sipas tij do të gjykohemi.

Prandaj, ne ende kemi kohë, por duhet të shikojmë se çka po diktojmë.

O Zot, na bëj që vetëm Ty të të shërbejmë, që librin tonë me vepra të mira ta plotësojmë, që me njerëz të mirë të shoqërohemi dhe një jetë të mirë ta jetojmë, AMIN!

Safet ef. Pozder; islamskazajednica.ba

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

 

Nga e njëjta rubrike