Rreth Taklidit (ndjekjes së medh’hebeve)

Juristi i famshëm hanefi, shejh Abd’ul-Gani En-Nablusi thotë:

“Çështjet, për të cilat është rënë dakord – pa ndonjë dyshim dhe nga domosdoshmëria – nuk kërkojnë taklid (ndjekje, pasim) të ndonjërit nga katër imamët (respektivisht medh’hebet), siç është obligimi i namazit, agjërimi, zekati dhe haxhi etj., dhe siç është ndalimi i tradhtisë bashkëshortore dhe prostitucionit, pirjes së alkoolit, vrasjes, vjedhjes dhe uzurpimit, etj. Çështjet, mbi të cilat debatohet, janë çështje që kërkojnë taklid pashmangshmërisht.” [1]

Shejh Hatib El-Bagdadi shkruan:

“Sa i përket normave islame, ato janë dy llojesh. Të parat janë ato, të cilat janë të njohura dhe të pranuara nga domosdoshmëria si pjesë të Fesë së Pejgamberit, a.s., sikurse pesë kohët e namazit, zekati, agjërimi i Ramazanit, haxhi, ndalimi i tradhtisë bashkëshortore, alkooli, etj. Taklidi nuk lejohet në këto çështje, meqë ato janë të atilla saqë çdokush duhet t’i di ose t’i kuptojë. Lloji i dytë janë ato norma, të cilat kanë nevojë për t’u kuptuar dhe ekstrapoluar, sikurse janë për shembull detajet e ritualeve të adhurimit, transaksionet dhe martesat, etj. Në këto çështje taklidi lejohet, meqë Allahu, xh.sh., thotë:

… فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ‌ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“… Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini.” (Kur’an, En-Nahl: 43)

Nëse taklidi nuk do të ishte i lejuar në këto çështje, kjo do të nënkuptonte se secilit do t’i duhej t’i mësonte këto imtësi (në mënyrë direkte). Kjo do t’i ndërpriste njerëzit nga puna dhe jetesa e tyre; do t’i shkatërronte të korrat e prodhimet, si dhe kafshët shtëpiake. Kështu që, kjo nevojë (e të mësuarit e këtyre detajeve) duhet të përjashtohet.” [2]
_________________________________

  1. Hulasat’ut-tahkiki fi hukm’it-taklidi ve’t-telfik, f. 4, e shtypur nga El-Jeshik, Stamboll.
  2. El-Fekih ve’l-Mutefekkih, vol. 2, f. 67, e shtypur nga Dar’ul-Ifta’, Riad, Arabi Saudite, 1389 h.

Përktheu: Daim Abazi

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike