Kur’ani, mes mësimit përmendësh dhe kuptimit të tij

Muhammed Gazali

Vështrova foton e një fëmije dhjetë vjeçar, fitues i një çmimi, sepse kishte përfunduar hifzin (mësimin përmendësh) e Kur’anit Famëlartë dhe kishte perfeksionuar leximin e tij! U shikoja me vëmendje fytyrën e tij dhe pashë që shenja çiltërsie e kishin mbuluar! Ndërkohë që unë nuk e fshihja mahnitjen time për memorien e tij observuese me gjithë moshën e re!

E kisha kaluar një gjendje të tillë, sepse e pata mësuar përmendësh Kur’anin në moshën dhjetë vjeçare dhe pas disa muajsh isha regjistruar në Ez’her, pastaj m’u harrua, por më vonë e ri-mësova, e për këtë Allahut i qoftë falënderimi!

Nëse ky mësim përmendësh i hershëm ka ndonjë gjurmë, ai është thesar, që përfitojmë prej tij kur të rritemi dhe mburojë që na mbron jetën tonë individuale! (Ndërsa ky hafiz i brishtë të ketë përfshirë profetësinë përpara duarve të tij, e me memorien e mirë që ka të quhet dijetar, kjo jo!)

Akoma edhe sot, kur lexoj disa ajete dhe sure, kujtoj mësuesin, që më qortonte për ndonjë ajet, më linte për ndonjë tjetër dhe më shpërblente për të tjerë! E, që unë të kuptoja qëllimin e tyre, kjo nuk më shkonte ndër mend! Ishim kaseta të regjistruara vetëm për shkronja.

Tashi pyes veten: A është Kur’ani libër leximi dhe tekst, që mjaftohemi prej tij me një lexim kalimtar? Meditova rreth qëndrimit të myslimanëve ndaj librit të tyre (Kur’anit), pastaj thashë: Sa i ngjan qëndrimit të këtij fëmije dhjetëvjeçar!

Sikur kjo botë islame është fëmijë i madh. Ajo, në kuvendet e Kur’anit, hap veshët, por është larg dhe jo prezent. Lëviz vetëm valët e dëgjimit, por nuk lëviz shpirtrat, apo shoqëritë që të gjykojnë me të. E ndërkohë që Kur’ani nuk ka zbritur për një gjë të tillë: “Ky është kumtim për njerëzit, që t’u tërhiqet vëmendja me të dhe që ta dinë se Ai është Një Zot dhe që të përkujtojnë të zotët e mendjes”. (Ibrahim, 52)

Kur ndizet drita e kuqe e semaforit, makinat qëndrojnë, i nxituari ndalet dhe lëvizjet ngadalësojnë dhe sa të ndizet ngjyra jeshile, u lejohet të vazhdojnë e të lëvizin! Kështu vepron edhe urdhri dhe ndalimi i Kur’anit për njerëzit!

Por, përderisa Kur’ani të ngelet lexim i shkëputur prej shoqërisë, ai do të ecë në një luginë, e njerëzit do të lëvizin në një luginë tjetër. Kjo është tragjedi, apo krim, siç na bën të ditur edhe vetë Kur’ani: “Kush është më zullumqar, se sa ai që përkujtohet me ajetet e Zotit të tij, pastaj ia kthen shpinën atyre. Ne, me të vërtetë, do të hakmerremi ndaj keqbërësve” (Es-Sexhde, 22)

Kur’ani në kohën tonë është i shkëputur prej jetës së përditshme. Ndoshta mund të ketë lidhje me shkencat e sheriatit, apo shkencat gjuhësore, por të ketë lidhje me shkencat e universit, kjo jo! Ky është libër që flet për qiejt dhe tokën e ç’ka ka mes tyre, e të mos ketë lidhje me shkencat e biologjisë, kimisë, kafshëve, bimëve, shtresave të tokës dhe shkencave të jetës?!

E të mos ketë lidhje me shkencat e astronomisë dhe hapësirës?

Baballarët tanë kanë qenë profesorë në këto lëmi, por çfarë na largoi prej tyre?

Nëse përqasja jonë në këto njohuri (lëmi) është mbështetje e ateizmit dhe largimit prej Zotit, atëherë a kemi qenë të drejtë ndaj vetes dhe ndaj Kur’anit tonë me paaftësinë në artet e jetës dhe studimin e universit? Imani (besimi) në logjiken e Kur’anit ndërtohet mbi vëzhgimin, meditimin dhe zbulimin, e ku qëndron vlera e besimit të shkëputur prej këtyre kuptimeve?

Uli kokën dhe hesht, duke qeshur e duke u pikëlluar, kur ndonjë ceremoni çelet me Kur’an, pastaj fytyrat e njerëzve përvëlohen prej dashurisë në çdo lëmi, pa i lidhur asgjë me Librin Famëlartë (Kur’anin) dhe pa depërtuar në zemrat e tyre asnjë rreze!

(Shkëputje nga libri “E VËRTETA E HIDHUR 2”, Boton: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Shkodër, Prill 2018, fq. 53 – 55)

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Lavdrim Hamja

Përgatiti: Islampress.info

Nga e njëjta rubrike