Mrekullia e çlirimeve islame

Mrekullia e çlirimeve islame nuk është në përhapjen e shpejtë të botës islame në më pak se dhjetë vjet pas vdekjes së Pejgamberit (savs), as në rënien e dy shteteve – perandorive më të mëdha të atëhershme (Bizantit dhe Persisë) para ushtrisë islame, e cila sapo ishte zhvilluar, dhe e cila, në aspektin e fuqisë njerëzore dhe të armatimit, ishte shumë herë më e vogël dhe më e dobët se ajo bizantine dhe persiane. E gjithë kjo që u përmend ka ndodhur edhe me Tatarët dhe ushtrinë e tyre. Përkatësisht, siç e dimë, Tatarët në disa vite e sulmuan botën islame dhe i rrëzuan shumë mbretëri dhe shtete të saj.

Mirëpo, mrekullia e çlirimeve islame pasqyrohet në pranimin e shpejt të Islamit nga ana e popujve, tokat e të cilëve i çliruan muslimanët, dhe në mbështetjen e plotë të atyre popujve për Islamin dhe muslimanët që nga fillimi i thirrjes në Islam, pas pushtimeve islame.

Kjo nuk ndodhi, as me Tatarët. Përkundrazi, ajo që ndodhi me Tatarët ishte, se edhe ata si pushtues e braktisën fenë e tyre dhe hynë në Islam pasi që e sunduan botën islame. Ata e formuan dhe ndërtuan një shtet, i cili me kalimin e kohës, u bë shteti që e mbrojti Islamin dhe luftoi për Islamin.

Pushtimi i botës islame nga Tatarët ishte një mrekulli sociale, sepse Tatarët e ndryshuan dhe shkatërruan normën sociale, e cila vlente deri atëherë në historinë njerëzore, e për të cilën pat paralajmëruar edhe Ibn Halduni, duke vënë në dukje se … “Të dobëtit i ndjekin të fortët dhe popujt e dobët dhe të shtypur u ngjajnë dhe i imitojnë kombet dhe popujt e fuqishëm.” Ky zakon dhe ky rregull u anulua pasi që Tatarët e pushtuan botën Islame, dhe më pas e pranuan Islamin.

Prandaj, mrekullia e çlirimeve islame mbetet mrekulli e vërtetë historike, dhe asaj nuk mund t’i kundërvihet, as nuk mund të krahasohet me te rasti i Tatarëve dhe pushtimet e tyre, por mund të thuhet se edhe rasti i Tatarëve është bërë një tjetër mrekulli islame që meriton njohje, sepse ajo shkon përtej të kuptuarit njeriut dhe të kuptuarit e rrjedhave socio-historike.

Dr. Hatim ibn Arif el-Avni

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike