OKB: Gjendja në Mianmar duhet t’i referohet Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Raportuesja e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mianmar, Yanghee Lee, bëri thirrje që situata në Mianmar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së t’i referohet Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), raporton Anadolu Agency (AA).

“Viktimat nuk duhet të detyrohen të presin purgatorin e mosveprimit ndërkombëtar. Nëse nuk është e mundur situata t’i referohet GJPN-së, komuniteti ndërkombëtar duhet të mendoj krijimin e një gjykate të pavarur”, tha Lee, duke folur në seancën e 40-të të Këshilit për të Drejtat e Njeriut.

Lee tha se ajo është “e frikësuar nga situata gjithnjë e ndërkombëtarizuar e refugjatëve Rohingya, me dëbime të kohëve të fundit nga India dhe Arabia Saudite, si dhe nga arritja e varkës javën e kaluar në Malajzi”.

“Unë jam e shqetësuar kur dëgjoj raporte nga zyrtarët e qeverisë së Bangladeshit se në prill planifikojnë të zhvendosin 23 mijë refugjatë Rohingya nga kampet në Cox’s Bazar në ishullin e sapoformuar në Gjirin e Bengalit, në Bhashan Char”, deklaroi Lee.

Siç paralajmëroi e dërguara e OKB-së në Mianmar, zhvendosja e keq-planifikuar dhe pa pëlqimin e refugjatëve Rohingya ka potencialin për të krijuar një krizë të re.

“Është detyrë e qeverisë së Bangladeshit për të siguruar që kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ajo.

Konflikti mes organizatave të armatosura etnike

Më tej, Lee po ashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me konfliktin midis organizatave të armatosura etnike në shtetin Shan në veri të Mianmarit.

“Pavarësisht nga armëpushimi i njëanshëm i deklaruar nga ushtria në muajin dhjetor në veri dhe në lindje të vendit, unë jam gjithnjë e më e shqetësuar për konfliktin midis organizatave të armatosura etnike në shtetin Shan”, tha ajo.

“Ka raportime për vdekje të civilëve dhe se mijëra njerëz janë zhvendosur përkohësisht nga shtëpitë e tyre gjatë muajve të fundit, me 1.700 persona që ikin nga Namtu dhe Hsipaw që nga 27 shkurti. Kjo shkelje e përsëritur dhe e vazhdueshme shërben vetëm për të traumatizuar të rriturit dhe fëmijët, duke prishur jetën e tyre të përditshme, arsimimin dhe jetesën, si dhe duke ndikuar në aftësinë e tyre për të pasur qasje në shërbimet shëndetësore dhe ato bazë. Kjo nuk duhet të vazhdoj”, deklaroi Lee.

Ajo përsëriti thirrjen e saj për të gjitha palët në konfliktet rreth vendit, që “të mbrojnë civilët, të marrin masa paraprake dhe t’u japin fund armiqësive”.

Dy refugjatë Rohingya e shoqëruan Lee-n gjatë konferencës për media.

Refugjatja Hamide Hatun tha se burri i saj dhe shumë anëtarë të familjes së saj u vranë nga ushtria e Mianmarit. Ajo i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të sjell drejtësi për muslimanët Rohingya.

“Ne duam të kthehemi në vendin tonë në një mënyrë të nderuar dhe të sigurt, si dhe duam që të fitohen të drejtat tona të plota të qytetarisë”, tha Hatun.

Refugjati Muhip Ullah po ashtu u bëri thirrje të gjithëve në takim për të parë situatën e tyre aktuale në Cox’s Bazar, duke shprehur shpresën e tyre nga veprimet e OKB-ja më shumë se fjalët.

Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

 

Nga e njëjta rubrike