“Besa edhe haxhinjtë në moshë, nuk e respektojnë më zakonin e vjetër…”

Irfan Agushi

Kur themi që koha ka ndryshuar nga që gjërat nuk janë si dikur, në fakt duam të themi se njerëzit kanë ndryshuar dhe gjërat nuk janë si dikur.

Mbaj mënd fshatin tim, të cilin nuk e përshkonin shumë vetura. Ishin karrocat e shumta që tërhiqeshin nga kafshët, ato që bënin xhiro në rrugët e fshatit. Ato përveç se nuk bënin zhurmë, ishin shumë të mira për ambientin në krahasim me veturat që përdorim sot. Por jo vetëm kjo, atë kohë nuk shihje dhe shumë bërllok anekënd vendbanimeve, pasi shumë pak plastik prodhohej dhe ajo e bënte fshatin tonë një vendbanim të pastër. Ashtu ishte dhe lumi Vardar, që ndante fshatin tonë në dy pjesë. Uji i pastër, nga i cili pinin ujë bagëtitë, ndërsa bujqit e shfrytëzonin atë për të ujitur tokat e tyre. Diku në rrjedhë të lumit shihje dhe ndonjë peshkatar vendas ose të ardhur nga qyteti. Kënaqeshin me peizazhin që krijonin valët e pakta të lumit Vardar. Zëri i fëmijëve që bënin plazh në këtë lum, dëgjohej gjithandej gjatë muajve më të nxehta të vitit.

Ishte dhe një kategori tjetër e njerëzve që më ka lënë mbresa në kujtesën time. Burrat pleq, posedonin disa karakteristika që sot vështirë t`i gjejmë në mesin e kësaj kategori, njerëzish.

Veshja shqiptare ishte karakteristike e cila shfaqej në raste të shumta. Një plis i bardh në kokë dhe ndonjëherë i mbështjellur dhe me një pëlhurë të bardhë rreth e përqark. Pos këtyre ishin dhe mustaqet ato që dallonin një burrë nga një djalosh. Kur ndonjëri prej burrave me veshje kombëtare, kishte vendosur të shkonte që të vizitonte Qaben, në Mekken e bekuar, familja e tij organizonte një ndejë bashkë me miqtë dhe farefisin. Këtij takimi i paraprinte një rit, i cili ishte zakon i asaj kohe. Haxhiu i thyer në moshë, duhej të lëshonte mjekër, pasi ashtu e donte zakoni, ndërsa familjarët dhe miq për nder të nijetit të tij i dërgonin Bakllava ose Aligjin, dy ëmbëlsirat e kohës.

Kurr të kthehej nga Mekka, pos të mirave që atje mund të korrje, si devotshmëria, durimi, dashuria ndaj njerëzve pa dallim race dhe nacionaliteti si dhe morale të tjera, haxhiu kthehej me një pamje më burrërore, me një mjekër të bardhë, e cila detyrimisht na bënte që ta respektonim, ngase ajo duhej të përçonte mesazhin e bardhësinë së besimit që mbante brenda. Dëgjonim me orë të tëra rrëfimet e tij, se si kishte kaluar në udhëtim, përjetimet dhe momentet gjatë gjith kësaj kohe.

Ah si iku dhe ajo kohë! Me keqardhje po them që sot gjëra nuk janë si dikur. Karrocat nuk i gjen gjëkundi, madje nuk ndërtuam as dhe një muze për ti ruajtur këto vlera të kohës. As lumi vardar nuk është si dikur, ka vite që zëri i fëmijëve nuk është pjesë e mosaikut të zhurmës që krijon uji. As pleqtë me veshje kombëtare e me plis të bardh nuk i sheh të bredhin rrugëve, besa edhe haxhinjtë në moshë, nuk e respektojnë më zakonin e vjetër të tyre. Ne vend të mjekrës së bardh, të bie në sy lëkura e fytyrës me vija të trasha, e cila tregon vitet e vështira mbi supet e tyre.

Foto: Vitii 1913, fotografi nga trojet shqiptare (Alber Kahn)

 

 

Nga e njëjta rubrike