Merve nga Jemeni

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Ndonjëherë i hiperbolizojmë problemet e vogla që përjetojmë… Vetëm duke parë brenda këtyre problemeve e bëjmë të padurueshme jetën për veten tonë, ambientin përreth dhe vendin tonë. Në një gjendje të tillë, dalja jashtë problemeve dhe shikimi i vendit tonë nga një aspekt i jashtëm, ofron një kontribut për të bërë një vlerësim më të shëndetshëm. Në këtë kuadër, për ta kuptuar më mirë atë që shpreh Turqia, dëshiroj të ndaj me ju një histori të vërtetë.

Turqia, pavarësisht ngjarjeve të jashtëzakonshme që përjeton, po kthehet në një bazë arsimi në nivel që sa vjen e rritet. Në vitet kur unë isha student, Turqia nuk ishte një vend që mund të gjente të ardhme për veten e saj. Tani, aktualisht rreth 150 mijë studentë të huaj e kërkojnë të ardhmen e tyre në Turqi, në turqisht. E thënë në një frymë, shifrat kryejnë detyrën e një shalli, që mbulon historitë legjendare nën të. Por jeta e çdo studenti është një dhimbje më vete, një ndarje, legjendë, përpjekje, shpresë dhe kërkim. Për të treguar se çfarë emocioni, shprese nënkupton Turqia për këta të rinj, do të ndaj me ju historinë e Merves nga Jemeni, e cila është vetëm një nga këta studentë.

Ky është Jemeni, trëndafili i tij është bari…

Jemen… Ky vend që gjendet në Detin e Kuq, në Gjirin e Adenit, në breg të Detit Oman, për shkak të pozicionit gjeografik strategjik, përgjatë pothuajse të gjithë historisë ka vuajtur dhimbje të mëdha.

Kurse nga aspekti i Turqisë, është një nga hapësirat gjeografike për të cilën Turqia ka dhënë më shumë dëshmorë, pasi atje fillon mbrojtja e Mekës dhe Medinës. Së bashku me Çanakalanë, është vendi për të cilin populli ynë shpirtëcopëtuar ka thurur më shumë elegji, ka qarë me vaj, për të cilin i është dridhur zemra më shumë. Është një vend ku vajzat tona, që sapo kishin mbushur 15 vjeç, derdhën lot në pritje të rrugës së kthimit (të të dashurve të tyre) nga ky vend. Epopetë, elegjitë, dhimbjet që janë rrënjosur në shpirtin tonë prej brezash, si duket kanë të bëjnë me numrin e dëshmorëve të rënë, gjë që bën të na dridhet shpirti ynë i butë kur bëhet fjalë për Çanakalanë dhe Jemenin.

Udha e shpresës…

Ja pra Merve vjen nga një vend i tillë, nga qyteti Sana, kryeqyteti i Jemenit. Duke kërkuar të ardhmen e saj ashtu si çdo vajzë e re, e ardhmja e vendit të saj u errësua edhe një herë me luftën civile të shpërthyer në vitin 2014. Gjatë grushtshteteve flasin vetëm armët, njerëzimi harrohet. Nuk mendohet as për të rinjtë, as për të ardhmen e tyre…

Në vitin 2015, ndërsa po e shihte me trishtim të ardhmen në vendin e saj, ku trazirat e kishin mbuluar vendin si një makth, para Merves shfaqet një dritë, e cila do të ndriçojë rrugën e saj.

Nga ana e Departamentit të Kryeministrisë për turqit që jetojnë jashtë atdheut dhe marrëdhënieve me komunitetet e afrishme (YTB) asaj i komunikohet se ka fituar të drejtën e studimeve në Turqi. Në një kohë që bursat amerikane Fulbright, ato gjermane Daad dhe angleze Chevening ishin ndërprerë për shkak të luftës civile në Jemen, bursat turke ishin rrugëdalja e vetme për Merven dhe 150 studentët jemenas drejt shpresës dhe të ardhmes. Duke ardhur me ëndrrën e Turqisë në Turqi, përfshihen nga një entuziazëm i madh për t’u kthyer dhe për të rindërtuar vendin e tyre të rraskapitur.

Nga njëra anë janë shpresat, nga ana tjetër janë të vërtetat e hidhura të jetës. Për shkak të luftës civile janë mbyllur ambasadat në Sana dhe shumica e tyre janë transferuar në Xhide. Për shkak të sigurisë nuk kryhen fluturimet me avionë. Për të ardhur në Turqi ata duhet të marrin vizë. Mënyra e vetme për ta bërë këtë është të shkojnë me rrugë tokësore në Xhide, ku është transferuar edhe ambasada e Turqisë. Por këto rrugë, që janë në kontrollin e grupeve të ndryshme të përfshira në përleshje të armatosura, mes bombave, luftimeve, sulmeve, duken si të pamundura për t’u kaluar dhe për të arritur në kufirin saudit. Madje edhe nëse arrijnë në kufirin saudit, ata nuk kanë garanci se do të hyjnë në Arabinë Saudite.

Të rinjtë që kërkojnë një zgjidhje brenda pamundësisë u takuan në Sana dhe kontaktuan me ambasadën e Turqisë në Xhide. Nuk kishte asnjë rrugë tjetër veçse dërgimi i pasaportave në këtë qytet për të marrë vizë. Së fundmi, një i ri del vullnetar për të çuar të gjitha pasaportat në ambasadën e Turqisë. Të rinjtë, me një shpresë të madhe, tentojnë të mbledhin pasaportat e studentëve në Jemen. Por shpresa e tyre nuk zgjat shumë. I riu që doli vullnetar, nuk ka kurajën të kalojë nga qytetet nën bombardim të Jemenit, dhe heq dorë. Por në pikën kur të gjitha shpresat janë shuar, pa parë majtas e djathtas se kush mund ta bëjë këtë, Merve bëhet vullnetare për të çuar në Xhide pasaportat e mbledhura. Familja e saj është shumë e shqetësuar nga ky vendim. Mundohen ta shkurajojnë. I thonë se nëse do të shkojë, atëherë të çojë vetëm pasaportën e saj, gjë që është më e lehtë. Por duke qenë e vetëdijshme se e ardhmja e studentëve që kanë fituar bursë, është në duart e saj, Merve reziston në vendimin e saj. Studentët, familjet, me një organizim të shpejtë mbledhin 90 pasaporta. Ata nuk mund të kontaktojnë me të gjithë studentët. Një pjesë tjetër, duke menduar se Merve nuk do t’ia dalë me sukses në këtë udhëtim, por edhe nëse ja del nuk do të mundë të hyjë me tërë ato pasaporta në Arabinë Saudite, nuk ja dorëzojnë asaj pasaportat e tyre.

Ambasadori i Turqisë, Fazllë Çorman (Fazlı Çorman) ishte shumë i lumtur nga ky vendim i Merves, por i shpjegoi përsëri e përsëri për rreziqet që mbart ajo që do të bëjë. Ai u shpreh se nëse e kontrollojnë, mbartja e gjithë atyre pasaportave mund të rrezikojë jetën e saj. Ndaj të gjitha këtyre mundësive i tha se mund t’i japë një shkresë ku bëhet e ditur se “Ka fituar bursë në Turqi dhe së bashku me pasaportat e studentëve të tjerë që kanë fituar bursë po vjen në Xhide për procedurat e vizave”.

Merve niset për rrugë duke pasur me vete lutjet e familjes së saj, studentëve të tjerë dhe familjeve të tyre. Për dy ditë ajo vazhdon rrugën në tokën jemenase deri në kufirin saudit. Mbase me lutjet që ka marrë gjatë rrugës nuk përballet me përleshje ose bombardime. Kurse në shumë pika kontrolli, sipas kulturës që mbizotëron në Jemen, duke qenë se është studente vajzë, ajo nuk kontrollohet me detaje. Në orën 10 të mëngjesit, ajo mbërrin në doganën e Jemenit. Por para saj ka një radhë të gjatë. Nëse do presë tërë këtë radhë, atë ditë është e pamundur që asaj ti vijë radha. Duke biseduar me autoritetet jemenase, në një farë mënyre arrin të kalojë. Me 90 pasaporta në çantën e saj të shpinës, ajo kalon në këmbë për në doganën saudite.

Nuk mund të hysh e pashoqëruar…

Punët në doganën saudite nuk ecin aq lehtë. Personeli nuk i beson Merves. Duke u nxehur me të, i thonë se nuk mund të bëjnë gjë atë ditë dhe i thonë të kthehet dhe të vijë të nesërmen. Çfarë mund të bëjë një vajzë e vetme në mes të shkretëtirës? Merve kontakton përsëri me ambasadën turke. Ambasada dërgon një faks, në të cilin shpjegohet situata. Autoritetet saudite këtë radhë shprehen se ajo nuk mund të hyjë në Arabinë Saudite e pashoqëruar nga një mashkull (që mund të jetë bashkëshorti, babai ose vëllai i saj). Merve u shpjegon atyre se nuk po shkon në haxh (peligrinazh), nuk do të qëndrojë më shumë se 3 ditë në Arabinë Saudite dhe se do të kthehet menjëherë sapo të mbarojë procedurat e aplikimit për vizë. Edhe pse nuk u bindën, duke shkruar një emër në letrën zyrtare si shoqërues, e lejojnë Merven që të kalojë.

Punonjësit e ambasadës e presin Merven me një lumturi dhe entuziazëm të madh. Për tre ditë, me një punë intensive përfundojnë procedurat e vizës për 90 pasaporta. Por për Merven, vështirësitë nuk kanë të mbaruar. Rruga e kthimit është po aq e vështirë sa rruga e ardhjes. Në kthim, autobusi me të cilin udhëton, shpëton vetëm me një diferencë të vogël prej disa minutash nga bombardimi i një ure. Autobusi duke përshkuar rrugën në shkretëtirë, nëpër rrugica, dhe me pritje të gjata, arrin në Sana. Merve tani është studentja ime në Universitetin “Yildirim Beyazit”. Edhe studentët e tjerë janë duke vazhduar me sukses arsimin e tyre në Turqi për të kontribuar nesër në vendin e tyre.

Këtë histori ia dedikoj atyre që bëjnë çdo lloj kritike madje bëjnë fyerje dhe që me mënyrën e tyre të pasjellshme meritojnë madje më shumë, që në kritikën më të vogël ndaj tyre, kur shkojnë diku thonë “tashmë në këtë vend nuk jetohet, po iki”.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

 

 

 

Nga e njëjta rubrike