Shtëpi-xhennet, xhami-xhennet, minber-xhennet!

Njerëz pa fund, si dallgë deti, që nuk ka fund, përtej horizontit, në një ditë të qetë me rreze dielli, qe reflektojnë mbi sipërfaqen e pamatur, si një pikturë e pashembullt e artit të pazbuluar..!

Njerëz të qeshur, të qetë, të mbushur me jetë, plot energji pozitive, njerëz për mirë! Në djep, të mitur, që hedhin hapat e parë në safallekun e madh të xhamisë së të Dërguarit (a.s.), fëmijë, adoleshentë, burra me familjet përbri, moshë e thyer, pleq, që mezi hedhin hapat, por edhe të moshuar që nuk lëvizin pa mjetin shoqërues..; çfarë nuk të sheh syri!

Kështu është përherë, në çdo muaj e në çdo stinë. Vizitorët sa vijnë dhe rriten, krahasuar me periudhat e ngjashme të viteve që shkuan. Ky ymet është i gjallë! Ymeti i Muhammed Mustafasë bën dritë, sa të ketë diell e hënë! Ymeti i dritës së përbotshme të mëshirës dhe forcës, përulësisë para Krijuesit dhe mirëmenaxhimit të dhuntive; hyjnore dhe të përftuara, nuk shuhet! Bie, sërish ngrihet! E hedhin, gjen ku të mbahet! E godasin, energjitë e durimit s’i janë sosur! Ky ymet është i gjallë! Dhe, Medina e Ndriçuar është argumenti më i përkryer!

Më pyeti dje një kalimtar, që me siguri nuk e fliste gjuhën e të Dërguarit dhe Librit të tij: “Rijadul-xhenneh?”. Kuptova se po më pyet për drejtimin e Raudas Sherife, ndryshe: Kopështi i xhennetit.

I tregova rrugën. U largua i qeshur dhe në lumturinë e veprimit të shënuar në mendjen e tij, humbi në mesin e njerëzve të shumtë, që hynin në vazhdimësi nga Bab-u Selami.

Tërë kohën më ngeli mendja tek pyetja e tij. Pse ajo zonë, nga shtëpia e të Dërguarit (a.s.) e deri tek minberi i tij, (një sipërfaqe retalivisht e vogël), u quajt me këtë emër?

Iu riktheva shënimeve mbi jetën e Resulull-llahut (a.s.) në shtëpinë e tij. Gjeta se me sjelljen dhe marrëdhëniet e tij korrekte, plot mëshirë e njerzillek, e kishte kthyer në një xhennet të përkryer!

Dola në xhaminë e tij (a.s.). Gjeta se edhe atë e kishte kthyer në xhennet të begatë, ku kushdo; musliman dhe jo, kishte sigurinë e plotë se do merrte përgjigjen e pyetjes, zgjidhjen e dilemës, shërimin e plagës!

Vështrova nga minberi i tij (a.s.). Pashë një udhëheqës të drejtë, një komandant burrëror, një hatib fisnik, një gjysh mëshirues për nipat e tij, një drejtues komunitar, që jeton me hallet dhe shqetësimet e komunitetit të tij. Shtëpi-xhennet, xhami-xhennet, minber-xhennet!

Me pak fjalë: Sado që Kur’ani na fton që ta pranojmë të Dërgurin e Tij, si një dhuratë hyjnore për gjithësinë; si alternativa më e sigurtë dhe garancia më e papërlyer, bota është në hajr! Medina është argumenti më i mirë për këtë!

Ky ymet është i gjallë! Ymeti i Muhammed Mustafasë bën dritë, sa të ketë diell e hënë!

Muhamed B. Sytari

 

 

Nga e njëjta rubrike