Shkuarja në gazmendin e dasmës

PYETJE:

Selam alejkum!

Burri im thotë se është mëkat të shkohet në gazmendin e dasmës, ndërsa nga ana tjetër, ai çdo ditë shkon në kafene ku ka alkool, duhan, muzikë, ulje së bashku të grave dhe burrave. A është mëkat më i vogël shkuarja në kafene, ku janë të gjitha këto gjërat e numëruara, apo në dasëm?

 

PËRGJIGJE:

Alejkum selam!

Shkuarja në dasëm ose në një vend për rekreacion dhe pushim, vetvetiu nuk është e ndaluar. Mirëpo, nëse në dasëm ose në vendin e pushimit dhe rekreacionit kryhen veprime të ndaluara, si konsumimi i alkoolit, veprime të ndryshme imorale dhe të ngjashme, atëherë duhet shmangur shkuarjes në vende të tilla, edhe nëse vetë personi nuk i kryen ato mëkate. Shkuarja e vazhdueshme në vende të tilla, e plogështon ndjenjën e mëkatit dhe e zvogëlon aftësinë e personit për t’i rezistuar joshjes së shejtanit dhe sfidës së mëkatit. Ajo, gjithashtu, është tregues se një person i tillë është afër, ose nën kufirin e poshtëm të shkallës më të dobët e besimit, për të cilën flet hadithi i Pejgamberit (savs). Nuk është me vend të tërhiqet paralele midis dy mëkateve me qëllim të justifikimit ose nënvlerësimit të njërit prej tyre, sepse besimtari duhet t’i shmangët çdo mëkati. Krahasimi mund të bëhet vetëm në rast emergjence, kur patjetër duhet zgjedhur njërën nga dy të këqijat ose njërin nga dy mëkatet, dhe me atë rast duhet të zgjidhet dëmi apo mëkati më i vogël. Buhariu transmeton nga Abdullah Ibn Mesudi se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Vërtet besimtari i sheh mëkatet e tij, sikur të ulet nën një kodër, e të frikësohet se ajo do të bie mbi të, ndërsa mëkatari, i sheh mëkatet e tij, sikur një mizë që fluturon mbi hundën e tij, dhe ai ia bën kështu (dhe bëri shenjë me dorën e tij).”

 

Muftiu i Sarajevës, Dr. Enes Ljevakoviç

Fetve-i emini i Akademisë për Fetva pranë BI të Bosnjës dhe Hercegovinës

Përktheu: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike