Fetva mbi detyrimin e veshjes së hixhabit

Akademia për Fetva në kuadër të Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovinës, në sesionin e gjashtë të rregullt, të mbajtur më 16 xhumade-l-ula 1437 hixhrij, përkatësisht, më 25 shkurt 2016, në Sarajevë, nxori këtë fetva:

Hixhabi, apo shamia të cilën e veshin gratë muslimane, është detyrim fetar dhe praktikë e veshjes muslimane e përcaktuar me burimet themelore të Islamit, me Kuran, me Sunnet dhe me ixhma. Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran thotë:

 “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vejnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre…” (el-Ahzab, 59);

“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre…” (en-Nur, 31).

Komentuesi i njohur i Kuranit, Ibn Abbasi (r.a.), në interpretimin e tij, thotë se fjalët: “përveç atyre që janë të dukshme” – i referohen fytyrës dhe duarve.

Për detyrimin e hixhabit, flet edhe hadithi i Pejgamberit (savs), të cilin e ka regjistruar Ebu Davudi në Sunenin e tij nga Aishja (r.a.), ku thuhet se i Dërguari (savs) i ka thënë Esmes, bijës së Ebu Bekrit: “Oj Esma, kur një grua bëhet e moshërritur, nuk është e lejuar që asaj t’i shihet ndonjë gjë tjetër përveç kësaj dhe kësaj, duke treguar fytyrën dhe duart.”

Është botërisht e njohur se muslimanet në kohën e Pejgamberit (savs), dhe të gjeneratave të mëvonshme, duke pasuar urdhrin e lartpërmendur të Kur’anit dhe udhëzimin e Pejgamberit (s.a.v.s.), e kanë veshur hixhabin.

Në veprat e fikhut përmendet “ixhmai” – mendimi unanim i dijetarëve për detyrimin e hixhabit për gruan muslimane.

Në kuptimin më të ngushtë, termi hixhab përdoret si sinonim për mbulimin e kokës me shami, ndërsa në një kuptim më të gjerë, si një stil i veçantë i veshjes që është në përputhje me normat islame. Në raport me kodifikimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, hixhabi bën pjesë në fushën e shprehjes së besimit.

Sipas interpretimit të shkollës sonë juridike (hanefite) dhe shumicës së shkollave të tjera juridike dhe të muxhtehidëve të pavarur, hixhabi në një kuptim më të gjerë, nënkupton mbulimin e tërë trupit, përveç fytyrës dhe duarve. Mbulimi i fytyrës (nikabi, burka, ferexheja) nuk bën pjesë në detyrimet fetare të gruas muslimane.

Hixhabi, përkatësisht shamia, në traditën islame nuk trajtohet si simbol dhe shenjë e veçantë fetare, ashtu sikur që nuk janë as elementet të tjera të veshjes, me të cilat mbulohen pjesët e tjera të trupit të njeriut, të cilat gjithashtu, janë pjesë e praktikës së veshjes së muslimanes, andaj, si të tilla nuk mund të përfshihen në dispozitë ligjore mbi ndalimin e shfaqjes së simboleve dhe shenjave fetare në institucionet gjyqësore.

Duke e mbështetur parimisht dispozitën ligjore mbi ndalimin e shfaqjes së simboleve dhe shenjave fetare në institucionet gjyqësore dhe parimin e ndarjes së institucioneve fetare dhe shtetërore, si dhe duke e marrë parasysh faktin se shamia të cilën e veshin në kokë gratë muslimane nuk është simbol dhe shenjë e Islamit, Akademia për Fetva konsideron se ndalimi i veshjes së shamisë për gratë muslimane në institucionet gjyqësore dhe të tjera paraqet formë flagrante të diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të tyre fetare dhe njerëzore.

Duke pasur parasysh faktin se Kur’ani në disa vende ka urdhëruar shprehimisht se gjatë gjykimit dhe dëshmisë, të zbatohet parimi i së vërtetës dhe drejtësisë, edhe nëse ajo është kundër të afërmve, është e qartë se nuk ka vend për frikë se veshja e shamisë, si manifestim i të drejtave dhe lirive fetare, mund të shkaktojë anshmëri fetarisht të motivuar. Është jokorrekte dhe e padrejtë t’i përshkruhet dikujt anshmëria në manifestimin e së drejtës për liritë fetare të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.

Husein-ef. Kavazović
Reisu-l-ulema

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike