Ebu Hanife – kolosi dhe njeriu më i ditur i kohës së tij

Hafidh es-Sem’ani në biografinë e Imam Ebu Hanifes tek El-Ensab ka thënë:

“Ai (Ebu Hanifja) kërkonte dituri dhe u shqua aty derisa arriti atë që të tjerët nuk e kishin arritur. Një ditë ai hyri tek Mensuri (halifja i muslimanëve) derisa Isa ibn Musa ishte me të, i cili i tha Mensurit: Ky është dijetari i botës së ditëve tona.” (f. 247)

Al-lame Hafidh el-Mizzi në Tehdhib’ul-Kemal ka thënë:

“Mekki ibn Ibrahimi e përmendi Ebu Hanifen dhe tha: Ai ishte njeriu më i ditur i kohës së vet.”  Kjo është nga margjinat e Tehdhib’ut-Tehdhib. (10:451)

Kurse unë (autori – shën i përkth.) shtoj: Mekki ibn Ibrahimi është njëri nga mësuesit kryesorë të Buhariut dhe shumica e zinxhirëve të tij të transmetimit me tre transmetues janë prej tij.

Ebu Jusuf el-Kadi ka thënë:

“Unë s’kam parë dikë tjetër më të diur sesa Ebu Hanifja në shpjegimin e haditheve.”

Jezid ibn Haruni ka thënë:

“Kam takuar mijëra njerëz dhe kam shkruar prej shumicës së tyre. Nga mesi i tyre nuk kam parë (askë) më me shumë të kuptuar (fikh), e as më të përpiktë e më të ndërgjegjshëm, si dhe as më të ditur sesa pesë prej tyre. I pari i tyre është Ebu Hanifja.”  El-Kurejshi e ka treguar këtë tek El-Xhevahir’ul-Mudijjeh, duke e transmetuar nga libri Xhemi’ul-Ilm të Abd’ul-Berrit. (1:29)

Hatibi ka transmetuar nga Ahmed ibn Muhammed el-Belhi që ka thënë:

“E kam dëgjuar Sheddad ibn Hakimin duke thënë: S’kam parë dikë më të ditur sesa Ebu Hanifja.”

Pastaj ai ka transmetuar nga Ibn El-Mubareku që ka thënë:

“E kam parë Hasen ibn Umaren duke e kapur kafshën hipëse të Ebu Hanifes dhe thoshte (drejtuar Ebu Hanifes): Për Allahun, ne nuk kemi takuar dikë tjetër që flet mbi jurisprudencën më me elokuencë dhe më me përgjigje koncize sesa ti dhe vërtetë ti, padiskutueshëm, je prijësi i atyre që interpretojnë mbi të në kohën tënde, si dhe ata nuk flasin keq për ty, vetëm se nga xhelozia.”

Dhe (Hatibi) transmeton nga Muhammed ibn Seleme që ka thënë:

“Half ibn Ejjubi ka thënë: Dituria është transferuar nga Allahu xh.sh. tek Muhammedi s.a.v.s., ku pastaj është transferuar tek sahabët r.a. dhe pas tyre tek Ebu Hanifja dhe shokët e tij.”

Sërish Hatibi transmeton nga Muhammed ibn Sa’di (shkruesi) që ka thënë:

“E kam dëgjuar Abdullah ibn Davud el-Hurejbin duke thënë: Është detyrë për muslimanët që të luten për Ebu Hanifen në namazet e tyre. Ai (Muhammedi) tha: Pastaj (Abdullahu) solli ndërmend ruajtjen nga ana e tij (Ebu Hanifes) të traditave dhe jurisprudencës  për ta.”  E tërë kjo është treguar nga Sujuti në Tebjid’us-Sahifeh.

Imam Ebu Xha’fer esh-Shizameri transmeton nga Shekik el-Belhi, i cili ka thënë:

“Imam Ebu Hanifja ishte nga më të ndërgjegjshmit e më të përpiktit e njerëzve, nga më të diturit dhe nga më të devotshmit e tyre.”

Ai gjithashtu transmeton me zingjirin e tij deri tek Ibrahim ibn Ikrime el-Mahzumi (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) që ka thënë:

“Nuk kam parë dijetar më të ndershëm ose më asket ose më të ditur sesa Imam Ebu Hanifja.”

Esh-Shizameri gjithashtu transmeton nga Abdullah ibn el-Mubareki që ka thënë:

“Shkova në Kuffe dhe i pyeta dijetarët e saj: Kush është më i dituri në këtë vend tuajin? Të gjithë më thanë: Imam Ebu Hanifja. Pastaj i pyeta: Kush është më i devotshmi dhe më i rrekuri pas dijes? Të gjithë ma kthyen: Imam Ebu Hanifja. I pyeta për tiparet e virtytshmërisë, ku të gjithë m’u përgjigjën: Ne nuk njohim dikë tjetër që i posedon ato përveç Imam Ebu Hanifes.”  Kjo është pjesë prej El-Mizan nga esh-Sha’rani. (f. 58)

Hatibi tregon nga Reuh ibn Ubade që ka thënë:

“Isha me Ibn Xhurejxhin në vitin 150 hixhri, kur ai dëgjoi për vdekjen e Imam Ebu Hanifes dhe tha: Vërtet të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, dhe shfaqi pikëllim duke shtuar: Çfarë dijeje paska ikur!”  Kjo është nga Tebjid’us-Sahifeh (f. 16).

Kur lajmi për vdekjen e Imam Ebu Hanifes arriti tek Shu’beja, ky tha:

“Vërtet të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi dhe shtoi: Drita e diturisë qënka shuar në Kuffe. Dijeni se ata kurrë më nuk do të shohin një të ngjashëm me të.”  Kjo është nga El-Hajrat’ul-Hisan (f. 71).

Unë (autori – shën i përkth.) them:

Nuk është diçka e padukshme që dituria në atë kohë nuk ishte gjë tjetër përveçse dituri nga Kur’ani dhe Hadithi, siç është potencuar nga dijetari i shquar, Hafidh edh-Dhehebiu, në Tedhkiret’ul-Huffadh:

“Logjika, dialektika dhe filozofia e të lashtëve nuk ishin, për Allahun, nga shkencat e sahabëve, tabi’inëve dhe të Evza’iut, Theuriut, Malikut e Ebu Hanifes. Mirëpo, shkencat e tyre ishin Kur’ani, Hadithi dhe të ngjashme. ” (1: 92)

Prandaj, më i dituri i tyre në atë kohë ishte më i dituri i tyre në Kur’an dhe Hadith. Kështu që dihet fare mirë se Imam Ebu Hanifja posedonte dije shumë të gjërë, padyshim, edhe në shkencën e hadithit.

Autor: Al’lame Zafer Ahmed el-Uthmani

Shqipëroi: Daim Abazi

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike