Çdo vepër të mirë Allahu e shpërblen shumëfish

(Tregim për një ngjarje të vërtetë)‎

Në kohën e indiferencës dhe ftohjes njerëzore, shembulli i djaloshit të papunë Fahd b. Halef ‎er-Rubved esh-Shemri (28 vjeç) nga Arabia Saudite na tregon guximin e madh, përkushtimin ‎dhe fisnikërinë e madhe, si dhe thënien se e mira kthehet me të mirë. ‎

Fahdi ia dhuroi veshkën e tij Muhamed b. Tari esh-Shemriut (14 vjeç), një djali pa baba.‎

Ky tregim ka filluar rreth 9 muaj më parë, kur ai duke udhëtuar për në qytetin e tij të lindjes Hā’il, ‎në veriperëndim të Arabisë Saudite, nga automobili i tij e pa një grua plakë duke ecur rrugës ‎nëpër diell të fortë dhe nxehtësi të madhe, e cila po përpiqej ta ndalte një taksi. Plaka qante ‎dhe ai u ndal duke pyetur se a mund ta ndihmonte. Ajo e luti që ta dërgonte deri në spital.‎

Gjatë rrugës, plaka vazhdoi të qante, dhe ai e pyeti për arsyen e vajit të saj. Ajo i tha se djali i saj ‎i vetëm ishte në spital në dializë dhe ishte në gjendje shumë kritike. Atë ditë ajo frikësohej se ‎djali i saj nuk do të mund të shkonte në dializë, sepse ajo nuk do të mund të arrijë me kohë të ‎paguajë. Ajo gjithashtu, i tha atij se familja e saj nuk po mund të siguronte donator dhe nuk ‎kishin para të mjaftueshme për të kryer transplantim diku jashtë vendit. Djali me vite kishte ‎vuajtur nga dështimi i veshkave dhe gjendja e tij ishte shumë kritike.‎

I riu e pyeti plakën për babanë e djalit, por ajo u shkreh në vajë, i tha se babai i tij kishte vdekur ‎dhe se fëmija ishte jetim.‎
I riu tha: “Unë i thashë asaj: ‘Mos u shqetëso, unë jam djali i yt i dytë dhe ne do të gjejmë një ‎zgjidhje për problemin tuaj.” Kur shkuam në spital, shkova në ordinancë dhe pyeta për ‎gjendjen e të riut. Më thanë se ishte në një situatë shumë të vështirë dhe kishte nevojë për ‎transplantim sa më të shpejtë. Thashë: “Unë do t’ia dhuroj veshkën këtij të riu, do t’ua lehtësoj ‎gjendjen dhe do tu ndihmoj.” Ky veprim imi e habiti plakën, e cila qante dhe i lutej Allahut për ‎mua.” Pas ekzaminimeve dhe analizave mjekësore u krye transplantimi i veshkës, i cili shkoi ‎me sukses.‎

Pasi lajmi i këtij gjesti të mrekullueshëm u përhap nëpër mediat saudite, një anëtar i familjes ‎mbretërore e shpërbleu Fahdin me punësim në Gardën Kombëtare, njoftuan mediat saudite.‎

Njeriu i parë i Gardës Kombëtare Saudite, princi Mutab bin Abdullah bin Abdulaziz, e ftoi ‎Fahdin në spital në Riad, për t’i dëshiruar shëndet të mirë dhe e falënderoi atë për këtë akt ‎fisnik”, ka transmetuar gazeta saudite Sabk.‎
Princi urdhëroi që Fahdi menjëherë të emërohej në Gardën Kombëtare.‎

‎”Jam shumë i lumtur për thirrjen e princit dhe vendimin e tij për emërimin tim në Gardën ‎Kombëtare… ajo që bëra ishte një pikë kthese në jetën time… Unë jam shumë i kënaqur që kam ‎gjetur një punë pas përpjekjeve të kota në dy vitet e fundit”, ka thënë Fahdi.‎

Ndihma e Allahut, fitorja dhe suksesi mund të vijnë prej nga nuk mund të imagjinoni kurrë. Në ‎të vërtetë, Allahu i Plotfuqishëm, u ndihmon atyre që i ndihmojnë të tjerët. Herën tjetër, kur ta ‎shihni dikë që ka nevojë për ndihmë, të madhe apo të vogël, mos hezitoni, rrëmbeni shansin ‎dhe bëjeni atë në emër të Allahut. Shpërblimi i tij është i paimagjinueshëm.‎
‎“Allahu e ndihmon robin e Tij, përderisa ai e ndihmon vëllanë e tij të besimit.” (Muslimi)‎

IslamBosna.ba; Përkthim: Miftar Ajdini

Nga e njëjta rubrike