Modeli ynë më i mirë është Muhammedi (s.a.v.s.)

Nezim Halilović Muderris 

Tema e hutbes së sotme është: “Modeli ynë më i mirë është Muhammedi (savs)”. Dëshiroj që përmes kësaj hutbeje t’i zgjoj ndjenjat tona dhe dëshirën për ta ndjekur Sunetin e Pejgamberit tonë (savs), si modelin më të mirë dhe ta forcojmë dashurinë për të, në mënyrë që ta fitojmë mëshirën e Allahut të Plotfuqishëm, të cilën e synojmë dhe shpresojmë.

Tek Pejgamberi (savs), besimtarët e kanë modelin më të mirë, kurse veprat dhe fjalët e tij gjithmonë kanë qenë në përputhje të plotë. Në këtë drejtim Allahu i Plotfuqishëm, në suren el-Ahzab, ajeti 21, thotë:

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيرًا

“Ju, me të vërtetë, Pejgamberin e Allahut e keni shembull të mrekullueshëm, për atë që i druan Allahut dhe Ditës së Kiametit, dhe i cili e përmend shumë Allahun.”

Prandaj, ata të cilët janë të etur për takimin me Zotin e tyre, të cilët i gëzohen Ditës së Gjykimit, të cilët e përmendin shumë Allahun e Plotfuqishëm, ata e ndjekin Sunetin e Pejgamberit (savs), dhe kjo është një nga mënyrat për ta arritur kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm, që do të duhej të ishte qëllimi ynë i përbashkët.

A është Muhamedi (savs), modeli ynë i vërtetë, a e ndjekim ne Sunetin e tij dhe a shpresojmë në mëshirën dhe shpërblimin e Allahut të Plotfuqishëm?

Si e kemi rregulluar ne jetën tonë dhe a është Islami rruga jonë, apo për vete kemi marrë rrugë të tjera për kuptimin e jetës në dynja?

Pse ata të cilët e ndjekin Sunetin në kohën në të cilën po jetojmë, kundërshtohen dhe duan t’i paraqesin si tradicionalistë ose fundamentalistë të prapambetur?

A do të ndryshohemi dhe t’i afrohemi Zotit tonë dhe ta kalojmë jetën tonë në bindje ndaj Tij?

A nuk po e nxisim zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm me sjelljet tona, dhe po i afrohemi humnerës së xhehenemit?

A nuk po i përjetojmë shenjat e Ditës së Gjykimit në shtëpitë tona, në lagje, në punë, etj?

A ka ndonjë haram që në vendin tonë nuk ka gjetur vend të përshtatshëm, dhe a ka ndonjë prej mëkateve që populli ynë ende nuk e kanë provuar?

Pejgamberi (savs), ishte shumë i butë dhe i mëshirshëm ndaj shokëve të tij dhe në këtë mënyrë i ka pushtuar zemrat e tyre, sepse nëse kishte qenë i vrazhdë ndaj tyre, do të iknin prej tij, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 159, të sures Alu Imran:

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Allahu për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Se Allahu me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.”

Muhamedi (savs), ndryshe nga pjesa tjetër e pejgamberëve të Allahut, është nderuar me 5 gjëra, të cilat janë theksuar në këtë hadith:

Transmeton Xhabir ibn Abdullah (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Më janë dhënë 5 gjëra të cilat nuk i janë dhënë askujt para meje:

(1) Jam ndihmuar me frikë (të armikut nga unë) në një muaj distancë (ecje në këmbë).

(2) Toka më është dhënë vend për sexhde dhe e pastër, andaj kudo që një njeri i umetit tim ta arrijë koha e namazit, le ta falë.

(3) Më është lejuar plaçka e luftës, e cila nuk ka qenë e lejuar për askënd (nga pejgamberët) para meje.

