Pasojat negative të mëkateve (pj. e parë)

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është:Pasojat negative të mëkateve”

Materializmi shumë bashkëkohës tanë i ka hipnotizuar, ashtu që nuk e lidhin mirë shkakun dhe pasojën, nuk e kuptojnë lidhjen midis punës dhe rezultatit të punës. Në mjediset muslimane janë paraqitur një grup që po shkon pas pasioneve dhe (në të ) po e ekzagjeron. Grupi i dytë është nën ndikimin e mendimit të filozofisë nga Lindja dhe Perëndimi, i neglizhon ligjet e Allahut dhe e pranon atë mendim si të vërtetë dhe (si) argument, mendon se vetëm armiqtë e Allahut po e thonë të vërtetën, dhe se vetëm ata dinë të punojnë mirë.

Kjo po ndodh në një kohë kur bota po tronditet nga fenomene shumë të rënda, përmbytje të mëdha, tërmete të tmerrshme, luftëra shkatërruese, zjarri i së cilave ende po flakëron, sëmundje, të cilat nuk kanë qenë të njohura më parë, e po i godasin njerëzit, të lashtat dhe kafshët, ngjarje të frikshme dhe ndarje të tmerrshme.

Ligji i Allahut të Plotfuqishëm, është i tillë, që kriminelët nuk mund të shpëtojnë nga ndëshkimi. Çdo e keqe dhe fatkeqësi ndodh si pasojë e mëkatit. Iblisi, të cilin Allahu e ka mallkuar për shkak të mëkateve, besimin e ka zëvendësuar me mosbesim, afërsinë me largësi, mëshirën me mallkim, xhenetin me zjarr të përjetshëm.

Populli i Nuhut u dënua me përmbytje, populli Ad u dënua me erë të tmerrshme, Themudit i ndodhi një britmë e tmerrshme, populli i Lutit u dënua me përmbysje të vendbanimeve të tyre; ajo që ishte lartë u përmbys poshtë dhe u hodhën gurë mbi ta. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ne të gjithë i kemi dënuar për mëkatin e vet. Ne, disave u kemi dërguar furtunën dhe disa të tjerë i ka goditur zëri i tmerrshëm, ndërsa disa prej tyre i kemi sharruar në tokë; e disa prej tyre i kemi fundosë në ujë. E, Allahu nuk u ka bërë atyre zullum, por ata vetes i kanë bërë zullum.” (el-Ankebut, 40)

Ky është një fakt krejtësisht i qartë “Ne të gjithë i kemi dënuar për mëkatin e vet.” Kjo është pasojë e mëkatit dhe ky është ndëshkimi që është afër autorëve.

Kudo që në një vendbanim shfaqen mëkatet, ato bëhen shkak për shkatërrimin e tij, kur i fitojnë zemrat – i verbërojnë, ndërsa kush përhapen tek njerëzit – bëhen shkak për poshtërimin e tyre deri te zhdukja e tyre përfundimtare.

Mëkatet shkaktojnë pasoja negative në shpirt, në trup dhe në familje, në tokë dhe në det, në ajër dhe në mjedis. Mëkatet janë shkaku i poshtërimit dhe shkatërrimit. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “E, kë ta poshtërojë Allahu, atë askush nuk mund ta bëjë të nderuar.“ (el-Haxh, 18)

Imam Ahmedi regjistron transmetimin nga Abdurrahman b. Xhubejr b. Nufejr nga babai i tij, se ka thënë: “Kur u mor Qipro, e pashë Ebu Derdanë, ishte ulur dhe po qante. E pyeta: – Pse po qan, o Ebu Derda, në ditën kur Allahu e ngriti Islamin dhe muslimanët? Ai mu përgjigj: – O Xhubejr, sa qenie të dobëta janë njerëzit, kur largohen nga rruga e Allahut… Dikur, ky popull ishte i fortë, kishte pushtet, por pastaj e lëshuan fenë e Allahut, dhe erdhën në këtë që ju po shihni!”

Si pasojë e mëkatit vjen brenga, pikëllimi dhe ngarkesa psikologjike; pastaj paaftësia, përtacia, dhe pastaj frikësimi, koprracia, borxhet dhe përbuzja e njerëzve. Për shkak të mëkateve zhduken begatitë dhe vijnë fatkeqësitë, në vend bekimit të Allahut meritohet zemërimi i Tij. Kur njeriu sprovohet me mëkate i ngurtësohet zemra, i dobësohet lidhja me njerëz të mirë, largohen nga ai anëtarët e mirë të familjes dhe të afërmit. Dikush nga paraardhësit tanë të mirë ka thanë: “Kurdo që kam bërë mëkat ndaj Allahut, kjo më është reflektuar në sjelljen e gruas dhe devesë sime.”

