Lexoni letrën prekëse dhe jetësore, të cilën gjyshi ua shkroi nipave dhe mbesave

Po ju sjellim tregimin nga portali ‘virealno.com’. Shkrimtari nga Nju Jorku, James K. ‎Flanagan, pak para vdekjes së tij e shkroi një letër prekëse mbi vlerat më të mëdha të jetës. ‎

Flanagan vdiq para 4 vjetëve, jo shumë kohë pas përpilimit të letrës, kurse publikut, jo ‎shumë moti, ia prezantoi vajza e tij Rachel. Përveç familjes dhe nipave e mbesave të tij, ku ‎më i vogli i ka 5, kurse më i madhi 11 vjet – letra e impresionoi gjithë botën.‎

Lexoni atë!‎

‎”Të dashurit Ryan, Conor, Brendan, Charlie dhe Mary Catherine! Bija ime, e dashur dhe e ‎mençur Rachel, më ka kërkuar që t’i shkruaj disa këshilla, nga ato që i kam mësuar në jetë. ‎Po e shkruaj këtë letër më 8 prill 2012, saktësisht në ditëlindjen time të 72-të.‎

‎1. Secili prej jush është dhurata më e bukur nga Zoti për familjen e tij dhe gjithë botën. Kurrë ‎mos e harroni këtë, sidomos kur dyshoni për veten dhe kur jeni të dekurajuar.‎

‎2. Mos kini frikë nga askush dhe asgjë dhe jetoni me mushkëritë e plota. Ndiqni dëshirat dhe ‎shpresat tuaja pa marrë parasysh sa janë të vështira dhe sa janë të ndryshme nga ato tek të ‎tjerët. Njerëzit shpesh nuk veprojnë atë që duan apo çka duhet të bëjnë, sepse vazhdimisht ‎mendojnë se çka do të mendojnë të tjerët dhe çka do të thonë. Dhe mos harroni edhe një gjë ‎të rëndësishme – njerëzit të cilët nuk ju sjellin supë kur jeni të sëmurë, ose nëse nuk janë ‎pranë jush kur ju keni nevojë për ta, ata nuk janë të rëndësishëm!‎

‎3. Ne të gjithë jemi njerëz të zakonshëm. Disa veshin rroba të shtrenjta ose kanë tituj të lartë ‎ose pushtet të madh dhe mendojnë se janë mbi të gjithë të tjerët, por nuk është ashtu. Edhe ‎ata i kanë dyshimet, frikën dhe shpresat e njëjta, hanë, pinë, flenë dhe zgjohen, si gjithë ‎bota normale.‎

‎4. Kur të rriteni dhe të lindni fëmijë, gjithmonë mbani në mend proverbin e vjetër irlandez: ‎Lavdëroni fëmijët dhe ata do të lulëzojnë!‎

‎5. Bëhuni të mirë dhe gjithmonë ndihmoni njerëzit – veçanërisht ata që janë të dobët, të ‎frikësuar dhe fëmijët. Të gjithë kanë njëfarë pikëllimi dhe kanë nevojë për dhembshurinë ‎tuaj.‎

‎6. Lexoni libra sa më shumë që të mundeni. Ata janë burim i mrekullueshëm i kënaqësisë, ‎mençurisë dhe frymëzimit.‎

‎7. Gjithmonë bëhuni të ndershëm.‎

‎8. Udhëtoni sa më shpesh që mundeni, veçanërisht kur jeni të rinj. Mos prisni që të keni ‎para të mjaftueshme ose derisa ta plotësoni krejt mozaikun. Kjo nuk ndodh kurrë.‎

‎9. Zgjidhni një punë ose profesion që do ta doni. Natyrisht, do të ketë edhe momente të ‎vështira, por puna duhet të jetë kënaqësi për ju.‎

‎10. Mos bërtitni! Ajo kurrë nuk ka sukses, dhe ju lëndon edhe juve edhe të tjerët. Çdo herë ‎që kam bërtitur, kam përjetuar dështim.‎

‎11. Gjithmonë plotësoni premtimet që ju keni bërë fëmijëve. Mos thoni “do të shohim”, nëse ‎e dini se përgjigjja është “jo”. Fëmijët e presin të vërtetën, jepjani atë atyre me dashuri dhe ‎mirësi.‎

‎12. Kurrë mos i thoni dikujt se e doni, nëse nuk është ashtu.

‎13. Jetoni në harmoni me natyrën: dilni jashtë, shkoni në pyll, në male, në det, në ‎shkretëtirë. Kjo është shumë e rëndësishme për shpirtin tuaj.‎

‎14. Përqafoni njerëzit që i doni. Thoni atyre tani se sa janë të shtrenjtë për ju, mos prisni që ‎të jetë tepër vonë!”‎

Akos.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

Nga e njëjta rubrike