(4) Më është dhënë shefaati (ndërmjetësimi për besimtarët). Dhe

(5) Të gjithë pejgamberët janë dërguar vetëm për popullin e tyre, kurse unë jam dërguar për të gjithë njerëzit!” (Buhariu)

Këto 5 gjëra janë nderim për Pejgamberin (savs), por edhe për umetin e tij. Armiqtë e Islamit kanë pasur frikë prej tij në një distancë një muaj ecje në këmbë, sepse ka qenë i ndihmuar me futje të frikës në zemrat e tyre. Edhe shokët e tij, si dhe pasuesit e nderuar dhe të përkushtuar të Sunetit të tij, kanë futur frikë në zemrat e armikut në distanca të gjata. Dhe kjo ka zgjatur derisa muslimanët nuk morën për vete Zot tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, derisa nuk filluan ta ndjekin dikend tjetër përveç Pejgamberit (savs), dhe, derisa nuk morën për vete diçka tjetër për kible përveç Qabesë.

Pejgamberit (savs), dhe Umetit të tij i është bërë Toka e pastër për namaz, në mënyrë që besimtarët kudo që të ndodhen duhet ta kryejnë obligimin e namazit. Namazi, vëllezër, nënkupton lidhjen e përhershme të robit me Zotin, dhe ajo lidhje nuk guxon të ndërpritet, sepse me shkëputjen e kësaj lidhjeje muslimani e humb orientimin dhe e shkatërron ndërtesën e tij të Islamit.

Një nga nderimet që iu dhanë Muhamedit (savs), është edhe ajo që një nga frytet e kësaj bote të xhihadit të jetë edhe plaçka e luftës, shpërndarjen e të cilës e ka përcaktuar Kurani dhe rreth saj nuk ka debat.

Me shefaat është dekoruar Pejgamberi ynë (savs), dhe umeti i tij do të jetë i nderuar me atë që, ai do të ndërmjetësojë për ta në Ditën e Gjykimit.

Dhe së fundi, misioni pejgamberik për të gjithë njerëzimin, gjithashtu, bën pjesë në njërën nga nderimet e Muhamedit (savs), në krahasim me pejgamberët e tjerë.

Pejgamberi (savs), nuk i ka mallkuar njerëzit, por ka bërë lutje për udhëzimin e tyre, siç dëshmohet nga transmetimi i mposhtëm:

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.): “Te Pejgamberi (savs) erdhi Tufejl bin Amër Ed-Devsi me shokët e tij, dhe i tha: “Fisi Devs është rebeluar dhe refuzon ta pranon Islamin, andaj bëj lutje kundër tyre!” Dikush bërtiti: “Le të shkatërrohet Devsi!” Pejgamberi (savs) tha: “O Zoti im, udhëzoje fisin Devs në rrugën e drejtë dhe silli tek unë!” (Muttefekun alejhi)

Vëllezër të dashur;

Le t’i bëjmë llogaritë me veten tonë dhe ta pyesim veten, se a është dashuria jonë për Muhamedin (savs), e tillë çfarë prej nesh e kërkon Zoti ynë i Plotfuqishëm?

A po e ndjekim me të vërtet sunetin e tij në të gjitha sferat e jetës?

A jemi të përmalluar për takimin me Pejgamberin (savs) dhe shefaatin e tij në Ditën e Gjykimit?

A jemi të përmalluar për shoqërimin me të në xhenetet më të larta?

A po i mësojmë fëmijët tanë që ta duan dhe që ai të jetë modeli i tyre më i mirë, dhe mos t’i shikojnë të shthururit dhe jobesimtarët?

A po e shohim në ëndërr Pejgamberin (savs), apo ëndrrat tona sikurse edhe realitetin i kemi përplot me dynja dhe me zbukurime mashtruese të dynjasë?!

Të gjitha këto janë pyetjet që duhet tu përgjigjemi, dhe dhashtë Allahu të ndryshojmë për të mirë, për të mirën tonë në të dy botët.

Vëllezër të respektuar;

Le ta ndjekim sunetin e Pejgamberit tonë (savs), le ta duam atë me dashuri të vërtetë, dhe le të përmallohemi për shoqërimin me të në xhenet!

O Allah, na forco neve në rrugën e Islamit!

Na bëj neve prej pasuesve të mirëfilltë të Pejgamberit (savs)!

Ndihmoju vëllezërve dhe motrave tona në nevojë kudo që janë!

Na ruaj dhe na mbro neve nga armiqtë e Tu dhe armiqtë tanë!

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur të cilët na e sollën dritën fesë!

Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe bëji ata udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut, si dhe bëji ata gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë dhe në botën tjetër!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me shoqërim të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Islampress)

Nga e njëjta rubrike