O besimtarë! Hani ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje, ndihmë dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme me lejen dhe ndihmën e Allahut do të flasim në temën: “O besimtarë, hani nga ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar”

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُلُواْ مِن طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُواْ لِلّهِ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ

“O besimtarë, hani nga ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar Na juve dhe nëse jeni adhurues të Allahut bëhuni falënderues të Tij!” (el-Bekare, 172)

Të dashur vëllezër, ajeti i cituar na i tregon tri gjëra;

  1. Muslimanët hanë dhe pinë vetëm ushqim hallall

Pejgamberi (savs) thotë: “O njerëz, Allahu është i bukur dhe pranon vetëm të bukurën!”

Allahu i Plotfuqishëm besimtarëve u ka urdhëruar të njëjtën gjë që u ka urdhëruar edhe pejgamberëve.

Ai ka thënë në Kuran: “O Pejgamberë, hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!” (el-Muminune, 51)

Gjithashtu ka thënë: “O besimtarë, hani nga ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar Na juve dhe nëse jeni adhurues të Allahut bëhuni falënderues të Tij!” (el-Bekare, 172)

Pastaj Pejgamberi (savs) ka përmendur pasagjerin, me flokë të çrregulluara e të pluhurosura, i cili kishte ngritur duart kah qielli dhe bënte lutje: “O Zot, o Zot!”, por ushqimi i tij ishte nga harami, pija e tij ishte nga harami, veshja e tij ishte nga harami, dhe krejt ai ishte i zhytur në haram, e si mund t’i pranohej lutja e tij?!”

Transmetohet se Davudi (a.s.) e kishte urdhëruar të dërguarin e tij që të thërras: “O njerëz, mblidhuni se dua t’ua mësoj devotshmërinë!” Kur ata u mblodhën, Davudi (a.s.), qëndroi në mihrab, qau, pastaj e falënderoi dhe lavdëroi Allahun, dhe duke treguar kah goja, tha: “O njerëz, shtini në të vetëm atë që është hallall, dhe le të dalë prej saj vetëm ajo që është e mirë!”

Thotë Pejgamberi (savs): “Nuk do të hyjë në xhenet një trup që është ushqyer me haram; për të më parësor është zjarri…”

Duke shikuar filma historik, në të cilët tregohet jeta e muslimanëve dhe jomuslimanëve, mund të vërehet se një nga karakteristikat kryesore të muslimanëve, ajo që i bën muslimanët të njihen dhe të dallohen nga jomuslimanët, është pikërisht ushqimi i tyre. Kështu që shpesh mund t’i dëgjojmë fjalët: “Mos i sillni verë (alkool) që mos ta lëndojmë musafirin tonë musliman.” Gjithashtu, nëse do të donin ta fyenin një musliman, atëherë do ta fyenin duke e lidhur në një farë mënyre me derrin.

Kurse sot? Nuk ka nevojë asnjë nga jomuslimanët të na respektojë apo poshtërojë në atë mënyrë, sepse për një qytetar tonin mesatar, për një musliman mesatar, alkooli (me shumicë) dhe mishi i derrit (diçka më pak) janë bërë pjesë përbërëse e jetës. Kur hyn në shtëpinë e tij, aty gjen alkool (diku edhe mish derri). Shkon në dyqan, ku banorët janë 100% muslimanë, përsëri e gjen alkoolin (dhe ushqimet me përbërje të mishit dhe yndyrës së derrit)! Shkon në stadium alkooli dhe derri! Shkon në gjueti, përsëri alkooli dhe derri! Kryesisht, kudo që kthehesh e gjen alkoolin dhe mishin e derrit, ndërsa të gjithë thonë se janë muslimanë. Kohë e çuditshme. Njerëz të çuditshëm. Me siguri, nëse të parët tanë, stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët, të ngritën nga varret dhe të na shohin se çka hamë dhe çka pimë, nuk do të na njohin, por nga momenti kur të na njohim, do të hiqnin dorë dhe do të distancoheshin nga ne dhe nga veprimet tona.

  1. Muslimanët e falënderojnë Allahun për begatitë që ju ka dhënë

Vëllezër të respektuar;

Në mbarë botën, vdesin nga uria më shumë se 100,000 njerëz në vit, nga të cilat 16,500 janë fëmijë. Mbi 800 milionë njerëz sot, nuk kanë asgjë për të ngrënë. Duke i pasur parasysh këto fakte, një nga mësimet e para që iu mësohet fëmijëve në mejtep janë edhe “Rregullat e sjelljes në sofër”. Kështu që aty thuhet se duhet të fillohet me bismilah (në emër të Allahut) dhe të përfundohet me elhamdulil-lah (me falënderim për Allahun).

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “E, pak nga robërit e Mi janë falënderues.” (Sebe’, 13)

Sa është ky ajet e saktë, mund të konstatojmë në secilin prej zijafeteve tona. Disa lloje të piteve, sa të ëmbla sa me kripë. Disa lloje të ndryshme të lëngjeve. Përplot sofra me fruta dhe me biskota. Dhe pastaj, në një begati të tillë dhe me bollëk, fillojmë të ankohemi se nuk kemi!!!

 Vëllezër të dashur;

Le të kthehemi pak në botën reale! Ne nuk jetojmë në filma dhe seriale, ata që vdesin nga uria çdo ditë, nuk kanë asgjë, andaj vdesin, kurse ne? Neve na mbetët vetëm të themi: Falënderimi i qoftë Allahut i Cili na ka mundësuar ushqim dhe pije me bollëk.

  1. Muslimanët devotshmërinë e tyre e shprehin edhe përmes ushqimit dhe pijes

Mejmun ibn Mehran ka thënë: “Një njeri nuk do të jetë i devotshëm derisa mos të jetë ndaj vetes më i ashpër sesa ndaj partnerit në firmë, derisa vetes t’i jepe llogari, prej nga i ka rrobat e tij, prej nga e ka ushqimin dhe prej nga i ka pijet e tij.”

Hutben e sotme do ta përfundojmë me disa vargje të Jahja b. Meinit, në të cilat thuhet:

Pasuria shpenzohet, qoftë hallall apo haram,
ajo zhduket, por gjurmët e saj mbeten sa janë.

Asnjë njeri nuk është i devotshëm tamam,
derisa ushqimin dhe pijet nuk i ka hallall.

Rrobat që i veshim duhet t’i kemi nga malli i fituar hallall,
e mirënjohjen ndaj Allahut për begatitë, e kemi detyrim të parë.

Këto porosi nga Allahu, Pejgamberi ynë na i ka thënë,
andaj, salavati dhe selami për të, le të jenë gjithmonë.

O Zoti ynë, na bëj të kënaqemi me hallallin e mos të shkojmë në haram!

Na kënaq neve me begatitë Tua, që mos të kthehemi te dikush tjetër!

Na ndihmo Ty të Të kujtojmë, Ty të Të falënderojmë dhe Ty të Të adhurojmë!

O Allah, bëju Ti për neve ndihmës dhe mbështetje! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini;

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike