Invazion i sheruesve të rrejshëm të FB dhe të atyre që e heqin magjinë e zezë

Në ditët e fundit, shumë shpesh po ju vijnë njerëzve reklama të FB, në të cilat përmes internetit disa persona të dyshimtë ofrojnë shërbime të heqjes së magjisë së zezë dhe shumë shërbime të tjera të karakterit të njëjtë. Kur njeriu në disa prej këtyre profileve i shikon të gjitha ato që theksohen në përshkrimin e shërbimeve të ofruara, mendon se e vetmja gjë që ata nuk mund ta bëjnë mbetët vetëm ringjallja e të vdekurve, por në fakt, ata janë mashtrues që as vetes së tyre nuk mund t’i ndihmojnë. Njeriu nuk mund të mos habitet se si njerëzit me injorancën e tyre aq lehtë mund të bien viktimë e tregimit të tyre dhe se si mund të mashtrohen aq lehtë.

Në lidhje me këtë, shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet se Islami e lejon kurimin (trajtimin e sëmundjes) në njërën nga mënyrat e mëposhtme:

– Me metodë shkencore të cilën e miraton dhe rekomandon mjekësia. Metodë për të cilën mjekësia e ka sqarimin e vet.

– Me lexim të Kuranit, me rukje. Pa marrë parasysh, se njeriu a e lexon vetë për vete rukjen, apo dikush tjetër e lexon për të.

– Bërja e lutjes tek Allahu, në të cilën kërkohet shërimi. Njeriu mund të bëjë lutje vetë për veten e tij, por gjithashtu mundet që për të t’i bëjë lutje Allahut ndonjë person tjetër i gjallë.

– Përdorimi i asaj që është konfirmuar në hadithe autentike si: mjalti, uji i zemzemit, fara e zezë, hixhamja, e të ngjashme.

Është shumë e rëndësishme të kemi kujdes me sa vijon:

(1) Nga personat që shkruajnë hajmali dhe në atë mënyrë gjoja shërojnë sëmundje të ndryshme.

Në Islam, rreptësishtë është e ndaluar bartja e hajmalive, pa marrë parasysh se çka përmban hajmalia, madje edhe nëse në të, ndër të tjera, ka të shkruara ajete kuranore. Hadithet autentike të Pejgamberit (savs), e konfirmojnë ndalesën e bartjes së hajmalive ose vendosja në trup të ndonjë gjëje tjetër, si peri i kuq ose dru bërsheni, me qëllim të mbrojtjes nga mësyshi. Prandaj, derisa e shihni se një person shkruan hajmali, dijeni se ai është mashtrues.

(2) Nga personat të cilët pretendojnë se e dinë të fshehtën (gajb), të ardhmen, dhe në bazë të kësaj kinse njerëzve ju ofrojnë zgjidhje për problemet e tyre jetësore.

Argumentet e Kuranit dhe hadithit e vërtetojnë qartë se të fshehtën, sipas mësimeve islame, nuk e din askush përveç Allahut. Të gjithë ata që pohojnë se në çfarëdo mënyre mund ta dinë se çka do të ndodhë në të ardhmen janë gënjeshtarë dhe jemi të detyruar tu shmangemi nga kërkimi i shërimit prej tyre. Sipas kësaj, të gjitha mënyrat e zbulimit të së ardhmes janë rreptësishtë të ndaluara. Shikimi në shuplakë të dorës, hedhja e fasules, hedhja e lugës, shikimi në filxhan, leximi i horoskopit dhe të ngjashme, janë vetëm disa nga këto mënyra.

Në Islam nuk ekziston kurrfarë hapje e yjeve.

Në Islam nuk ekziston kurrfarë derdhje e frikës.

Fakti se dikush në FB publikon foto me Kuran në dorë, ulur në sexhade me duar të ngritura – duke aluduar se i bën lutje Allahut, duke mbajtur tespihe në dorë, ka kapelë të bardhë mbi kokë, mban shami në kokë, është fotografuar te Qabeja, nuk duhet të na mashtrojë dhe të mendojmë se ai bën shërimin në mënyrën e duhur. Maska më e mirë, prapa së cilës mund të fshehën shëruesit e rremë është Islami. Islami shikon në thelbin dhe mënyrën e kurimit, por kurrsesi jo në pamjen e jashtme të një personi i cili paraqitet rrejshëm.

Të nderuar vëllezër dhe motra të respektuara, mos lejoni që dikush të luajë me mendjen tuaj, duke ju shitur ndonjë hajmali ose në bazë të “diturisë” për të fshehtën ta “zgjidh” problemin tuaj. Këta janë njerëz të pa shpirt, të cilët pasurohen përmes problemeve të të tjerëve.

Fakti që ju keni problem nuk duhet të jetë arsye për të ndërmarrë veprime të ndaluara për kurim.

Falë Allahut, kemi më shumë mënyra të kurimit që janë të lejuara. Le t’i ndërmarrim të gjitha veprimet që janë të lejuara dhe që janë në mundësinë tonë, pastaj, le t’i bëjmë lutje Allahut për të na shëruar duke u mbështetur në Allahun e Plotfuqishëm. Ai është i Cili jep ilaçin për sëmundje të caktuar.

Minber.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

 

 

 

 

 

Nga e njëjta rubrike