Në fillim njeriu mëkatin e bën fshehurazi, derisa ta humbasë ndjenjën se ajo është e keqe dhe pastaj fillon ta bëjë edhe publikisht. Kjo do të jetë arsye për mungesën e faljes, siç thuhet në hadith: “Të gjithë pjesëtarët e umetit tim do të jenë të falur, përveç atyre që kryejnë mëkate publikisht. Ndër mëkatet publike është edhe ajo që njeriu bën natën dhe Allahu e mbulon, kurse ai në mëngjes tregon: – O ti (filan), unë mbrëmë kam bërë këtë dhe atë. Zoti gjatë natës ia ka fshehur turpin e tij, kurse ai në mëngjes e zbulon atë që Allahu ia ka mbuluar.” (Muttefekun alejhi)

Mëkati publik është kur një tregtar u tregon kolegëve të tij se si mashtron gjatë shitjes së mallit, duke e konsideruar atë si zgjuarsi dhe aftësi. Mëkati publik është kur një tallës e përmend talljen e tij, kur mëkatari e përhap tregimin për mëkatet e tij.

Ndër mëkatet publike janë edhe imazhet e pamoralshme dhe fjalët e turpshme. Në këtë pjesë, mediat kanë një pjesë të madhe të rolit negativ.

Është bela e madhe, kur dikush që është në dënim nuk është i vetëdijshëm për të. Është bela edhe më e madhe, kur një person gëzohet me të keqen dhe me dënimin; gëzohet me pasurinë haram, gëzohet që ka mundësi për të kryer mëkat, që këtë mund ta bëjë shpesh. Kjo sjellje rezulton me humbje të ndjenjave pozitive në zemër ndaj familjes, të afërmve, miqve, dhe me paaftësi për ta dalluar të mirën nga e keqja.

Në mesin e njerëzve më të këqij është një njeri i cili e përhap imoralitetin në familjen e tij, ai është një nga krijesat më të ndyra të Allahut, i cili e ka të ndaluar xhenetin, sipas hadithit të Pejgamberit (savs).

Vëllezër të dashur;

Mëkatbërja e vazhdueshme i shkëput lidhjet me bindjen dhe largon nga veprat e mira, pastaj e ngurtëson zemrën dhe shpirtin, si dhe nuk ka dëshirë për pendim të sinqertë. Shembulli më i mirë për këtë, është sjellja e mëkatarëve të cilët me gjuhët e tyre pendohen dhe kërkojnë falje, por zemrat e tyre janë larg nga kjo, sepse ata ende vazhdojnë në bërjen e mëkateve të mëdha shkatërrimtare, dhe kjo është një nga sëmundjet më të rrezikshme.

Kamata ka marrë hov, imoraliteti, alkooli, droga, veprat e ndryshme të haramit; falsifikimi i diplomave, dëshmia e rrejshme, gjykime të padrejta dhe të montuara, rënia në vlerave morale, sjellja e pahijshme e të rinjve; e djemve dhe vajzave. Deri kur mendojmë të jemi të pakujdesshëm ndaj të gjitha këtyre dukurive!? Allahu na ruajtë nga ndëshkimi i Tij!

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Kjo është për arsye se Allahu nuk ia prishë popullit mirësitë që ia ka dhuruar – për derisa ata të mos i prishin sjelljet e veta, – se Allahu, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.” (el-Enfal, 53)

Po e përfundojmë hutben me këtë lutje të Pejgamberit (savs):

“O Zot, më fal gabimin dhe injorancën, tejkalimet në punët e mia të cilat Ti i di më mirë se sa unë. O Zot, më fal mua gabimet dhe qëndrimet e mia, injorancën dhe seriozitetin tim dhe gjithçka që unë bëj. O Zot, më fal për atë që kam bërë dhe do të bëjë, atë që e bëj haptazi dhe fshehurazi; Ti je i pari dhe i fundit, Ti për gjithçka vendos.” (S. Buhari, nr. 6398)

Aljo ef. Cikotić

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike