Mesazhe atyre që kënaqen në diskutime

Në ndërveprimin midis njerëzve janë të pranishme forma dhe lloje të ndryshme të ‎komunikimit. Disa flasin, disa dëgjojnë, disa pyesin, disa përgjigjen, disa bisedojnë, disa ‎pëshpërisin, disa bëjnë zhurmë, disa grinden, disa diskutojnë, disa polemizojnë, … kurse disa ‎debatojnë.‎

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: „Por njeriu, më tepër se kushdo është polemizues.“ (el-Kehf, ‎‎54)‎

Gjithashtu në një vend tjetër në Kuran, Allahu i Plotfuqishëm, thotë: “Ju po polemizoni për ‎atë, për të cilin dini diçka; por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë? Allahu e ‎di hollësisht, e ju nuk dini asgjë për këtë çështje.” (Alu Imran, 66)

Sot më së shumti janë diskutimet të këtilla. Më shpesh flasin dhe nxisin debate ata që janë ‎mendjemëdhnj e kokëbosh, të cilët i kanë memorizuar disa informacione, pa i përpunuar ‎zemra e sinqertë dhe mendja e shëndoshë, sepse njëra nga këto të dyja ose që të dyjat ju ‎mungojnë. Ata ju flasin atyre që nuk ju përkasin këtyre temave, andaj edhe e kemi këtë ‎gjendje që e kemi – që ahmakët të flasin për atë që nuk kanë lidhje. Sa të jetë ahmaku më i ‎madh, aq më shumë kënaqet në debate.‎
Thotë i Dërguari i Allahut (savs): „Njeriu më i urrejtur tek Allahu i Plotfuqishëm është ai që ‎ekzagjeron në diskutime.“ (Buhariu dhe Muslimi)‎

Në një tjetër hadith thotë: “Unë i siguroj një shtëpi në periferi të xhenetit, atij që e lë ‎debatin, qoftë edhe nëse ka të drejtë. Dhe një shtëpi në mes të xhenetit, atij që e lë ‎gënjeshtrën, qoftë edhe duke bërë shaka. Dhe një shtëpi në vendin më të lartë në xhenet, ‎atij që e përsos moralin e tij.” (Ebu Davudi)‎

Këtu nuk është aspak fjala për lënien e debatit kur jemi gabim. Sepse është e kuptueshme se ‎njeriu normal dhe i sinqertë, nuk do t’i lejojë vetes që të flasë për diçka, që nuk ka njohuri dhe ‎informata të nevojshme, sepse, nëse nuk ke dituri menjëherë e di se je gabim.‎

Le ta lëmë diskutimin, le të ruhemi nga gënjeshtrat dhe le të kujdesemi për moralin tonë, për ‎sjelljet tona. A është kjo e vështirë?‎

El-Evzai thotë: „Kur të jetë caktimi i Allahut që një popull ta godas e keqja, ju çon ‎polemika, ndërsa ua mohon kryerjen e veprave të mira.“‎

Allahu i Plotfuqishëm, sigurisht, nuk ua dëshiron të keqen njerëzve. Situata e vështirë e një ‎populli në të cilin janë sjellë, ndër të tjera, pasqyrohet në debate dhe në moskryerje të veprave ‎të mira. A nuk e kemi të ditur ne këtë? ‎

Sot njerëzit kënaqen në diskutime. Me orë të tëra i etiketojnë njerëzit që mendojnë ndryshe, ‎ndërsa bëjnë pak ose nuk bëjnë asnjë të mirë dhe prej tyre shoqëria nuk ka asnjë dobi ‎konkrete dhe të dukshme. Mos të bëhemi si këta!‎

Transmetohet se një njeri i tha Hasan el-Basriut: „O Ebu Seid, eja të diskutojmë bashkë në ‎lidhje me fenë!“ ‎

Kurse Hasani iu përgjigj: „Unë e kam fenë të qartë, kurse ti, nëse ke devijuar, përmbaju ‎asaj!“‎

Sot mjetet e komunikimit, ju bëjnë të mundur personave, që nga çerdhet dhe strofkat e tyre, ‎kush e di se me çfarë qëllime dhe arsye, që me gjuhët e tyre të mbjellin faren e së keqes, ‎përçarjes, sektarizmit. Kjo më së shpeshti arrihet duke i etiketuar të tjerët, duke u tallur dhe ‎duke i kapur të tjerët në kurthin e diskutimit.‎

Diskutimi më i mirë dhe i vetëm i dëshirueshëm është ai, në të cilin dëshiron që personi ‎me të cilin diskuton të ketë të drejtë.‎
Përmendet një parim i mrekullueshëm që diskutimi të jetë i lejuar, e ai është që pjesëmarrësi ‎në diskutim me gjithë zemër të dëshirojë që bashkëbiseduesi i tij të ketë të drejtë. Në këtë rast, ‎nijeti është i pastër dhe qëllimi është të zbulohet e vërteta, dhe nuk është qëllimi të mposhtet ‎personi që ka pikëpamje të ndryshme.‎

Nëse, p.sh., një kirurg dëshiron që bashkëbiseduesi i tij të ketë të drejtë kur diskutohet për ‎nevojën dhe mënyrat e kryerjes së një ndërhyrjeje kirurgjike, dhe nëse me atë rast është i ‎mençur, ai nuk do t’i lejojë vetes të diskutojë me imamin, me shoferin apo me një shitës nga ‎tregu. Ai së pari do ta zgjedhë një bashkëbisedues cilësor, pa pasur dëshirë që të jetë fitues ‎në diskutim, por me dëshirë që ta zbulojë të vërtetën – se çka është më mirë dhe më e ‎dobishme. Nëse është kështu, ai do të dëshirojë që bashkëbiseduesi i tij të jetë kirurg më i ‎mirë, me më shumë njohuri e përvojë dhe që të mësojë prej tij duke e kërkuar të vërtetën.‎

Mirëpo, nëse imami, shoferi ose shitësi i tregut i thonë se edhe ata dëshirojnë të diskutojnë ‎për këtë çështje, kjo do të ishte çmenduri. Pranimi i një debati të tillë do të ishte poshtërim i ‎kirurgjisë, degradim i dijes, poshtërim i së vërtetës. Vetëm pranimi i bisedës me të tillët është ‎gabim dhe shkakton dëme të pamatshme.‎

Një kirurg i ndershëm, natyrisht, duhet t’i thotë imamit, shoferit ose shitësit nga tregu se ata ‎duhet të bisedojnë dhe ta kërkojnë të vërtetën në atë që ata e dinë, jo në atë që ata mendojnë ‎se e dinë. Me këtë rast, paturpësia e imamit, shoferit ose shitësit nga tregu, që nuk e pranon ‎këtë argument të kirurgut, patjetër do të bëjë që kirurgu të tërhiqet nga debati dhe ta meritojë ‎një shtëpi në xhenet.‎

Thotë Pejgamberi (savs): „Një popull nuk e ka humbur rrugën e drejtë pasi që është ‎udhëzuar, përveçse pasi është dhënë pas diskutimeve.“ (Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ahmedi)‎

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (savs), i paralajmëron ata që dëshirojnë dhe duan ta dëgjojnë ‎Pejgamberin e tyre: „Nuk do të besojë një rob me besim të plotë, derisa ta lë gënjeshtrën ‎edhe në shaka, dhe derisa ta lë diskutimin edhe nëse e flet të vërtetën.“ (Ahmedi)‎

Aty ku nuk ka dituri, ekziston mendimi i tij. Sot është një kohë e tillë kur çdo majmun ka (të ‎drejtë në) mendimin e tij. Por me të tillët mund të diskutojnë vetëm ata që e kuptojnë gjuhën e ‎tyre ose duan të flasin dhe të kuptohen me atë gjuhë.‎

Përshtati: Miftar Ajdini

Nga e njëjta rubrike