Përdorimi i tesbiheve, bidat apo jo?

Pyetja:

A është bidat (risi në fe) përdorimi i tesbiheve (rruazave e të ngjashme); gjegjësisht përdorimi i tyre a është imitim i të krishterëve, si dhe a lejohet dhënia dhuratë e tesbiheve sipas Islamit?!

Përgjigjja:

Bismi’l-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim

Përdorimi i tesbiheve me qëllim që të na ndihmojnë në bërjen e dhikrit është i lejueshëm. Tesbihet na ndihmojnë në bërjen e dhikrit në dy mënyra:

  1. a) Duke i mbajtur ato në dorë ose duke i parë, na nxisin dhe na përkujtojnë bërjen e dhikrit, andaj tesbihet quhen edhe si “mudhekkir” (përkujtues),
  2. b) Githashtu, tesbihet na ndihmojnë që të bëjmë edhe numërimin (gjatë bërjes së dhikrit).

Përdorimi i rruazave ose guralecëve si mjete ndihmëse për bërjen e dhikrit, është i mbështetur nga disa hadithe. Imam Ebu Davudi dhe Imam Tirmidhiu transmetojnë në koleksionet e tyre nën autoritetin Sa’d ibn Ebi Vekkasit r.a. i cili tregon se së bashku me Pejgamberin s.a.v.s. u takuan me një grua e cila para vetes kishte bërthama hurmeje, me anë të të cilave ajo bënte dhikr – tesbih (përmendje të Allahut xh.sh.). Rrefimi vazhdon, mirëpo nuk konstaton se Pejgamberi s.a.v.s. e qortoi atë ose e disaprovoi veprimin e saj. Imam Tirmidhiu dhe Hafiz ibn Haxher El-Askalani zinxhirin e këtij transmetimi e klasifikojnë si hasen (të mirë). [1] Kjo na jep dëshmi se marrja e diçkaje si mjet ndihmës për të numëruar dhikrin tonë është gjë e lejueshme.

Prandaj, nëse dikush përdor tesbihe për këtë qëllim, nuk do të bëjë veprim që do të jetë risi në fe (bidat). Megjithatë, nuk duhet të besojmë se tesbihet kanë vlerë të brëndshme, që këtej ai që bën dhikr me tesbihe është më superior se ai që bën pa to (p.sh., i bën me dorë).

Dijetarët e famshëm, Xhelaluddin Es-Sujuti (vdiq në vitin 911 hixhri) [2], si dhe Abdu’l-Hajj El-Leknevi (vdiq në vitin 1304 hixhri) [3], që të dy janë autorë të disa studimeve të cilat na tregojnë mbi lejueshmërinë e përdorimit të tesbiheve.

Gjithashtu, lejohet dhënia e tesbiheve si dhuratë (hedijje)!

E Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri!

Fetva e dhënë nga:

Daru’l-Ifta, Durban, e kontrolluar dhe e aprovuar nga Mufti Ebrahim Desai

Përktheu: Daim Abazi
______________________________________

[1] نتائج الأفكار، دار ابن كثير، ج.١ ص٨١
[2] “المنحة فى السبحة” ضمن الحاوي للفتاوي، دار الكتب العلميه، ج.٢ ص.٢-٥
[3] “نزهة الفكر في سبحة الذكر” مع حاشيته “النفحة بتحشية النزهة” الملقب ب”هدية الأبرار في سبحة الأذكار” ضمن مجموعة رسائل اللكنوي، المكتبة الإمدادية، ص.١١٧-١٥٥

Nga e njëjta rubrike