Sot vendosa të shikoj gjërat me një sy tjetër, syrit kritik i thash të bëj një sy gjumë 

Irfan Agushi

Te kujtojmë ditët e sakrificës, të cilët sot na mundësojnë të festojmë me dinjitet. Sot kemi një Shqipëri e cila po ndryshon dita ditës, natyrisht jo në tempon që dëshirojmë ne, por po ndryshon. Një Shqipëri e cila çdo vit e më shumë, po ngre zërin për shqiptarët rreth e përqark. Kemi nje Kosovë me policinë, institucionet dhe ushtrinë e saj. Dikur frikoheshim te ecim rrugëve të Prishtinës me Indeks në xhep, ngase kishim frikë se po na kapnin xhandarët serb. Sot ajo ditë ka ikur. Të kujtojmë ato mijëra studentë që ngritën zërin kundër dhunës dhe vrasjes sistematike të një regjimi vrastarë. Me qindra mësues e profesorë që punon gratis dhe për popullin. Të kujtojmë me mijëra luftëtarë që ngritën pushkët kundër po aty regjimi, të kujtojmë dhe lutemi për familjen Jashari, simbolin e sakrificës shqiptare.

Sot kemi nje avancim të dukshëm të shqiptarëve në Maqedoni. Atë mund ta hasim në shumë nivele. Më të rinjve mund të mos ju bëj përshtypje një gjë e këtillë, por po të shikojnë pak mbrapa do të shohin se në lëmin e shkollimit dikur ishte shumë keq. Nuk kishte një derë ku të trokasësh. Diploma e një shkolle të mesme ishte maksimumi që fitonte një shqiptarë. Universiteti i Tetovës, hapi rrugën e shkollimit të gjeneratave të reja. Të kujtojmë se themelet e tij, u ndërtuam me gjakun e njerëzve tanë. Pas tyre çdo kush që vendosi një tullë në murin e këtij tempulli, ka bërë më të mirën për ardhmërinë e popullit.

Dikur na dukej “mrekulli” po të takonim një polic o doganier në kufi apo sportelet e Aeroportit. Sot do ishte “mrekulli” po të mos takonim një shqiptarë qoftë polic, doganier apo ndonjë nënpunës tjetër.
Këto gjëra nuk i solli koha, ato i solli sakrifica e njerëzve tanë, atyre që luftuan me laps, me pushkë dhe atye që mbështetën këta të dy nga vendi, Amerika, Australia e Europa.

Sot vendosa të shikoj gjërat me një sy tjetër, prandaj syrit kritik i thash të bëj një sy gjumë.

Urime për shumë vite festat e nëntorit.

P.s. Me fotografinë nuk po provokoj njeri, veçanërisht jo fqinjët veriorë.

 

Nga e njëjta rubrike