Shqipëri, vijon protesta e studentëve kundër “rritjes së tarifave”

 Studentët e universiteteve publike në Tiranë kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme protestën për të kundërshtuar tarifën për provimet e lëndëve përsëritëse, si dhe me kërkesën për përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestës së nisur dje nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, i janë bashkuar sot edhe studentë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës.

Mijëra studentë kanë përshkallëzuar protestën e tyre para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke bllokuar edhe qarkullimin në disa rrugë të Tiranës.

Studentët protestues deklarojnë se nuk do të ketë negociata me ministrinë pa u anuluar vendimi për tarifat shtesë për provimet e mbartura. Gjithashtu studentët kërkojnë përfaqësim në Bordin e Administrimit të Universiteteve, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, si dhe përgjysmimin e tarifës vjetore të studimeve.

Studentët mbanin në duar kartonë të kuq si dhe pankarta me mbishkrimin, “Anuloni VKM-në”, “Jo taksë për kreditet”, “Ulni tarifat”, “Dija është nevojë”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Sekreti i lirisë qëndron në edukimin e individit”, ndërsa kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të godinës së ministrisë.

Ndërkohë protesta janë zhvilluar edhe nga studentët e universiteteve në disa qytete të vendit, si në Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Durrës, me kërkesat për përgjysmimin e tarifave të studimit si dhe kundërshtimin e tarifave për lëndët e mbartura, tarifa këto që ndryshojnë sipas fakulteteve dhe numrit të lëndëve përsëritëse.

– Reagon presidenti Meta

Lidhur me protestën e studentëve ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ku në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta “po i ndjek me vëmendje protestat e studentëve”.

“Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik”, thuhet në reagim.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të miratuar në maj të këtij viti, studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet. Tarifat në fjalë ndryshojnë sipas universiteteve, por edhe sipas profileve dhe nivelit të studimeve.

Kujtojmë se edhe gjatë muajt nëntor në Tiranë, janë organizuar protesta nga studentët e universiteteve publike për uljen e tarifave të studimit.

 

 

Nga e njëjta rubrike