Qëndrimi i Sheriatit mbi parashikimin e së ardhmes

Pyetje:

Selam alejkum!

Sot në mesin e të rinjve është shumë e popullarizuar “Bongo”, i cili kur ju i dërgoni një mesazh, ai gjoja ju parashikon të ardhmen. Mua më intereson se, a konsiderohet mëkat kur “Bobgos” i dërgoni mesazh, pas të cilit ai do t’ju “parashikojë” të ardhmen?

 

Përgjigje:

Alejkum selam!

Të ardhmen e din vetëm Allahu i Plotfuqishëm. Pejgamberi (savs) për të ardhmen dinte vetëm atë që ia kishte shpallur Allahu. Allahu i Plotfuqishëm i tha Pejgamberit (savs):

“Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (el-Araf, 188)

Nëse Pejgamberi (savs), nuk e dinte të ardhmen, atëherë të tjerët kurrsesi nuk mund ta dinë. Ata njerëz që pretendojnë se e dinë të ardhmen, gënjejnë ose këtë e bëjnë në bashkëpunim me xhinët, siç thuhet në traditë.

Hz. Aisha ka transmetuar: “Disa njerëz e pyetën Pejgamberin (savs), për magjistarët, për të cilën ai u përgjigj: “Ata nuk përfaqësojnë asgjë.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ata po na flasin për ndonjë gjë të caktuar, e cila me të vërtetë po ndodh.” Pejgamberi (savs) tha: “Kjo është lajm i vërtetë të cilin xhini e dëgjon fshehurazi dhe ia pëshpërit klientit të tij, pastaj ata ia shtojnë asaj edhe 100 gënjeshtra.”

Personin i cili shkon tek mashtruesit e tillë, Pejgamberi (savs), e ka paralajmëruar duke thënë: “Kush e viziton magjistarin dhe e pyet për diçka, namazi i tij nuk do të pranohet 40 ditë.” (Muslimi)

Ky është dënimi vetëm për shkuarje tek magjistari. Ndërsa për atë që beson në atë që i thotë personi i tillë, Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush e viziton një parashikues të së ardhmes dhe beson në deklaratën e tij, ai ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit.” (Ebu Davudi)

Dikur për të ardhmen parashikonin magjistarët dhe fallxhorët, prandaj dhe ata janë përmendur në hadithe, por mesazhi i përgjithshëm i ajeteve dhe haditheve, të cilat flasin për parashikimin e fatit, është se askush nuk e di të ardhmen përveç Allahut të Plotfuqishëm, pa marrë parasysh nëse ai është person parashikues apo sistem.

Prandaj, dërgimi i porosive sistemit të informacionit “Bongo” me qëllim të “mësimit” të së ardhmes është lloj i besëtytnisë, ndërsa organizimi i projekteve të tilla përdoret për të manipuluar me kuriozitetin dhe mendjelehtësinë e njerëzve, sidomos të disa të rinjve, ose për të arritur qëllime të tjera të dyshimta e të pandershme. Muslimanët duhet të largohen nga besëtytnitë, supersticionet dhe vërsuljet pas ofertave të dyshimta “bujare”, të cilat shpërndahen përmes mediave të ndryshme.

____________________

Muftiu i Sarajevës, Dr. Enes Ljevakoviq

Fetve-i emini i Akademisë për Fetva pranë BI të Bosnjës dhe Hercegovinës

Përktheu: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike