Poetët nga Shkupi gjatë periudhës osmane

Salajdin Salihu

Në Shkup, si qendër e rëndësishme historike, kishin filluar gjatë shekullit XV të ndërtoheshin objekte të ndryshme sakrale dhe profane. U ndërtuan xhami, medrese, mesxhide, tyrbe, hamame, hane, çeshma. Në këtë kohë u ndërtuan disa xhami të bukura, sikurse: Xhamia e Sulltan Muratit (1436), Xhamia e Isa Beut e njohur si Allaxha (1438), Isa Beu (1475), Xhamia e Mustafa Pashës (1492), por edhe ndërtesat profane sikurse: Kapanani, Suliani (shek. XV), Kurshumliani (XVII), Hamami i Daut Pashës (1484).
Objektet sakrale shërbenin si institucione arsimore dhe kulturore. Në mektebe, medrese apo teqe, mësoheshin edhe gjuhët, kryesisht lindore, letërsia, e drejta islame, filozofia, matematika apo mjekësia. Aty kishte edhe biblioteka.

Biblioteka më e vjetër mendohet se është ajo e Xhamisë “Isa Beu”, e themeluar në vitin 1445, kurse më e pasura ishte ajo e medresesë “Isa Beu”.
Në këto institucione sakrale vepronin shumë poetë dhe dijetarë që shkruanin në gjuhën osmane.

Në Shkup krijonin poetët Atai Uskubi, Isak Çelebiu, Vejsi Efendiu. Nga Shkupi ishte edhe dijetari i njohur Ahmed Isamudin Tashçoprudaze (1495-1554), që konsiderohet si njëri nga enciklopedistët e parë osmanë. Ai nga viti 1529 kishte punuar si kadi në Shkup dhe mësimdhënës në medrese.

Poetë të njohur kishte edhe në qytetet tjera. Në Manastir u dalluan poetët: Haveri, Zuhuri, Çelebiu, Vahii, Hasan Qatipi, kurse nga Tetova shquheshin: Suxhudi dhe Tului.[1]
Sherife Ördek, një studiuese turke, evidenton shumë poetë nga qytetet në kufijtë e Maqedonisë së sotme, që krijuan ndërmjet shekujve XV dhe XIX. Ata kryesisht shkruanin divane. Sipas kërkimeve të saj janë evidentuar: 26 poetë nga Shkupi, 11 poetë nga Tetova, 35 nga Manastiri, dy nga Dibra, tetë nga Shtipi, tre nga Strumica dhe një poet nga Velesi[2]. Ky numër, sipas gjurmimeve tona, rezulton të jetë shumë më i madh.
Sipas studiuesit Ahmet Suphi Furat, emrat më të njohur nga Shkupi, që kanë shkruar poezi ndërmjet shekujve XV dhe XVI, janë: Molla Şücâeddin İlyas, Molla Ahmet Paşa, Molla Sarı Gürz, Molla İbnü’l-Muîd, Molla Mustafa bin Halil, Molla Arap, Molla Leyszade, Molla Mimarzade, Molla İsameddin Ahmet bin Mustafa -Taşköprülüzade, Molla Hasan Çelebi, Molla İshak Çelebi, Molla Hüsameddin[3].

Shumica kishin studiuar në qendra të ndryshme arsimore, veçanërisht në Stamboll, ku ishin njohur me poetë të mëdhenj të kohës dhe kishin përfituar dije të thella.
Sipas studiuesit Murat A. Karavelioglu, poetë me origjinë nga Shkupi, ishin: Atâ, Dülgerzade, Dürri, Fenni, Feridi, Haki, Hanif Çelebi, Hemdemi, Hevesi, İshak Çelebi, İzari, La’li, Mehmet Çelebi, Şeyh Mehmet Emin Çelebi, Miri, Muidi, Nami, Niyazi, Özri, Pir Muhammet, Rızayi, Riyazi, Seydi, Sıhri, Şeyda Çelebi, Tului, Vahdeti, Valihi, Vusuli, Zari.
Në këtë renditje ka edhe poetë prej qyteteve të tjera, që studiuesi mendon se janë prej Shkupi.

Për shumicën e poetëve kemi shumë pak të dhëna biografike.
Poeti më i njohur është Isak Çelebiu. Ai kishte punuar në disa medrese anekënd Perandorisë Osmane dhe kishte shkruar një libër për Shkupin.

Isak Çelebiu lindi dhe u rrit në Shkup dhe çmohej si personalitet letrar. Ai u shkollua në Stamboll dhe kishte punuar si myderriz në Serez, Bursa, Iznik dhe Edirne dhe si kadi në Damask. Çelebiu i kishte kushtuar shumë divane Sulltan Selimit, me të cilin kishte miqësi. Për të thuhej se ishte person i përkëdhelur, por edhe i shkujdesshëm. Poezitë e tij vlerësoheshin për stilin e veçantë, të rafinuar dhe për gjuhën e shumëkuptimshme. Krijimet e tij artistike u bënë burim frymëzimi për shumë autorë pasardhës[4].

Referenca

[1] Историја на македонскиот народ, Институт за национална историја — Shkup, 1969.
[2] Şerife Ördek, “Kültür tarihimiz açisindan Kalkandelen ve Kalkandelen doğumlu divan şairleri”, në Uluslararasi türk dünyasi kültür başkentleri bilgi şöleni, Türkiye – Kosova – Makedonya – Özbekistan, 5 – 7 Kasım 2015, f.401.
[3] Ahmet Suphi Furat, “Üsküp Medresesi’nde Hocalık Yapmış Osmanlı Âlimleri”, Güneydoğu Avrupa Araştırmaları Dergisi, 12, İstanbul, 1998, f.89-94
[4] Shih: Murat a. Karavelioğlu: Contributions of Balkan countries to classical Turkish literature, IBAC 2012 vol.2, f. 320 – 322.

 

(Revista Fleta & Islampress)

Nga e njëjta rubrike