Bisedë me lotin

Një herë qava për shkak të numrit të madh të mëkateve të mia dhe numrit të vogël të veprave të mira, andaj nga syri im doli një lot i nxehtë, duke më thënë: “Çka është me ty o njeri?”

Unë ia ktheva me kundërpyetje: “Po çka të nxori ty nga syri im?”

Loti u përgjigj: “Zjarri në zemrën tënde”.

Unë i thashë: “Po çka e ndezi zjarrin në zemrën time?”

“Mëkatet e shumta”, mu përgjigj ai.

Unë i thashë: “A ndikojnë mëkatet në nxehtësinë e zemrës?”

“Po”, u përgjigj ai, “A nuk ke dëgjuar për lutjen e Pejgamberit (savs): “Allahummagsilni min hatajaje bil-mai veth-thelxhi vel-beredi.” /O Allahu im, më pastro nga mëkatet me ujë të ftohtë, me akull dhe borë!” (Pjesë e lutjes të cilën Pejgamberi savs e lexonte në fillim të namazit – Buhariu dhe Muslimi)

Saherë që njeriu bën mëkat në zemrën e tij ndizet zjarri i pasionit, i ndyrësisë dhe dobësisë, dhe zjarri nuk fiket veçse me ujë dhe borë.”

Unë i thashë: “Ke të drejtë! Unë ndjej ankth dhe ngushtësi dhe mendoj se ajo është për shkak të zjarrit në zemër të cilin e kanë ndezur mëkatet.”

Loti tha: “Po, me të vërtetë mëkatet lënë gjurmë negative tek ai që i bën ato, andaj pendohu sinqerisht.”

Unë i thashë: “Dua ta bëj një pyetje.”

“Urdhëroni”, më tha ai.

Unë i thashë: “Po ndjej vrazhdësi dhe ngurtësi në zemrën time, andaj si mund të shpëtoj prej tyre?”

Ai më tha: “Tek shumica e njerëzve sot zemrat janë të ngurtësuara dhe vështirë se mund të gjesh një zemër të pastër e cila është e lidhur gjithmonë me Allahun.”

“Cila është arsyeja e kësaj?”, e pyeta.

Ai më tha: “Dashuria për këtë botë dhe lidhja me të. Ka shumë njerëz, të cilët kjo botë i ka mashtruar dhe shkatërruar, përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar. Dynjaja është si gjarpri, njerëzit e duan lëkurën e tij të butë dhe të lëmuar, ndërsa harrojnë për helmin e tij vdekjeprurës.”

Unë i thashë, “Çka po nënkupton me helm?”

Tha: “Ato janë mëkatet, sepse mëkatet janë helm për zemrën, dhe nëse zemra nuk pastrohet nga ky helm, ajo së shpejti do të vdesë.”

Unë e pyeta: “Si mund ta pastroj zemrën nga helmi i mëkatit?”

Loti u përgjigj: “Lehtë, a nuk i din fjalët e Allahut të Plotfuqishëm: “Dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Allahut? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë.” (Alu Imran, 135)

Perktheu: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike