I gjithë fshati turk ndaloi pirjen e duhanit

Ndonëse pirja e duhanit është e ndaluar në Islam, për fat të keq, miliona muslimanë varen nga duhani. Mirëpo, gjërat tani janë më ndryshe në Hajderbejli, një fshat në Anadoll, Turqi, ku askush nga 180 banorë nuk pi duhan, raporton Dayli Sabah.

Një nga banorët, Muhsin Varoli, thotë se ka pirë duhan më shumë se 13 vjet, para se të vendoste ta heqë qafe këtë shprehi të dëmshme. “Kam ndërprerë pirjen e duhanit, ashtu si të gjithë të tjerët. Gjithashtu kemi organizuar shëtitje grupore ditë e natë për të qenë më të shëndetshëm.”

Kryeplaku i fshatit, Rifat Eraslani, thotë: “Çdo banor i fshatit e mbështet njëri-tjetrin në mënyrë që të çlirohen nga kjo shprehi e dëmshme. Presidenti ynë, Rexhep Taip Erdoan, na ka këshilluar që ta braktisnim pirjen e duhanit dhe ne e dëgjuam këshillën e tij.”

Jasin Uğurlu, banor i fshatit, gjithashtu vendosi ta lë duhanin pas katër vjetësh. “Të gjithë e dinë mirë se çka mund të shkaktojë pirja e duhanit, por shumica e njerëzve këtë e injorojnë.”

“Banorët e fshatit Hajderbejli zgjodhën të mos pinë duhan. Ata thonë: Pikërisht tani, të gjithë jemi të lumtur. Shtëpitë tona, makinat dhe rrugët tona nuk kundërmojnë në cigare. Ne nuk duam që të pi duhan në fshatin tonë kushdo që vjen nga vende të tjera. Kur kemi mysafirë, duhanpirësit nuk pinë duhan sepse ndihen të turpëruar. Nuk mund të gjeni asnjë cigare në fshatin tonë”, shton Uğurlu.

Në shenjë të mirënjohjes zyrtare dhe respektit për përpjekjet e këtyre njerëzve, kryetari i provincës Yeşilay, Halil İbrahim Coşkun, e vizitoi fshatin.

“Është e mrekullueshme që Hajderbejli e dëgjoi apelin tonë. Personalisht dua t’i falënderoj ata për vendimin e tyre. Shpresoj që shembulli i tyre do të ndiqet edhe nga shumë të tjerë dhe së bashku do të shpëtojmë nga shprehia e pirjes së duhanit”, ka thënë zyrtari.

Sipas Daily Sabah, në botë ka rreth 3, 3 miliardë duhanpirës, kurse çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, vdesin gati 5 milionë njerëz, përkatësisht, nga 13.200 njerëz në ditë.

Pirja e duhanit mund të shkaktojë kancer të mushkërive, të kordhave të zërit, të ezofagut, të stomakut, të organeve urinare – gjenitale dhe lë gjurmë të thellë patologjike në zemër, në enët e gjakut, në tru, në gjëndrat endokrine …

Sipas një studimi të publikuar në vitin 2006, nga Medical Journal, përqindja e pirjes së duhanit në vendet muslimane është jashtëzakonisht e lartë. Përqindja më e lartë e regjistruar e duhanpirësve meshkuj është regjistruar në Jemen (77 %) dhe në Indonezi (69 %). Jemeni, gjithashtu, ka prevalencën më të lartë të pirjes së duhanit edhe tek gratë, ku gati 1/3 e grave pinë duhan.

/IslamBosna.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

Nga e njëjta rubrike